Demarkacioni përplas ashpër kryeministrin Haradinaj me LDK-në

Aktuale December 07, 2017 - 12:49

Ende pa ardhur në rend dite çështja e demarkacionit me Malin e Zi, kanë filluar përplasjet në mes të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, dhe deputetëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri gjatë fjalimit të tij rreth shpalosjes së programit qeverisës insistoi se Marrëveshja aktuale me Malin e Zi është e gabuar dhe kërkoi nga deputetët që të vendosin kur kjo Marrëveshje të dalë për t’u votuar.

Por Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së e quajti të pakuptimtë se si Haradinaj e ngriti dorën në Qeveri që Marrëveshja, të cilën dikur e kishte kundërshtuar, të procedohet në Kuvend.

Duke u bazuar në këtë, deputeti i LDK-së tha se kryeministri zgjodhi që të fshihej pas raportit të Shpejtim Bulliqit dhe anëtarëve të tjerë.

Kreu i ekzekutivit u doli në mbrojtje anëtarëve të Komisioni të cilin vetë e formoi. Tha se asnjëri nga ta nuk janë palaço të rrugëve.

“Bulliqi nuk është palaço i rrugëve, nuk është Florim isufi e të tjerët të rrugës. Ju keni pasë njerëz të rrugëve me të cilët jeni mburrë. Mos ju shkaktoni barrë njerëzve që kanë marrë punë prej popullit”, iu kundërpërgjigj Haradinaj Hotit.

Madje, gjatë përplasjes se kush ka guxim dhe kush jo ta votojë Marrëveshjen aktuale me Malin e Zi, Haradinaj e quajti "të ngratë" ish-kryeministrin e Kosovës Isa Mustafën.

“Unë do t’i çoj proceset përpara e nuk do të veproj si ish-kryeministri ‘i ngratë’”, u shpreh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Tutje, kryeministri tha se Projektligji i Marrëveshjes së Demarkimit mund të kthehet mbrapa vetëm nëse deputetët nuk arrijnë ta mbyllin çështjen e demarkacionit, por insistoi se ai vetë nuk do ta bëjë, siç aludon ta ketë bërë Isa Mustafa.

Në seancën e sotme, teksa po vazhdon debati për Demarkacionin, nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, ka thënë se ai vetë, si deputet, do ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit, ashtu siç e voton edhe kryeministri.

Kujtim Shala i ka thënë kryeministrit Ramush Haradinaj se ai është i pari i Qeverisë dhe si i tillë, i pari duhet të sprovohet.

“Është totalisht e paqartë se si do të votojë kryeministri, si do të votojë subjekti i juaj. Unë ju garantoj se do të votoj ashtu siç votoni ju”, është shprehur deputeti Shala. /Express/