Pas SHBA-së mund të përfshihet edhe Rusia në dialogun Kosovë – Serbi!
Kërkesa e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në mes Kosovës dhe Serbisë, po konsiderohet si veprim i duhur nga ana e njohësve të çështjeve politike në vend.
Azem Vllasi, avokat dhe njohës i çështjeve politike në vend, vlerëson se është ide e mirë kërkesa e kryeministrit Haradinaj, veç se gjenë vërejtje për mënyrën e adresimit të saj. Sipas tij, këtë kërkesë Haradinaj do duhej t’ia përcjellte në mënyrë të drejtpërdrejt SHBA-së, e jo përmes Brukselit.
“Si ide është e mirë vetëm se për këtë çështje kryeministir Haradinaj do duhej t’i drejtohej amerikanëve e jo Brukselit”, ka deklaruar ai për “Gazeta Blic”
Duke ndarë merita për kontributin e SHBA-së në pavarsimin e vendit, Vllasi nuk e sheh si të pamundur edhe përfshirjen e Rusisë në dialogun e Brukselit, e cila sipas tij mund të ndodh me kërkesë të Serbisë, pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj.
Azem Vllasi, avokat dhe analist politik
“Tani kur Haradinaj kërkon që të përfshihet SHBA-ja në bisedimet në Bruksel nuk duhet parë si jo të mundur që edhe Serbia të kërkojë nga Rusia përfshirjen e saj në dialog dhe në këtë situatë komplikohet problemi, ndërkaq bisedat ne Bruksel janë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Amerikanët kanë qenë të kyçur në fazën kryesore kur kanë qenë bisedat me Serbinë për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Vienë nën kryesimin e Marti Ahtisarit që ishte i deleguar nga SHBA-ja. Pasi që është zgjedhur statusi i Kosovës, vetëm amerikanët kanë insistuar që të bartët dialogu në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës si shtet dhe Serbisë si shtet”, ka thënë Vllasi.
Ndryshe, në fillim të kësaj jave Haradinaj ka thënë se pjesëmarrja e SHBA-së është qenësore për t’i çuar bisedimet përpara.
“Roli amerikan është i nevojshëm për paqen”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Reuters. “Rolin e Amerikës në tavolinë e shohim si nevojë thelbësore”. Bisedimet, do duhet përfunduar me njohje reciproke të shtetësisë “mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.
Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me lehtësim të Bashkimit Evropian që prej vitit 2011./