LDK: Abrashit iu cenua e drejta për rinumërim, nuk po e kuptojmë frikën e VV-së

Aktuale November 27, 2017 - 16:31

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje të kryesisë për të diskutuar rreth rezultateve që dolën në Prishtinë dhe Istog, pas numërimit të votave me kusht dhe votave përmes postës. Kjo parti vazhdon të refuzojë rezultatin që nxori Shpend Ahmetin fitues, pa u rinumëruar votat.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka treguar se kryesia u mblodh për të diskutuar rreth vendimit që do të marrë kjo parti pasi Gjykata Supreme refuzoi rinumërimin e votave në Prishtinë.

“Ne mendojmë se është cenuar e drejta e kandidatit tonë Abrashi për rinumërim të votave. Një e drejtë demokratike për të parë a është fitorja ashtu siç është. Nuk po mundemi të kuptojmë frikën e VV-së për rinumërimin të votave”, është shprehur anëtari i kryesisë së LDK-së.

“Neve po na habit frika e Vetëvendosjes për rinumërim, nëse do të ishin të sigurt për fitore, nuk do të kishte hezitim që vota me u rinumëru”, ka thënë Muhaxheri.

Ai tregoi se edhe nesër do të mbahet një mbledhje, ku do të shqyrtohet edhe me zyrtarë ligjorë të Lidhjes Demokratike për hapat që do të ndërmarrin.

Ndërsa, LDK-ja pret që organet shtetërore të hetojnë rreth votave me postë në Istog që, sipas kësaj partie, janë fryt i manipulimeve të mëdha nga AAK-ja.

“PZAP-i i ka me qindra argumente ku shihen se kanë votu njerëzit e vdekur në Istog”, ka thënë Muhaxheri.