Pacolli: S'kemi humbur tokë, por do ta lexoj raportin e Bulliqit

Aktuale December 05, 2017 - 14:31

Behgjet Pacolli thotë se Kosova nuk ka humbur tokë. Për të, raporti i Shpejtim Bulliqit më shumë është marrë me formën sesa substancën.

Ndonëse e pranon se ende nuk e ka lexuar se çfarë saktësisht përmban ky dokument i komisionit për Demarkacionin, Pacolli për Express thotë se do ta lexojë tërësisht ditët në vazhdim.

Megjithatë, e bën të qartë se duhet ecur përpara me proceset.

Ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i ka komentuar të gjeturat e Komisionit të Demarkacionit me Malin e Zi, të prezantuara të hënën para Qeverisë, dhe vlerëson se Kosova nuk ka humbur territor. Ai thotë se për këtë nuk janë sjellë dëshmi.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, duke folur për Gazetën Express për këtë situatë, vlerëson se ajo që u prezantua dje ishte më shumë diskutim rreth formës sesa substancës.

“Nuk ka dëshmi se Kosova ka humbur territor. Ende nuk e kam lexuar materialin por këtë do ta bëj gjatë javës. Në shikimin e parë po më duket më tepër është folur për formën sesa substancën. Sidoqoftë Komisioni ka sjellë dokumentacionin, i cili duhet të lexohet, çka edhe do të bëj në ditët në vijim”, është shprehur kryetari i AKR-së.

Ndonëse ende nuk është caktuar se kur do të futet në rend dite votimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi, tashmë partitë politike kanë filluar të japin qëndrimet e tyre pas prezantimit të raportit.

Pacolli duke folur për votën e partisë së tij pro kësaj çështjeje ose jo, tha se pas analizës së dokumentit edhe do të vendoset, megjithatë thekson se duhet ecur para me proceset.

“Ta shohim çka paraqet dokumenti që e kanë sjell dje, sidoqoftë duhet të ecim përpara me proceset”, shtoi ai.

Pacolli edhe në vizitën e tij në Mal të Zi, si ministër i MPJ-së, e kishte bërë të qartë se ky shtet e quan të kryer çështjen e demarkacionit.

“Është një marrëveshje, e cila është nënshkruar dhe është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe kjo çështje praktikisht është punë e kryer për ta”, kishte deklaruar ai.

I pari i AKR-së kohë më parë kishte deklaruar se nëse dëshmohet përmes të gjeturave të Komisionit të ri se vendi humb tokë, vota e tij do të jetë kundër.

Pas prezantimit të të gjeturave nga Komisioni i Bulliqit para Qeverisë, projektligji së bashku me raportin, janë proceduar në Kuvend.

Sot pati mbledhje edhe Kryesia e Kuvendit. Pas këtij takimi, kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur rreth Projektligjit të Marrëveshjes së Demarkacionit, i cili shtoi se Kryesia nuk ka biseduar për Demarkacionin dhe se Projektligji, fillimisht diskutohet në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane për ta vendosur më pas ditën kur mbahet seanca.