Vizat, kryedështimi i 100-ditëshit të Haradinajt

Aktuale December 02, 2017 - 07:59

Në prag të 100-ditëshit të parë qeverisë “Haradinaj” si dështim kryesor i atribuohet mosliberalizimi i vizave brenda tre muajve, ashtu siç kishte premtuar shefi i ekzekutivit në fushatë, si dhe numri i madh i zëvendësministrave. Pakënaqësi në këtë drejtim kanë edhe partnerët e koalicionit qeverisës, ndonëse vlerësojnë se ka lëvizje pozitive në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj më 19 dhjetor të këtij viti pritet ta përmbushë 100-ditëshin e parë.

I ardhur në krye të ekzekutivit Hardinaj qysh në ditën e parë shkarkoi Komisionin për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (të drejtuar nga Murat Meha) dhe emëroi Komisionin e Ri (të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi).

Kryeministri aktual qysh para se të vinte në pushtet pati premtuar se do të sjellë ndryshime, duke ua siguruar qytetarëve të Kosovës liberalizimin brenda tre muajve qeverisjeje, por ani pse tremujori po ofrohet nuk ka kurrfarë lëvizjeje në këtë drejtim. Kështu konsiderojnë njohësit e këtij procesi, të cilët thonë se Qeveria aktuale nuk ka bërë aq sa ka premtuar për këtë periudhë kohore.

Ndërkaq përderisa ekspertët e sigurisë fajësojnë Qeverinë për mospunë drejt krijimit të ushtrisë, ata të çështjeve ekonomike thonë se kryeministri ka marrë disa vendime të drejta sa i përket fushës së ekonomisë.

Megjithatë, të njëjtit e kritikojnë kryeministrin për numrin e madh të zëvendësministrave, meqë kjo praktikë e rëndon tejet shumë buxhetin e shtetit.

Por, pavarësisht tërë këtyre, përfaqësuesit e koalicionit vlerësojnë se është duke u bërë një punë mjaft e madhe nga Qeveria. Por opozita, duke ironizuar, thotë se i vetmi “sukses” i Qeverisë mund të cilësohet emërimi i 101 zëvendësministrave.

Selmanaj: Puna e Qeverisë, jashtëzakonisht pozitive

Rasim Selmanaj, deputet nga partia të cilën e drejton kryeministri aktual Ramush Haradinaj (AAK), ka vlerësuar se Qeveria aktuale ka bërë një punë të madhe prejse ka ardhur në krye të detyrës. “Pas shumë viteve ka ardhur një kryeministër, i cili i ka ndërruar taktikat e punës. E dyta, ka ardhur një kryeministër që merr vendime që janë në favor të vendit dhe të qytetarëve dhe unë jo që i takoj kësaj partie, por punën e vlerësoj jashtëzakonisht pozitive dhe dëshiroj që kryeministri ta mbajë këtë ritëm të punës”, ka thënë ai, duke shtuar se janë më shumë se 20 vendime që tashmë janë marrë nga Qeveria.

Ndërkohë, duke folur rreth paralajmërimit të opozitës se do ta rrëzojë Qeverinë, ai ka thënë se Qeveria nuk do të ndalet së punuari. “I kemi 61 numra, sipas nevojës i kemi edhe 62. Ne vazhdojmë të punojmë, detyrë e opozitës është të thotë ne e rrëzojmë, ndërsa detyra jonë është të punojmë”, ka shtuar ai.

Haliti: Nuk mund të flas as mirë, as keq

Por kaq i prerë sikurse Selmanaj nuk është edhe deputeti i PDK-së (partner i koalicionit), Xhavit Haliti. Përkundrazi, ai ka thënë se duhet të pritet që të raportohet në seancë, meqë para kësaj nuk mund të jepet një vlerësim rreth punës së Qeverisë. “Unë nuk mund të flas as mirë, as keq në këtë rast, sepse nuk kam asnjë informacion përveç atyre që kanë dalë në medie”, ka deklaruar ai.

Haliti më tej, duke folur rreth vizave, ka thënë se një premtim i tillë është bërë qysh vite më parë. “Heqja e vizave është premtuar në vitin 2007 a 2008. Problemi është që zakonisht premtimet bëhen. Ne duhet ta analizojmë çka po thotë BE-ja dhe nuk mund të ndikojmë te Bashkimi Evropian. Vizat hiqen nëse ne i plotësojmë standardet dhe kushtet. I kemi obligim. Ka një vullnet të mirë nga Bashkimi Evropian për ta futur gjithë Ballkanin në BE, mirëpo është i vetmi vend në rajon Kosova që nuk e ka fituar liberalizimin”, ka thënë ai, duke shtuar se kosovarët e kanë në dorë liberalizimin e vizave.

Berisha: Prej qeverisë “Haradinaj” është pritur më shumë

Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka konsideruar se nuk mund të jepet një vlerësim për punën e Qeverisë meqë akoma nuk ka ndonjë raport nga ekzekutivi.

Megjithatë, ai ka thënë se prej qeverisë “Haradinaj” është pritur të bëhet më shumë. “Edhe prej kësaj Qeverie, por edhe prej të tjerave është pritur më shumë, por të them të drejtën nuk e kam përcjellë shumë angazhimin e tyre konkret”, ka theksuar ai.

Kurse sa i përket liberalizimit, që Haradinaj pati premtuar ta finalizojë si proces brenda tre muajve, Berisha ka thënë se një gjë e tillë është ditur se është e pamundur të realizohet. “Sa i përket liberalizimit të vizave, me keqardhje them që s’mund të pres që dikush për tre muaj të arrijë ta bëjë liberalizimin, mendoj që nuk është shumë korrekte, pavarësisht a ka folur Ramushi a kushdo qoftë, sepse çështja e liberalizimit më po dihet që është çështje e rëndë për qytetarët”, ka shtuar ai.

Bahtiri: Qeveria “fjalë pak, punë shumë”

Por ndryshe është shprehur nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri. Duke folur rreth punës së Qeverisë brenda këtij tremujori, Bahtiri ka thënë se ekzekutivi është duke punuar me metodën “fjalë pak, punë shumë”. Madje ai është shprehur i sigurt se Qeveria e tanishme do të jetë e suksesshme. “Ne u jemi bashkuar për t’i çuar proceset përpara dhe po besojmë që kjo Qeveri do të jetë e suksesshme për shumë arsye. Për arsye se e kemi vendosur interesin e qytetarëve para vetes, besoj që do t’ia dalim”, ka deklaruar ai për “Zërin”.  

Ndërkaq, duke folur rreth liberalizimit të vizave Bahtiri ka thënë se Qeveria është duke punuar mjaft në këtë drejtim, ani pse ka pranuar se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për tre muaj.

 

E megjithëse opozita vazhdimisht po zotohet se do ta rrëzojë shumë shpejt këtë Qeveri, nënkryetari i AKR-së bindshëm ka thënë se kjo Qeveri është stabile. “Opozita le të presë, sepse mjaft e kanë kaluar këtë fazën e emergjencave, çdo herë e kanë quajtur Kosovën si emergjencë. Ne do të punojmë shumë, do të jemi stabilë”, ka theksuar ai. 

 Selimi: Nuk pasur asgjë përtej veprimeve simbolike

 Pavarësisht tyre deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, duke folur rreth tremujorit të parë të qeverisjes “Haradinaj”, ka thënë se nuk mund të thuhet nëse kjo Qeveri ka bërë diçka të mirë apo të keqe. “Po i afrohemi tremujorit të qeverisjes ‘Haradinaj’, se a ka bërë mirë apo ka bërë keq qeveria ‘Haradinaj’ ndoshta mund të them se nuk e ka bërë as njërën as tjetrën. Normalisht që pritjet kanë qenë që kjo Qeveri të bëjë ndryshe nga ajo çfarë kanë bërë qeveritë e mëparshme, Mustafa e Thaçi”, është shprehur ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Selimi më tej ka thënë se nuk do të duhej që të pritej tre muaj që t’i shiheshin disa veprime, të cilat do të mundë të ndodhnin. “Ka pasur disa veprime, në këtë rast kanë qenë ndoshta simbolike dhe formale, të cilat ne i kemi mbështetur, por përtej veprimeve simbolike nuk ka bërë diçka që do t’ia faturonim ne si punë të rëndësishme Qeverisë së Kosovës në interes të qytetarëve të saj”, ka shtuar ai.

Madje, sipas tij, përveç një menaxhimi brenda objektit të Qeverisë, Kosova nuk është duke u menaxhuar fare jashtë atij objekti.

Haziri: Suksesi më i madh i Qeverisë, emërimi i 101 zëvendësministrave

E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, suksesin më të madh të qeverisë “Haradinaj” e ka cilësuar emërimin e numrit të madh të zëvendësministrave. “Suksesi më i madh i kësaj qeverie është që për 100 ditë i ka bërë 101 zëvendësministra dhe ka thyer rekordin e zëvendëskryeministrave. Asnjë proces përpara nuk e ka çuar”, ka nënvizuar ai. 

Haziri më tej, duke folur rreth rrëzimit të Qeverisë, ka thënë se pranvera është duke u ofruar. Pranverën si kohë për ta rrëzuar Qeverinë e kishin përmendur edhe më herët përfaqësuesit e opozitës. “Po vjen pranvera ngadalë-ngadalë. E rrëzon vetveten ajo, zakonisht në Kosovë kur është PDK-ja dhe AAK-ja e rrëzojnë vetë Qeverinë, s’ka nevojë t’ua rrëzojë askush. I mbledhin vetë nënshkrimet, e shpërndajnë Parlamentin, me dorë të vetë do ta shpërndajnë”, është shprehur ai.

Demhasaj: Nuk ka pasur ndonjë lëvizje drejt liberalizimit

Nga ana tjetër Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë se qeveria e Kosovës nuk i ka përmbushur disa premtime, për të cilat ishte zotuar se do t’i përmbushte sapo të vinte në krye të shtetit. Ani pse kryeministri pati premtuar liberalizimin, ende nuk ka kurrfarë shenje në këtë drejtim sipas tij. “Po flasim për tremujorin e parë të qeverisjes, është e vërtetë që premtimet kanë qenë që në tremujorin e parë do të jetë epilog liberalizimi i vizave, do të fillojë krijimi i ushtrisë dhe normalisht do të ketë zgjidhje të shumë problemeve. Dorën në zemër, ndoshta liberalizimi i vizave nuk ka asnjë sinjal deri më tani që tregon që diçka po ndodh pozitivisht në këtë aspekt, edhe pse është krijuar një Komision i Ri për Demarkacion. Ne po presim se çfarë raporti do të sjellë dhe pastaj çfarë epilogu do ta marrë versioni i vjetër i Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Pos liberalizimit, sipas Demhasajt, lëvizje pozitive nuk ka pasur as drejt krijimit të ushtrisë së Kosovës. Kritika po ashtu ai ka dhënë edhe sa i përket numrit të madh të zëvendësministrave të emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, pos këtyre, ka vlerësuar se janë bërë edhe disa veprime pozitive, siç është vendimi për Ligjin e Kryeqytetit. “Në anën tjetër janë marrë disa vendime, si Ligji për Prishtinën, ka qenë një vendim i mirë që është marrë nga Qeveria dhe është diçka pozitive, po ashtu është përmendur edhe vendimi për kthimin e pallatit të rinisë për shfrytëzim të Komunës së Prishtinës, edhe ky është një vendim pozitiv. Por diçka tjetër konkrete nuk është që ka pasur deri më tani”, ka përfunduar ai. 

Islami: Krijimi i ushtrisë, premtim elektoral

Ndërkaq Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se premtimet për bërjen e ushtrisë po bëhen vetëm gjatë fushatave, por jo edhe të ketë ndonjë veprim në atë drejtim.

“Gjatë fushatave për zgjedhje, qoftë qendrore apo parlamentare, kemi parë premtime marramendëse që faktikisht edhe vetë ai, po edhe të tjerët e dinë që është e pamundur dhe kështu ndodhi edhe në rastin e qeverisë “Haradinaj”, i cili kishte premtuar që brenda 100-ditëshit do të ketë së paku lëvizje në atë drejtim rreth formimit të ushtrisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Megjithatë, sipas Islamit, jo vetëm qeveria “Haradinaj”, por për cilëndo qeveri formimi i ushtrisë ka mbetur një çështje gati se e pazgjidhur.

Andaj, siç ai është shprehur, duhet të punohet jashtëzakonisht shumë me ndërkombëtarët në mënyrë që ata t’i bindin serbët që të formohet ushtria (meqë nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë për t’i bërë ndryshimet kushtetuese).

Limani: Qeveria zgjodhi shumë çështje ekonomike që qeveritë e kaluara nuk mundën

Pavarësisht tyre Musa Limani, njohës i çështjeve ekonomike, ka vlerësuar se qeveria “Haradinaj” ka punuar në disa drejtime sa i përket fushës së ekonomisë. “Çështja e KEK-ut, përkatësisht e Mijes sipërfaqësore të Hades, të cilën Qeveria paraprake me vite nuk mundi ta zgjidhë, Kryeministri aktual këtë problem e zgjodhi brenda 2-3 ditësh. Qeveria aktuale që në ditët e para bëri lehtësira në disa instrumente të politikës fiskale në favor të bizneseve vendore, duke i favorizuar ato në veprimtarinë e tyre. Aprovoi Ligjin për Prishtinën, që me vite e vite nuk ishte zgjidhur kjo çështje me rëndësi për kryeqytetin. Pezulloi shitjen e tokave bujqësore, që ishin pronë e kooperativave bujqësore të dikurshme, që do t'u jepen në disponim komunave për sigurimin e lokacionit të investitorëve, qofshin vendorë apo të huaj”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, ai ka konsideruar se numri i madh i zëvendësministrave të emëruar nga kjo qeveri paraqet ngarkesë për buxhetin e Republikës së Kosovës.