Eliminimi i kontributit të grave përgjatë historisë

Aktuale December 13, 2017 - 14:50

Secila nga to unike në veprimtarinë e tyre në fushën e dijes dhe kontributin për vendin. Por, shumë pak të përmendura përgjatë historisë. Kontributi i gruas në pjesëmarrjen e organizimeve shoqërore në ruajtjen, mbrojtjen e vlerave të vendit, si dhe ndërtimin e shtetit mbetet e dyta ose nuk përmendet fare në librat e historisë, shkruan "Zeri.info".

Nxënësit kosovar mësojnë më shumë në librat e historisë për kontributin e personaliteteve burra. Ata pastaj bëhen heronj të tyre edhe në orët e artit që t’i pikturojnë. Ndërsa kontributi i gruas sipas historianëve, ligjëruesve universitar, aktivisteve të të drejtave të gruas, ish ushtareve të UÇK-së, nuk është përfshirë në librat e historisë, por është margjinalizuar.          

Dallime në role gjinore hasen edhe në materiale mësimore historike, ku vërehet se rrallë herë përmenden gratë si figura të rëndësishme historike.

Historiani i njohur Jahja Drançolli thotë se tekstet e historisë janë shumë larg përfshirjes së kontributit të gruas. “Madje, jo vetëm që nuk e trajtojnë fenomenin e gruas si pjesë të shoqërisë ndër shekuj, ato si të tilla ndërlidhën pothuajse vetëm me disa personalitete të grave të shquara të shkëputura nga konteksti historik!”, thotë ai.

Drançolli thotë se gratë përgjatë historisë së popullit shqiptar nuk mund të thuhet se janë përjashtuar tërësisht, por duke marrë parasysh se gratë gjatë gjithë historisë kanë përbërë në aspektin gjinor rreth gjysmën e popullatës, atëherë ai shprehet se “me plotë gojën mund të themi se gruaja në tekste të historisë është gjithnjë e dyta ose nuk figuron fare!”.

Shkencat në shumicën e rasteve, sipas tij kanë pasur ndikim në diskriminimin e gruas, meqë kanë zhvilluar teori arsyetimi. “Për këtë qëllim ‘shkenca feministe’ i kritikonte këto teori për jo barazinë e gjinive, të cilat mbështeteshin në tipare “patriarkale”. Mjafton të theksohet se shumë njerëz të shquar të kulturës evropiane mendonin se gratë nuk ishin të barabarta me burrat si në aspektin psikik ashtu edhe fizik. Kështu gruaja bëhet ajo ‘e dyta’, e shmangur nga norma mashkulli-njeriu. Historia e gruas në çerekun e fundit të shekullit XX ndikoi që gratë të bëhen të ‘dukshme’ gjatë historisë”, thotë ai.

Gruaja në tekste të historisë ende është e “padukshme”

Profesor Drançolli shpjegon se në fillim kjo çështje është përqendruar vetëm si shtesë “gratë e shquara” të “burrave të shquar” ose në biografitë e burrave, si gra të tyre, nëna apo vajza. Mirëpo, sot ai vlerëson se po bëhet përpjekje që të potencohet roli i gruas në histori në të gjithë lëmenjtë e jetës. “Do të ishte negativ izolimi i historisë së gruas për vet faktin se do të injorohet historia e gjysmës së popullatës botërore, e ndonjëherë kanë qenë edhe shumica. Margjiniliteti i tyre kulturor dhe psikologjik i determinuar i bën përvojat historike të grave thellësisht tjera prej atyre të meshkujve. Por, meshkujt i kanë definuar përvojat e tyre historike dhe i kanë lënë gratë jashtë tyre. Që këtej, mund të shfaqet rreziku për zhvillimin e historisë së gruas si një lëmi e veçantë, që do të shkonte krahas historisë së mashkullit”, thotë ai duke shtuar se për këtë arsye, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të zhvillimit të “historisë së gjinive” me çka hapen dyert për kërkime të dallimeve në mes të burrave dhe grave.

 

Në shekullin XIV, nën ndikimin e Humanizmit dhe Rilindjes evropiane, ai  përmend se është zhvilluar debat për pjesëmarrjen e autorëve burra dhe gra. “Në shkrimin edukativ ‘Emile’, Jean-Jacques Rousseau (1712-1778) i vuri themelet e pikëpamjeve tërësisht dalluese ndërmjet burrit dhe gruas, si dhe ndarjen e sferës publike dhe private, ku gruas i ndau vendin vetëm në rrethin familjar. Gjithashtu, të drejtat e qytetarit dhe njeriut të proklamuara në Revolucionin e Francës kishin të bënin vetëm për burratt”. Lidhur me këtë diskriminim, Drançolli bënë të ditur se reaguan krijueset. Kështu, Olimpe de Gouges i propozonte Kuvendit Popullor më 1791 “Proklamatën për të drejtat e gruas dhe qytetares”, e cila u përkrah, por në praktikë ndeshi në veshë të shurdhët. Ndërkaq, në vitin 1792 britanezja Mary Wollstonecraft (1759-1797) botoi shkrimin kushtuar mekanizmit të shfrytëzimit të grave me titull, “A Vindication of the Rights of Woman”.

“Në këtë kontekst, gratë tona gjatë periudhës në fjalë, edhe pse bën emër jo vetëm në vendin tonë, ato u shquan edhe në gjithë Ballkanin dhe Itali. Luajtën rol të rëndësishëm në rrjedhat historike, por ato zakonisht paraqitën si gra të ndonjë burri të shquar. Dhe, së këtejmi ‘largimi’ i gruas nga historia dhe historiografia kishte për qëllim shmangien e saj për të bërë kërkime që ndërlidhen me politikën, shtetin dhe idetë e meshkujve”, thotë profesor Drançolli.

Ai thotë se gruaja në tekste të historisë ende është e “padukshme”. “Në tekste historike, kanë mbetur të padukshme edhe pas zhvillimeve të disiplinave të reja historike në aspektin teorik. Edhe pas modeleve në Evropë dhe SHBA, ku përfaqësuesit meshkuj dhe femra tashmë kanë arritur rezultate të rëndësishme, në tekstet tona ende nuk është ndërprerë paralelja ‘mashkull’ dhe ‘njeri’!”, thotë profesor Drançolli.

Ish luftëtarja dhe mjekja e UÇK-së : Kontributi i gruas është minimizuar

Tani deputete e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj dikur ish- ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe mjeke në periudhën e luftës 1998-99 në Zonën e Dukagjinit shprehet e pakënaqur me (mos) përfshirjen e kontribut të grave dhe vajzave në historinë e vendit, e tekste mësimore .

Ajo thotë se gjithmonë kur flitet për kontributin e burrave flitet në superlativ, ndërsa kur flitet për kontributin e gruas ose flitet pak ose në një farë forme është minimizim i atij kontributi. “Në fakt është dashur të jetë e kundërta e asaj sepse nëse në kushte dhe rrethana të njëjta kontributi i një gruaje dhe një burri ka qenë i barabartë, atëherë shumë më shumë duhet të vlerësohet kontributi i gruas sesa i burrit”.

Kadrijaj tregon se ka pasur shumë ushtare, gra të cilat kanë kontribuar edhe nëpër logjistika, pastaj gra të cilat kanë qëndruar nëpër spitale ushtarake dhe nëna të cilat kanë gatuar ushqim, mjeke, infermiere. Pra, sipas saj gruaja ishte e përfshirë në të gjitha sektorët e UÇK-së.

Ndërsa, Kadrijaj thotë se është bërë shumë pak për të pasqyruar këtë kontribut të dhënë në luftën e fundit nga gratë, pa shkuar më larg dhe gërmuar në histori për kontributin e tyre gjatë shekujve.

“Emërimet e rrugëve, shkollave, gjithë atyre institucioneve që bartin emra, shumë pak rrugë janë të emëruara me emrat e dëshmorëve gra të kombit. Gjithmonë prioritet ju jepet burrave. Pastaj tek titujt e dekorimet ka gra që kanë qenë shumë aktive në luftë, por nuk kanë grada sikurse kanë burrat; gjeneral, kolonel...,apo të tjera grada, edhe me kategori më poshtë që janë nuk di që ndonjëra ka marrë një titull të tillë ose një gradë të tillë, edhe pse ju ka takuar”.

Kadrijaj thotë se kohëve të fundit në Ditën e Pavarësisë së Kosovës si dhe festën e flamurit më 28 nëntor gjithmonë shpërndahen mirënjohje dhe dekorata për kontribute të veçanta. Dekoratat, ajo thotë se duhet të jepen me meritë dhe pa lënë anash shumë gra e vajza që kanë kontribuar.

“Nuk di që ndonjë institucion qoftë kryeministri apo institucion presidenti në data të caktuara ka ndarë dekoratë për kategoritë të veçanta. Mendoj se ka shumë që tash në vigjilje të festës së pavarësisë së Kosovës në shkurt apo tash që ishte 28 nëntori është dashur t’iu ndahet një dekoratë për gjithë atë shërbim që kanë bërë gjatë luftës së UÇK-së”, thotë Kadrijaj.

Ajo apelon për sensibilizim më të madh të kontributit të gruas që janë, sipas saj vërtetë kontribut dhënëse në etapa të ndryshme të historisë jo vetëm në luftën e fundit. “Kemi femra të burgosura politike që kanë qenë në vitin 1981 dhe pjesëmarrëse e organizatore të protestave si dhe në fund kyçja aktive në luftën e UÇK-së”, thotë deputetja Kadrijaj.   

  Miradije Gashi një grua ish pjesëmarrëse e demonstratave të organizuara në vitin 1981 edhe më vonë, thotë se vlerat e grave i kanë marrë burrat. “Ndoshta krejt gruaja është flijuar dhe burri është bërë hero e patriot dhe i ka marr vlerat”.

Ajo thotë se gratë janë arrestuar dhe burgosur. “Të burgosurat dhe ato që arrestoheshin sulmoheshin me mjete të forta në bark dhe në organet vitale me qëllim që të mos lindnin fëmijë”, thotë Gashi.   

 Dallime në role gjinore hasen në materiale mësimore historike

Ligjëruesja e psikologjisë Pranvera Jetishi thotë për gazetën se burrat dominojnë situatat me tema të një aktiviteti të lartë si, më të zgjuar, më të guximshëm, si dhe më fitimtar. Ndërsa gratë paraqiten në situata të dorës së dytë si, më pasive, viktimizuara dhe të varura. “Dallime në role gjinore hasen edhe në materiale mësimore historike, ku vërehet se rrallë herë përmenden gratë si figura të rëndësishme historike”, bënë të ditur ajo.

Ndërkaq, etnologia Shqipe Arifi thotë se gruaja përveç që ka luajtur rol kyç në formësimin e jetës, ato në shoqërinë tradicionale janë parë edhe në rolin e nënës, mësueses, gruas, por pa lënë anash sipas saj as pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në beteja të ndryshme. “Nuk janë numër i vogël i grave shqiptare që janë shquar për heroizmin e tyre në periudha të ndryshme historike, për të cilat mund të sigurosh mjaft të dhëna që të shkruhet dhe flitet për to”.

Arifi thotë se kontributi i gruas në shumicën e rasteve është përmendur në pika të shkurta dhe nuk i është kushtuar rëndësi e veçantë që të bëhet një artikull apo libër për to, sepse sipas saj në trojet shqiptare, përkatësia gjinore në të shumtën e rasteve përcakton se çfarë duhet të lejohet apo vlerësohet.

Vetëm pak, gra ajo thotë se u arrit t’iu njihet kontributi, kurse një numër i konsideruar prej tyre, u fshehën padrejtësisht prapa emrave të burrave te tyre patriot, luftëtarë apo udhëheqës. “Një numër i madh i tyre ngelën edhe anonime duke u përfshinë vetëm me emrin e përbashkët grua”.

Gruaja në Kosovë ajo thotë se përkundër luftës së gjatë për pranimin e tyre si qenie të plota njerëzore dhe në pranimin e të drejtave të tyre themelore prapë mbetet e diskriminuar.

Disiplina e historisë gjinore shumë pak e zhvilluar

Shpend Avdiu, hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës thotë se historiografia shqiptare i ka kushtuar vëmendjen e duhur kontributit të gruas, duke pasur parasysh që sipas tij historiografia shqiptare pjesën më të madhe të saj ia ka kushtuar historisë politike dhe ushtarake. “Fatkeqësisht, historiografia shqiptare e ka shumë pak të zhvilluar disiplinën e historisë gjinore, historisë sociale dhe disiplinave tjera. Historiografia shqiptare në përgjithësi, për mendimin tim nuk ka pasur qasje seksiste”. Në anën tjetër në institucionet shkencore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ai thotë se gratë kanë qenë pjesë e këtyre institucioneve. “Po të shikohet me kujdes, historiografia shqiptare i ka dhënë një vend të merituar kontributit gruas, e ne do t'i përmendnim disa gra që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare, dhe që historiografia iu ka dhënë vendin e merituar, si : Elena Gjikikes, Sevasti Qiriazit, Shote Galicës etj. Padyshim që ka shumë gra që nuk iu ka dhënë vendi i duhur në historiografinë shqiptare, por kjo nuk ka të bëjë veç me gratë, sepse edhe shumë burrave nuk iu është dhënë vendi i duhur”. Historiografia shqiptare, Avdiu thotë se ka qenë mjaft zemërgjerë sa i përket grave. Ai thotë kështu sepse mendon që me çdo kusht historiografia ka tentuar të paraqes kontributin e grave, por problemi siç shprehet ai qëndron diku tjetër, “ qëndron tek shoqëria, dhe jo veç ajo shqiptare, e cila shoqëri gjatë gjithë historisë ka qenë patriarkale dhe ashtu si gjithë shoqëritë tjera, e ka privuar gruan nga pjesëmarrja në shoqëri në sferën publike, dhe, si pasojë e kësaj, roli i gruas ka qenë shumë i vogël”.

Avdiu mendon se ndër arsyet pse rezultati i kauzës shqiptare ka çaluar është kjo, mospërfshirja e grave në sferën publike, sepse kur nuk funksionon gjysma e shoqërisë, është e pamundur të ketë suksesin që do e kishte gjithë shoqëria.

Historiani Shkodran Imeraj nga Instituti i Historisë së Kosovës thotë se librat e historisë të cilat përdoren nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës janë të pasqyruara vetëm disa nga segmentet e historisë së popullit shqiptar.

“Krahas temave historike që trajtohen nëpër tekste e historisë, aty trajtohen edhe disa nga veprimtarët e dalluar të çështjes kombëtare shqiptare ; si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi e shumë e shumë të tjerë. Krahas tyre aty do të mund të hasim të dhëna edhe për disa veprimtarë të çështjes kombëtare si Shote Galica, Motrat Qiriazi..etj.  Është evidente se roli i burrave në historinë e popullit shqiptar është më i madh sesa ai i grave. Mendoj se trajtimi i historisë së grave nëpër tekste të historisë në vendin tonë nuk është i mjaftueshëm, andaj mendoj se ka vend që kontributi i grave apo i gjinisë femërore duhet të pasqyrohet edhe më tepër”, ka thënë Imeraj për “Zërin”.   

Ndonëse kanë ndërruar jetë si intelektuale dhe luftëtare në kohët më të vështira, fatkeqësisht nuk janë parë të denja që as universitetet apo ndonjë institut të mbajë emrin e tyre në Kosovë.

Marie Shllaku, shkrodranja që u flijua për Kosovën dhe u pushkatua në moshën 20 vjeçare, Motrat Qiriazi për dyzet vjet me radhë arsimuan dhe emancipuan një shoqëri të prapambetur, Elena Gjika, shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare, Mbretëresha Teutë, Shotë Galica, luftëtare ...

Kurse të gjitha universitetet janë të emërtuar me emra të veprimtarëve burra; burrave Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.

 

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim –ATRC.