Haziri zbulon pllakën përkujtimore në ish-burgun e Gjilanit

Aktuale November 28, 2017 - 16:24

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga zyrtarët komunal kanë vizituar  burgun famëkeq të Gjilanit me ç’rast kanë zbuluar pllakën përkujtimore në këtë objekt famëkeq.

“Në shenjë respekti, rezistence dhe sakrifice që shumë të burgosur politik kanë kaluar pjesën më të vështirë të jetës në këtë burg famëkeq që nga viti 1957, ne po bëjmë vizitë në kuadër të festës së madhe të Flamurit Kombëtar. Ideali i të burgosurve politik asnjëherë nuk është ndalur përkundër vuajtjeve dhe torturave që një pjesë e tyre edhe kanë ndërruar jetë si pasoj e asaj dhunë të ushtruar mbi ta gjatë procesit të hetimeve dhe vuajtjes së dënimit. Ideali i të burgosurve politik asnjëherë nuk është minimizuar, por gjithmonë ka qenë një frymëzim edhe më i fuqishëm për gjenerata të tëra, për të luftuar deri në çlirimin përfundimtarë të vendit”, ka thënë kryetari Haziri, i cili një periudhë të gjatë kohore ka kaluar edhe vet në këtë burg, si i burgosur politik.

Ai më tej ka potencuar se Komuna e Gjilanit është është në fazën kur do ta bëjë rrënimin e këtij objekti, përveç pjesës që në marrëveshje me Shoqatën e të Burgosurve Politik, do të ruhet me qëllim që gjeneratat e ardhshme ta shohin një pjesë të rrugës së vështirë nëpër të cilën kanë kaluar një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve anë e kënd Kosovës.

Ndërsa Ahmet Isufi, ish i burgosur politik, e quajti këtë vend të torturave e të trishtueshëm për shumë të burgosur nga e gjithë Kosova.