S'do të ketë takim ndërmjet Kryeministrit Haradinaj dhe Kryetares së Gjykatës Speciale të enjten

Aktuale November 21, 2017 - 18:03

Kryetarja e Gjykatës Speciale do të vijë të enjten në Kosovë, por, asnjë lider nuk do të takohet me të. Në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj thonë se gjyqtarja nga Haga nuk ka bërë kërkesë për takim.

Më datën 23 nëntor për herë të parë vjen në Kosovë, kryetarja e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Por, ajo nuk do të pritet, në fakt nuk ka në agjendë të saj, takime me krerët e lartë shtetërorë.

Trendafilova pritet që të flas me shoqërinë civile, ku do të pranojë edhe pyetje.

Kjo Gjykatë është krijuar për të hetuar pretendimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Por, nuk dihet as kur do të ngreh aktakuzat e para, dhe as kush do jenë të akuzuarit.

Në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj kanë thënë për Gazetën Express se më 23 nëntor, Ramush Haradinaj nuk e ka në agjendë takimin me Trëndafilovën. Kjo sepse kryeministrit nuk i është kërkuar ndonjë takim.

“Kryeministri i Kosovës nuk e ka në agjendë takimin me znj. Trendafilova për arsye të thjeshtë, sepse nuk ka kërkesë nga zyra e saj për takim”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.

Për Presidentin, zyra e tij thonë se Hashim Thaçi do të qëndrojë deri në fund të javës në Kanada.

“Presidenti Hashim Thaçi gjatë kësaj javë do të zhvilloi takime të shumta me përfaqësuesit më të lartë të këtij Kanadasë. Presidenti Thaçi nuk do të ketë takim me znj. Trendafilova, meqë një gjë e tillë nuk është kërkuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së Thacit.

Agjenda e tij, përkatësisht udhëtimi i tij i gjatë për më shumë se një javë në shtetin kanadez ka qenë i paracaktuar muaj më parë.

Trendafilova deri më tani është konfirmuar se do ta takojë vetëm Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe përfaqësues të Odës së Avokatëve.

Këta që do ta takojnë presin që me Trendafiloven të bisedojnë dhe të informohen rreth institucionit që ajo udhëheq.