Si i referohet gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë

Aktuale December 12, 2017 - 22:09

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Sela në një intervistë për Zërin e Amerikës flet për çështjet aktuale me të cilat përballet Maqedonia, qeveria dhe partitë politike në vend.

Ai ka thënë se mbetet shqetësues përcaktimi i gjuhës shqipe në kushtetutë që sipas tij, është qesharak dhe ofendues, si në referencën: “gjuha të cilën e flasin më shumë se njëzet për qind e popullatës dhe e ndryshme nga gjuha maqedonase”, ndërsa shpreson se në një fazë tjetër kjo të rregullohet me kushtetutë.

Sela e përshëndeti deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev për një hetim ndërkombëtar të ngjarjes së Kumanovës. Ai tha se edhe partia e tij ka kërkuar një hetim ndërkombëtar, por se para kësaj duhet të tregohet gatishmëria kur avokatët mbrojtës kërkojnë që figura të ndryshme politike të dalin si dëshmitarë. Sipas Selës, incidenti u gjykua me shumë tendencë:

“Dihet se kush mund të jenë organizatorët: janë ish-regjimi i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së; tash mbeten të gjenden aktorët brenda atij regjimi”, tha ai.

“Është e vështirë – tha Sela, – që në këtë fazë të kemi një gjyqësor të depolitizuar dhe kjo varet shumë edhe nga aktorët politikë. Ngelet shqetësuese që reformat në drejtësi dhe vendosja para drejtësisë të njerëzve të inkriminuar e të korruptuar të shikohet në bazë të linjës etnike. Për shqiptarët e Maqedonisë është shqetësuese që ka përgjegjësi vetëm për politikanë maqedonas ndërsa politikanë dhe funksionarë aktualë nga blloku politik shqiptar po mbrohen nga qeveria aktuale”.

I pyetur mbi çështjen e projekt-ligjit për gjuhën shqipe, kryetari i Aleancës për Shqiptarët u shpreh pozitivisht për procesin që lidhet me përdorimin e saj. Ai tha se ligji, në mënyrë maksimale shfrytëzon të drejtën kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe.

Sela tha se gjuha shqipe do të jetë në të gjitha institucionet qoftë të pushtetit qendror apo atij lokal dhe se e drejta e përdorimit të saj do të realizohet në mënyrë të kënaqshme.

Në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët tha se referenca “Sllavomaqedonia” nuk mund të jetë e pranueshme për shqiptarët. Ai tha se qeveria e re e Maqedonisë i ka nisur mbarë marrëdhëniet me fqinjët, duke theksuar vizitën e parë të një kryeministri maqedonas në Kosovë:

“Raportet e mira fqinjësore do të japin kontribut të jashtëzakonshëm që të zgjidhen kontestet që i ka Maqedonia, qoftë sa i përket emrit, identitetit apo problemeve gjuhësore që i ka me Bullgarinë dhe shtetet përreth”.

I pyetur mbi kohezionin e partive shqiptare pas zgjedhjeve, sidomos mbi raportet e Aleancës për Shqiptarët me BDI-në, Sela tha se ato janë të rrënuara pas zgjedhjeve lokale, ndërsa shpreson se tryeza e partive politike parlamentare shqiptare do të funksionojë, sepse është një mekanizëm, sipas tij shumë i rëndësishëm për arritjen e barazisë së shqiptarëve në Maqedoni.

Ai thotë se deklarata e përbashkët e partive shqiptare ka ngelur në plan të dytë, gjë që ai e shikon me shqetësim, ndërsa thekson nevojën e angazhimit dhe realizimit të zotimeve që dalin nga deklarata.

Në lidhje me postin e ministrit të Shëndetësisë që e ka ushtruar një anëtar i ASH-së e që për disa javë ka mbetur i zbrazët, Sela thotë se partia ngul këmbë që ta ruajë këtë post. Kjo, – tha ai, – “është çështje dinjiteti dhe serioziteti”. Ai fajësoi BDI-në për zvarritjen e kësaj çështjeje, ndërsa mungesën e reagimit të duhur të kryeministrit Zaev e cilësoi si një “përpjekje për ta mbajtur shoqërinë shqiptare në monizëm”.

“BDI-ja ka për qëllim të zhvendosë debatin real që duhet të zhvillohet dhe LSDM-së i intereson një përçarje ndërmjet subjekteve politike shqiptare që të vazhdojë me projektet e saj”, tha Sela.

Ai tha se nëse do të ketë një riformatim të të gjithë qeverisë, atëherë kjo do të ishte e pranueshme edhe për ASH-në, por në të kundërtën nuk do të pranonte vetëm ndryshimin e pozicionit të ministrit të saj.