Rinia Studentore në Gjilan, në ndihmë të nevojtarëve

Aktuale December 14, 2017 - 10:57

Organizata Rinia Studentore “Kadri Zeka” në Gjilan, tashmë që një kohë ka filluar të mirret me aksione humanitare, përmes të cilave u del në ndihmë personave të ndryshëm në këtë komunë, të cilëve u sigurojnë para për shërim, ushqim e veshmbathje.

Liridona Sabedini, kryetare e Këshillit Studentor në Universitetin Kadri Zeka tregon se kjo organizatë mundohet të gjejë hapësirë për të vepruar siç thotë ajo “me shpresë që të arrijmë ndryshim pozitiv në shoqerinë tonë”.

Në një prononcim për Zërin ajo ka treguar disa nga rastet të cilave u kanë dalur në ndihmë.

“Rasti i bashkëmoshatares sonë Edona Dërmaku e cila ka vuajtur nga sëmundja e Leukemisë, ku për shërim i është nevojitur një shumë e madhe e të hollave, shumë kjo e papërballueshme për familjen Dermaku. Pastaj aksion tjetër ka qenë edhe dalja në ndihmë rreth 60 familjeve në nevojë, ku kemi bërë shpërndarjen e gjërave ushqimore për këto familje në prag të festes së Fiter Bajramit ngase festat janë edhe ditët më të vështira për shumë famlije të cilat e kanë të pamundur festën për shkak të skamjes dhe varfërisë me të cilën bashkëjetojnë çdo ditë”, thotë ajo.

Sipas Sabedinit, aksioni i fundit që ka ndërrmarë kjo organizatë është ndihma për Hajrullah Fetincin, 82 vjeçar, i cili siç thotë ajo jeton në kushte shumë të vështira ekonomike.

“Axha Hajrullah i cili tanimë konsiderohet të jetë gjyshi ynë është 82 vjeçar dhe jeton vetëm në kushte mjaft të vështira, por asnjëherë nuk ka pushuar së punuari që prej fëmijërisë së tij për të siguruar kafshatën e gojës. Puna e tij e palodhshme, vullneti i tij për jetë na preku aq thellë sa që u bë shtysa jonë kryesore për këtë aktivitet", tregon ajo.

Këto raste natyrisht se prekin ndjenjën humanitare të gjithësecilit prej nesh si dhe zgjojnë shpirtin human për tu solidarizuar bashkë me ta në menyrë që të ja lehtësojmë sadopak”, thotë Sabedini.

Ndërsa ajo falënderon të gjithë qytetarët, kolegët dhe Institucionet Komunale që kanë kontribuar dhe tregon se aksione të tilla do  të ndërmeren edhe më tej sepse siç thotë ajo “të marësh përsipër të kurosh sado pak plagët e shoqërisë natyrisht se është një mision i bekuar”.

Ndërsa Fatmir Kastrati, pjesë e kësaj organizate tregon se sigurimi i të hollave për këto aktivitete bëhet në mënyra të ndryshme.

“Fillimisht caktohen grupet e ndryshme ku secili prej tyre ndan përgjegjësi për t’u angazhuar në sigurimin më të madh të të hollave. Të hollat sigurohen përmes realizimit të aktiviteteve të ndryshme dhe fitimprurëse, siç janë: shfaqjet e filmave, organizimin e turnirëve sportive, pastaj mbrëmjet rinore si dhe vendosjen e arkave në pjesët e frekuentuara të qytetit”, thotë ai për Zërin.

Ndërsa për rastin e Hajrullah Fetinci, ai tregon se kanë mbledhur rreth 1.000 euro.

“Sinqerisht, të tilla kanë qenë këto akitivitete humanitare të cilat natyrisht se janë përkrahur nga studentët si dhe pjesa tjetër e shoqërisë sepse të vetëm nuk do të mund t'i finalizonim”, thekson ai./Zeri..