‘Askush nuk është shkarkuar pa arsye’

Aktuale November 12, 2017 - 22:21

Ka dy muaj që kur Qeveria Hardinaj ka filluar qeverisjen në shtetin e Kosovës.

Pas një mocioni të ngritur nga partitë opozitare për rrëzimin e qeverisë së kaluar, vendi u vu drejt zgjedhjeve parlamentare që edhe sollën ndryshime të mëdha sa i përket udhëheqjes së vendit.

Është pikërisht lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i cili u vendos në krye të vendit, si kryeministër i Kosovës.

Haradinaj, punën e tij e filloi me shumë vrull kështu duke bërë edhe largimin e disa personave nga postet të cilat gëzonin si dhe ndryshimin e përbërjes së shumë komisioneve të rëndësishme për vendin.

I kontaktuar nga Indeksonline, Avni Arifi, këshilltar politik dhe Shef i stafit të Haradinajt, ka theksuar se suksesi më i madh i kësaj Qeveri është përballje me të gjitha problemet që ka vendi.

Sipas tij, Qeveria Haradinaj nuk po i zgjedh problemet më të lehta apo cilat çështje i pëlqejnë atyre por që përballja është e drejtpërdrejtë.

“Marrëveshja me banorët e Shipitullës dhe ikja dramatike nga kriza energjetike, dinamizmi i punës, shumëfishimi dhe rivendosja e vendimmarrjes, rifillimi dhe rivendosja në binarë të duhur të shumicës së proceseve janë aspekte që e bëjnë ndryshimin”, ka thënë Arifi, shkruan Indeksonline.

Ai ka cekur gjithashtu se së shpejti bëhen 100 ditë të qeverisjes Haradinaj dhe se aty do të shihen veprimet e bëra nga kjo qeverisje.

“Asnjë njeri nuk është shkarkuar e i cili shkarkim nuk është i lidhur me performancën”, ka thënë Arifi, përderisa është pyetur në lidhje me shkarkimet që ka bërë Haradinaj përgjatë kësaj periudhe dymujorëshe.

Ndër të tjerash Arifi është pyetur edhe për dy proceset më të rëndësishme të vendit, atë të liberalizimit të vizave si dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcën e Armatosur të Kosovës, ku ka theksuar se këto procese do të përmbyllen në periudhën më të afërt.

“Nuk preferoj prognozimin por thellësisht besoj se këto procese do të përmbyllen shumë më shpejtë se sa shumë mendojnë”, ka përfunduar Arifi.

Duhet përkujtuar që çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të lidhet ngushtë me demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Ndërkohë është pikërisht Komisioni i demarkacionit me Malin e Zi që pritet të vazhdojë punën dhe në fund të dalë me përfundimet e këtij procesi që po vazhdon të mbajë vendin pezull bashkë me luftimin e korrupsionit si dhe krimit të organizuar.

Janë përfaqësuesit e huaj ata të cilët kanë vazhduar të përsërisin se demarkacioni duhet të ketë zgjidhje sa më të shpejtë që të jetë e mundur nga institucionet e vendit.