Përplasje mes Haxhiut e Osmanit

Aktuale November 23, 2017 - 11:30

Ani pse në seancë mbeten vetëm dy partitë opozitare, LVV e LDK (pas daljes së PAN-it nga salla), deputetët e tyre vazhduan akuzat dhe replikat mes vete.

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, gjatë seancës së sotme, kërkoi që të hetohen të gjitha vrasjet e aktivistëve të LDK-së pasluftës, raporton zeri.info.

Gjatë fjalës së tij, ai hodhi akuza edhe në drejtim të LVV-së, me ç’rast ka thënë se në Kamenicë koalicioni është i lidhur me Listën Serbe.

“Në Kamenicë është koalicioni me Listën Serbe. Ju kemi ndihmuar në disa komuna, nuk jemi pishman. Por duhet të sillemi në mënyrë intelektuale”, tha ai.

Menjëherë pas kësaj, reagoni deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, e cila i bëri thirrje këtij subjekti që të deklarohet haptas dhe të japë nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut.

Ajo po ashtu, e akuzoi LDK-në për moszbardhje të këtyre rasteve sa ishte në qeveri.

“Ju keni qenë në qeveri në tri vitet e fundit. Pse nuk ndërmorët veprime për t’i hetuar vrasjet e aktivistëve të LDK-së dhe aktivistëve tjerë? Unë sot po iu bëj thirrje publike që t’i jepni nënshkrimet për hetimet e SHIK-ut? Ne i kemi nënshkrimet në zyrën e LVV-së. Pse po hezitoni t’i jepni nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut?”, deklaroi Haxhiu.

Më tej, rreth vrasjeve të pasluftës foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, me ç’rast vlerësoi se shumë shpejt do të vijë koha kur të gjitha këto vrasje do të zbardhen./Zeri