Ballkani kaplohet nga moti i lig

Aktuale November 14, 2017 - 22:32

Borë në Bosnje dhe Kroaci, rrezik nga vërshimet në Mal të Zi.

Reshjet e borës në Bosnje dhe Hercegovinë kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në pjesën më të madhe të rrugëve në vend dhe në rajonet malore.

Reshje të borës pati edhe në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë dhe autoritetet aktivizuan metro-alarmin e verdhë në kryeqytet dhe pjesën më të madhe të territorit të Bosnjës.

Meteorologët kanë paralajmëruar se reshjet e borës pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, shkruan rtv21.tv Në Kroaci, për shkak të stuhisë se fuqishme është mbyllur për qarkullim auto-rruga A1 dhe magjistralja e Adriatikut.

Për shkak të kushteve ekzistuese, autoritetet kanë ndaluar edhe qarkullimin e kamionëve me rimorkio në shumë rrugë të vendit.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë 48 orëve të fundit kanë bërë që të rritet dukshëm niveli i ujërave të lumenjve në Mal të zi, me autoritetet që njoftuan se niveli është rritur për disa metra.

Meteorologët kanë njoftuar se reshje të shiut do të ketë edhe gjatë dy ditëve në vijim, por me një intensitet më të dobët.

Në Slloveni reshje të borës pati në jugperëndim të vendit, ndërsa në viset bregdetare po fryjnë erëra me një shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.