Detaje rreth vizitës së shefes së Speciales në Kosovë
Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Dhomave të Specializuara, javën e ardhshme do ta vizitojë për herë të parë Kosovën. Zyrtarë të Speciales kanë thënë për “Zërin” se Trendafilova do të ketë takime me zyrtarët kryesorë të Kosovës, do të takojë përfaqësues të shoqërisë civile, etj. Në anën tjetër analistët politikë në vend vlerësojnë se pas kësaj vizite do të ngrihen aktakuzat e para
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, apo siç njihet ndryshe Gjykata Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjatë javës së ardhshme për herë të parë pritet ta vizitojë Kosovën.
Zyrtarë të këtij institucioni të drejtësisë kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se Trendafilova gjatë vizitës së saj do të zhvillojë takime dypalëshe me zyrtarët kryesorë të vendit, si dhe do t’i takojë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët do t’i informojë për zhvillimet e fundit dhe për veprimtarinë e Speciales.
“Gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë javën e ardhshme kryetare Trendafilova do të ketë takime dypalëshe të rëndësishme me zyrtarë dhe me organizata shtetërore, si edhe do ta mbajë një fjalë në një veprimtari informuese dhe ndërgjegjësuese për organizatat e shoqërisë civile, të cilat do t’i informojë për të rejat më të fundit në lidhje me veprimtarinë e Dhomave të Specializuara”, ka thënë për “Zërin” Avis Bennes, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, por pa dhënë detaje se me cilët zyrtarë do të takohet Trendafilova.
Pas vizitës, aktakuzat
Ndërkohë njohës të çështjeve juridike ardhjen e Trandafilovas në Kosovë e shohin si një paralajmërim që shumë shpejt do të ndodhë edhe ngritja e aktakuzave të para ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së.
Haki Abazi, analist politik, ka thënë për “Zërin” se nuk duhet të përzihet lufta e UÇK-së me aktakuza ndaj individëve të caktuar. “Procesi i konsolidimit të Dhomave Speciale ka përfunduar dhe është krejt e natyrshme që të pritet veprim në ngritjen e aktakuzave dhe një gjë e tillë është e mundur të bëhet shpejt. Ky është një proces shumë i ndërlikuar nga vetë fakti që është pranuar që kjo gjykatë të sjellë para drejtësisë vetëm pjesëtarë të një grupi etnik, në këtë rast shqiptarë. Gjithashtu është komplekse çështja që duhet me kujdes të trajtohet, sepse nuk duhet përzier luftën e UÇK-së me aktakuzat ndaj individëve të caktuar”, ka thënë Abazi, duke shtuar se kjo është arsyeja e vizitës së Trendafilovës në Kosovë.
Edhe Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike, thotë se është momenti i fundit i ngritjes së aktakuzave të para nga Prokuroria Speciale. “Bashkësia Ndërkombëtare e zvarriti aq shumë dhe tash është momenti i fundit që kjo gjykatë ta fillojë punën e saj, së pari Prokuroria, pastaj edhe Gjykata dhe të dihet një herë e mirë dhe të spastrohet edhe ajo që quhet kauzë dhe e drejtë e UÇK-së”, tha Baraliu.
Po ashtu ai vetë ardhjen e Trandafilovas e sheh si paralajmërim dhe se në momentin më të përshtatshëm do të ngrihen edhe aktakuzat e para. “Vetë ardhja e saj në Kosovë tregon që edhe paralajmërimet tjera, edhe indikacionet që janë dhënë e konferencat për shtyp se kjo gjykatë tashmë është e gatshme dhe se në ndërkohë, në momentin më të përshtatshëm që e mendojnë ata, pritet të ngrihen aktakuzat e para”, përfundoi Baraliu.
Hapat drejt ngritjes së aktakuzave
Ndryshe Gjykata Speciale, apo siç njihet zyrtarisht Dhomat e Specializuara të Kosovës, këtë muaj kanë bërë një hap para drejt fazës së ngritjes së aktakuzave të para.
Më 6 nëntor, me miratimin e kryetares Ekaterina Trendafilova, pas këshillimeve me gjykatësit, administratorja dr. Fidelma Donlon, ka nxjerrë Direktivën për Mbrojtësit, e cila ka hyrë në fuqi. Kjo Direktivë për Mbrojtësit përcakton kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve. Vetëm mbrojtës që i përmbushin kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve mund të emërohen ose të caktohen prej administratores për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve ose të një grupi viktimash”.