Lista Serbe vazhdon të jetë pengesë për krijimin e ushtrisë

Aktuale November 10, 2017 - 08:03

Ndonëse transformimi i FSK-së në FAK po premtohet për vite të tëra, Kosova ende po vazhdon të mos e ketë ushtrinë e saj. Përkundrazi, pavarësisht zotimeve të politikanëve se së shpejti do të ndodhë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), këtë proces po vazhdon ta bllokojë Lista Serbe, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kjo meqë për të ardhur deri te krijimi i ushtrisë (për t’i votuar ndryshimet kushtetuese), pos votave të shumicës, nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë.

LEXO EDHE: Ymeri: Zgjedhjet parlamentare, vitin tjetër

Mirëpo përfaqësuesit e Listës Serbe tashmë janë deklaruar disa herë se nuk do ta mbështesin formimin e ushtrisë. Madje për një zotim të tillë ata kanë marrë kurajë edhe nga Serbia e Rusia. Por, pavarësisht kësaj, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se janë duke punuar intensivisht drejt bërjes së ushtrisë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës kanë konsideruar se zvarritja e këtij procesi ka të bëjë me pazotësinë e institucioneve që ta arrijnë një dakordim me partnerët strategjikë. Kurse ekspertët e sigurisë thonë se problemi kyç i mosbërjes së ushtrisë ka të bëjë pikërisht me qëndrimet (kundër) të LS-së.

Vllahiu: Qeveria po punon intensivisht drejt bërjes së ushtrisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se Qeveria është duke punuar drejt formimit të ushtrisë, porse, sipas tij, ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për këtë. “Qeveria e Kosovës po punon seriozisht në çështjen e transformimit të FSK-së në FAK, si procesi më i rëndësishëm në këtë periudhë. Qeveria e Kosovës po punon intensivisht që transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të jetë një hap i përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por nuk është i ndërlidhur me datë të kufizuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Vllahiu më tej ka thënë se ky proces do të përmbyllet në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet vendore, NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. 

Zheleznjak: Hyrja e serbëve në Qeveri ndihmon në pengimin e ushtrisë

Megjithëkëtë Lista Serbe po vazhdon të jetë kundër formimit të ushtrisë. Ditë më parë përfaqësuesit e këtij subjekti kanë kërkuar që të anashkalohet ushtria. Ata madje për qëndrimet e tyre kanë gjetur mbështetje edhe tek Serbia e Rusia. Zëvendëssekretari i përgjithshëm i partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”, që udhëhiqet nga Vladimir Putin, Sergei Zheleznjak, gjatë ditës së djeshme ka thënë se hyrja e Listës Serbe në koalicionin qeverisës në Kosovë e mundëson ndalimin e formimit të ushtrisë. “Hyrja e serbëve në koalicionin qeverisës në Kosovë u jep atyre një mundësi të vërtetë për ta ndaluar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës..”, tha Zheleznjak.

Megjithëkëtë Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka konsideruar se deri më tani nuk është ofruar kurrfarë argumenti nga ana e serbëve për kundërshtimin e transformimit të FSK-së në FAK. “Argumente të qëndrueshme kundër transformimit të FSK-së në FAK nuk janë dhënë asnjëherë. Për më shumë, janë 4,2 për qind e pjesëtarëve aktivë të FSK-së që vijnë nga komuniteti serb i Kosovës”, ka deklaruar ai. Përkundrazi, sipas Ramadanit, qëndrimi kundër FAK-ut është krejtësisht politik. Më tutje ai ka thënë se ushtria duhet të bëhet në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare.

Maloku: Problemi qëndron te 2/3 e votave të komuniteteve pakicë

Ndërkaq Naim Maloku, ish-oficer i lartë i UÇK-së, tashmë ekspert i çështjeve ushtarake, ka konsideruar se problemi i Qeverisë për ta bërë ushtrinë është pikërisht te 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë. “Faktori ndërkombëtar po kërkon që formimi i ushtrisë të shkojë përmes ndryshimeve kushtetuese. Kjo është kërkesa e tyre ndaj institucioneve të Kosovës. Ndërsa ndryshimet kushtetuese nuk mund të ndodhin pa 2/3 e votave të komuniteteve pakicë. Këtu është problemi i kësaj Qeverie dhe i qeverive të tjera dhe të gjithë atyre institucioneve që po kërkojnë ta formojnë ushtrinë”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Maloku ka vlerësuar se duhet të gjendet një tjetër rrugë për transformimin e FSK-së në ushtri. “Duhet të gjendet një rrugë e avancimit të FSK-së në ushtri pa pasur nevojë të ndryshohet emri, por vetëm me ligj. Të zgjerohen objektivat e FSK-së”, ka thënë ai.

Quni: Procesi i ushtrisë, pazotësi e institucioneve që të koordinohen me partnerët strategjikë

Pavarësisht tij, Anton Quni, ish-komandat i UÇK-së, njëherësh deputet i LDK-së, tashmë ka konsideruar se ushtria nuk është peng i deputetëve serbë, por pazotësi e institucioneve të Kosovës që të koordinohen me faktorin ndërkombëtar.

“Krijimi i ushtrisë së Kosovës si proces është iniciuar në disa raste nga autoritetet e ndryshme të institucioneve të Kosovës, por që nuk ka pasur epilog pozitiv. Tentimet e njëpasnjëshme të cilat nuk kanë finalizim të procesit po e krijojnë një mit se krijimi i ushtrisë së Kosovës është peng i vullnetit të disa deputetëve serbë. Në fakt ky proces është pazotësi e institucioneve të Kosovës që të bashkëveprojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjikë në fushën e ngritjes së kapaciteteve ushtarake”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Quni më tej ka thënë se përballë një projekti të përbashkët në mes institucioneve të Kosovës, NATO-s dhe SHBA-së, edhe kundërshtarët më të mëdhenj do t’i binden faktit se të gjithë qytetarët e Kosovës përfitojnë nga forca ushtarake e Kosovës (si garantuese e paqes).

Islami: Ushtria po mbetet problem pa zgjidhje

Nga ana tjetër Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë, ka konsideruar se ushtria po vazhdon të mbetet një problem pa zgjidhje.

“Me të vërtetë çështja e ushtrisë po del të jetë problem thuajse gati i pazgjidhur. Problemi më i madh apo pengesa kryesore është Pakoja e Ahtisaarit, e cila e ka lënë në një gjendje të rëndë. Në aspektin ligjor nuk ka mundësi të formohet ushtria e Kosovës në pajtim me ligjin dhe me Kushtetutën për shkak të Pakos së Ahtisaarit, e cila është e inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur ai.

Islami më tej ka thënë se që të formohet ushtria duhet së paku të jenë edhe 2/3 e votave të minoriteteve, porse Serbia është duke bërë ofensivë të madhe që ta pamundësojë një gjë të tillë.

Ndërkaq Haki Abazi, njohës i çështjeve politike, ka konsideruar se ushtria nuk është një proces i lehtë, por as i pamundur për t’u realizuar. “Mendoj që është proces i vështirë, por jo i pamundur dhe duhet angazhim serioz i të gjithë faktorëve”, ka deklaruar ai.

Kurse politologu Ramush Tahiri është shprehur optimist se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për formimin e ushtrisë.