Suksesi i parë i Ramush Haradinajt: Zaev i bindet për hetim ndërkombëtar për rastin Kumanova

Aktuale December 12, 2017 - 15:25

Ramush Haradinaj ishte kryqëzuar nga analistët dhe opozita për 210 mijë eurot që ua kishte ndarë familjarëve të Grupit të Kumanovës, të cilët u dënuan me 746 vjet burg në Shkup. Pikërisht në ditën kur Gjykata në Shkup kishte shqiptuar dënimet drakonike, Haradinaj kishte dalë me një reagim duke kërkuar hetim ndërkombëtar. Këtë kërkesë e ka pranuar Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, sot, gjatë qëndrimit në Prishtinë, duke thënë se hetimi ndërkombëtar do ta zbardhte të vërtetën.

Zaev pas takimit me Haradinajn në Prishtinë sot në orët e mëngjesit, ka deklaruar se qytetarët duhet ta dinë “të vërtetën e plotë” lidhur me incidentin e armatosur në Kumanovë, i cili kishte ndodhur në maj të vitit 2015.

 “Kemi qëndrim të përbashkët se duhet të ketë një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe do të japin përgjigje në pyetjet, të cilat i meritojnë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë” ka theksuar ai.

“Ne, absolutisht e shohim këtë çështje si diçka që nuk guxon të jetë pengesë për përparimin e bashkëpunimit. Jemi të bindur që në interes të opinionit dhe për atë që paraqet nevojë të qytetarëve tanë, do të punojmë, në mënyrë që qytetarët ta dinë të vërtetën e plotë për këtë rast, për të cilin dihet se ka përfunduar tragjikisht në Maqedoni, ku janë vrarë policë”, ka shtuar shefi i Qeverisë së Maqedonisë.

Në incidentin e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, ishin vranë 8 pjesëtarë të forcave policore maqedonase dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, në të cilin ishin të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova.

Gjykata në Shkup muajin e kaluar dënoi me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e Grupit të Kumanovës. 7 dënime me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet.

Të martën, pas takimit me Zaev, Kryeministri Haradinaj për këtë çështje nuk ka komentuar fare, duke shtuar “nuk kam asgjë për të shtuar”.

Por, një reagim e kishte bërë më 3 nëntor në ditën Grupi i Kumanovës ishte dënuar me mbi 7 shekuj burg.

“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, kishte thënë Haradinaj

Ndërkohë vizita e Zaev ka kaluar në frymë pozitive edhe për cështje tjera.  Zaev ka theksuar se të dyja vendet, Maqedonia dhe Kosova, do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Haradinaj ka vlerësuar se Kosovën dhe Maqedoninë i lidhë orientimi euroatlantik i të dyja vendeve.

“Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet tona, pra, ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Zaev ka shtuar se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë biseduar për projektet e përbashkëta, për avancimin e komunikimit ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë. Siç ka theksuar Zaev, dy vendet kanë të nënshkruara 19 marrëveshje bilaterale dhe 16 dokumente të tjera, si dhe pritet të nënshkruan edhe 21 marrëveshje të tjera, me interes për qytetarët e të dyja vendeve.

Kreu i qeverisë së Maqedonisë ka folur edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Kosovës i nevojitet mbështetja e Maqedonisë në të gjitha këto procese. Por, njëkohësisht, ju e dini që edhe Republika e Serbisë është fqinje e jona. Kështu që, në kuadër të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, shpresojmë që zgjidhja e çështjeve do të bëhet në mënyrë bilaterale. Ne do të jemi këtu vetëm të ndihmojmë procesin ndërmjet dy vendeve”, tha Zaev.