Komuna e Prishtinës dha edhe një leje të kundërligjshme për biznesmenin Kryeziu

Aktuale November 21, 2017 - 17:26

Zyra e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës ka lëshuar dy leje të ndërtimit të kundërligjshme për kompaninë “Royal” shpk, pronë e djemve të biznesmenit, Latif Kryeziu.

“E ndalëm krimin ekonomik”, ka qenë fjalia më e shpeshtë e Shpend Ahmetit, si kryetar i Prishtinës për katër vite. Por, gjatë këtij mandati Komuna që ai e drejtoi dha leje të ndërtimit të kundërligjshëm, madje edhe për ato ndërtime të kompanive që janë të përfshira në procese gjyqësore në rastin dhjetë Inspektorëve të Komunës së Prishtinës, rast ky që është ende në gjykim.

Gjatë këtyre viteve, Ahmeti ishte përmendur për afërsi të madhe që ka pasur me biznesmenë të ndryshëm, si Devollët, Destani (Lazim Destani) e Pacollët, por favoret në kryeqytet po i bëhen edhe një biznesmenit të madh, Latif Kryeziut.

Lajmi.net ka gjetur se ish drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, më 23 mars 2017 ka nënshkruar leje të ndërtimit të kundërligjshme për kompaninë “Royal” shpk.

Kjo kompani në fillim të këtij viti mori leje në lagjen “Lakrishtë” për objektin administrativë-bankë të etazhitetit 4B+S+P+11, derisa taksat për këtë leje kanë kushtuar 513 mijë e 729 euro.

Planin e godinës e ka bërë një kompani që është e afërt me shokun të ngushtë të kryetarit Ahmeti dhe bashkëshortes së tij.

“I lejohet pronarit, Mustafe Havolli nga Prishtina dhe investitorit “ROYAL” sh.p.k nga Prishtina, me certifikate te regjistrimit te biznesit nr. 70758393 dhe me pronarë Arber dhe Lulzim Kryeziu nga Prishtina, ndërtimi i Kompleksi “ROYAL CITY CENTER” me Ndërtesë administrative – Banke (ndërtesa “A”, “B” & “C”), me hapësira përcjellëse, si dhe me etazhitet 4B+ S+P+11, në kuadër të bllokut urban “C-4” te tërësisë “C” të Planit Rregullues së “Lakrishtës” dhe Planit Zhvillimor Urban në Prishtinë, konkretisht në kuadër të parcelës kadastrale nr. 7159- 0, evidentuar në certifikatën e njësisë kadastrale P-71914059-07159-0 ZK Prishtine”, thuhet në lejen e ndërtimit të lëshuar në mars të vitit 2017.

Meqë, leja është lëshuar sipas Planit Rregulles “Lakrishtë”, lajmi.net e ka parë këtë plan urban, dhe zona për të cilën është lëshuar leje ndërtimi nuk lejon etazhitet më të lartë se sa P+7, ndërkohë leja është lëshuar për P+11, ose shumë kate mbi dokumentin ligjor të aprovuar në Kuvendin e Komunës së Prishtinës në vitin 2007, gjë që përbën precedent penal. Konkretisht, në leje të ndërtimit, thuhet se ajo është lëshuar për bllokut urban “C-4” të tërësisë “C”, dhe sipas Planit Rregulles në këtë zonë “Lejohet: Ndërtimi i objekteve me etazhitet deri në P+7 me destinim të përzier (tregti, administratë dhe biznes në përdhesë dhe kat, si dhe banim rezidencial me minimumi 150m² sipër) me hapësirat përcjellëse për banorë”.

Lajmi.net ka kërkuar sqarime dhe nga zyra për informim e Komunës së Prishtinës, lidhur më atë se, si ka ndodhur që është lëshuar leje ndërtimi në një vend që, sipas Planit rregullues parashihen etazhe më të ulëta. Por, kjo zyrë ka refuzuar të përgjigjet.

Para disa javësh, lajmi.net ka raportuar se, më 16 shtator 2015, drejtori Liburn Aliu i ka lëshuar leje të ndërtimit kompanisë “Royal” shpk në kundërshtim me Planin Rregullues Mati1, ose për më shumë etazhe se sa e lejon dokumenti ligjor i Komunës. Lidhur më këtë, kompania dhe Komuna e Prishtinës kishin refuzuar të përgjigjeshin (Lexo këtu)

Sikurse për ndërtesën në “Mati 1”, edhe në goditën admistrative-bankë, hartimin e projektit kryesor e ka bërë kompania “Rraci Ark Ing”. Pra, kjo kompani e ka bërë planin e ndërtesës në kundërshtim më Planin rregullues.

NSH “Rraci Ark Ing” nga Graçanica e ka për pronarë Kreshnik Rraci, i cili edhe po udhëheqë punët e ndërtimit në dy ndërtimet të “Royal”. (Shih këtu)

Lajmi.net ka gjetur se ky arkitekt është shok i pandashëm me ish drejtorin e Financave, Visar Berisha. Ndërkohe, ish drejtori Berisha e kryetari Ahmeti kanë qenë edhe ortak në një, biznes- kafe bar “Filikaqa”.

Kreshnik Rraci dhe ish drejtori i Komunës, Visar Berisha

Një kompani e Visar Berishës dhe bashkëshortes së Ahmetit, figuron aktive në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës -ARBK. Kompania “Plus Solutions Kom” ka për pronarë Visar Berisha, Kreshnik Berisha dhe Ardiana Gjinolli.

Kryetari, Shpend Ahmeti ka thënë për lajmi.net se ky biznes i bashkëshortes së tij ka vite që nuk është aktiv. “Një kompani e tille nuk ekziston nga viti 2005, shume para se me hy unë ne politike. Mos humbni kohe me këto shpifje koti se janë informata publike. Verifikimi i pasurisë time dhe deklarimeve është bere disa here nga AKK”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.

Ndërkohë, Zyra e Informimit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në kuadër të së cilës është ARBK, nuk ka kthyer përgjigje lidhur më atë se pse kompania Plus Solutions Kom”, figuron aktive.

Kompania “Rraci Ark Ing” ka arritur që të marrë disa leje për “Royal” në Komunë për hartimin e projekteve që i ka bërë këtij biznesi.

“Royal” është pajisur me leje të nderimit më 1 tetor 2015 edhe për objektet shumë banesore 2B+S+P+8, 2B+S+P+8, 2B+S+P+7. Leja ka kushtuar 374 mijë e 595 euro. Hartimin e projektit kryesor për objektin investiv e ka bërë NSH “Rraci Ark Ing” .

Më 30.06.2016 kompania “Al Petrol”, me përfaqësues drejtorin Arbër Kryeziu është pajisur me leje të përkohshme për pompën e derivateve të naftës e cila gjendet në Çagllavicë. Edhe në këtë leje projektues është “Rraci…”. Lidhur më këtë leje lajmi.net pati raportuar para disa muajve se leja është lëshuar në zonën gjelbëruese.

“Rraci …”, është projektues edhe i disa lejeve tjera. Edhe i kompanisë “IN ON” sh.p.k e cila është pajisur me leje të ndërtimit në vitin 2016 nga Komuna për objektin 2B+S+P+11 që po ndërrohet në lagjen e Muhaxherëve.

“Rraci ARK ing”, në Komunën e Prishtinës është pjesë e lejeve të ndërtimit nga viti 2015 e këndej, pasi që në lejet e publikuara deri në vitin 2012, nuk shihet që ka bërë ndonjë projekt.

Situacioni për ndërtesën admistarivë 4B+S+P+11 në “Lakrishtë”

Image

Image

 

 

Image

Image