Humbin në komuna, shpërblehen në Qeveri

Aktuale November 09, 2017 - 07:50

Fatmir Gashi, Heset Sahiti, Xhavit Zariqi, Besnik Hoti e Faruk Nura janë disa prej kandidatëve të cilët nuk arritën të zgjidhen kryetarë komunash në zgjedhjet e 22 tetorit, por pas dështimit tani janë emëruar në pozitën e zëvendësministrit.Partitë opozitare konsiderojnë se emërimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave paraqet një veprim skandaloz, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse Qeveria e tanishme ka emëruar 21 ministra gjithsej, numri i përgjithshëm i zëvendësministrave ende nuk dihet saktësisht.

Kjo meqë Qeveria e re po vazhdon dita-ditës të emërojë zëvendësministra të rinj nëpër dikasteret e ndryshme qeveritare.

Madje pozitën e zëvendësministrit tashmë e kanë zënë edhe disa persona të cilët kanë dështuar të zgjidhen kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, shkruan tutje "Zëri".

Fatmir Gashi, Heset Sahiti, Xhavit Zariqi, Besnik Hoti e Faruk Nura janë disa prej kandidatëve të cilët nuk arritën të zgjidhen kryetarë komunash në zgjedhjet e 22 tetorit e që deri më tani janë emëruar në pozitën e zëvendësministrit.

Partitë opozitare konsiderojnë se emërimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave paraqet një veprim skandaloz.

Kjo pasi, siç thonë ata, një gjë e tillë po bëhet vetëm për t’i sistemuar militantët partiakë dhe për t’i kënaqur apetitet e tyre.

Opozita me këtë rast ka vlerësuar se duhet të miratohet një ligj për Qeverinë, i cili rregullon plotësisht këto çështje. Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike thonë se Qeveria në procesin e emërimit të zëvendësministrave ka shpërblyer jo vetëm militantët, por edhe ata që humbën në zgjedhje lokale.

Demhasaj: Qeveria po emëron zëvendësministra pa kurrfarë plani 

Fatmir Gashi para disa ditësh u emërua në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Financave. Gashi ishte kandidat i AAK-së për Pejën në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, mirëpo nuk arriti ta kalonte rundin e parë.

Njëjtë ngjau edhe me kandidatin për kryetar të Lipjanit nga Nisma, Heset Sahiti, i cili dështoi po ashtu në zgjedhjet lokale, porse u shpërblye me postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.

Pozitë të ngjashme (zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik) mori edhe Xhavit Zariqi, kandidat i AAK-së për kryetar të Ferizajt.

Pos këtyre, Besnik Hoti (kandidat i Nismës për Rahovec) është vënë në pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Faruk Nura i cili nuk arriti ta kalonte pragun e parë në komunën e Vitisë (AAK), u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka vlerësuar se kabineti qeveritar është i tejzgjeruar edhe nëse nuk përfshihen fare zëvendësministrat.

“Edhe si kabinet qeveritar, fare pa i përfshirë zëvendësministrat, është kabinet shumë i madh për shkak se ka numër të madh të ministrive, është tejet i ngarkuar. Kjo është bërë për shkak të plotësimit të egove të njerëzve të ndryshëm që kanë marrë poste qeveritare. Njëjtë ka vazhduar pastaj edhe me zëvendësministra dhe unë po e shoh si problem se si Qeveria fare pa treguar numrin e zëvendësministrave në vazhdimësi po emëron zëvendësministra pa pasur një plan të caktuar”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, sistemimi në Qeveri i kandidatëve të cilët kanë dështuar në zgjedhjet lokale, sipas tij, është tendencë e partive për t’i angazhuar shumicën e njerëzve të tyre.

Tahiri: Emërimi i zëvendësministrave, klientelizëm i pastër

Ndërkaq politologu Ramush Tahiri ka konsideruar se emërimi i një numri të madh të zëvendësministrave nëpër dikasteret e ndryshme të Qeverisë ka të bëjë me pazaret politike dhe me interesat partiake.

“Klientelizëm i pastër, edhe partiak, edhe individual. Pazaret politike në rastin e koalicioneve shprehin interesat klanore e grupore të elitave dhe të liderëve të partive e nuk shprehin domosdoshmërisht interesat e elektoratit e të qytetarëve”, është shprehur Tahiri.

Kurse analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se nuk kalon thuajse asnjë ditë që Qeveria e re të mos emërojë një zëvendësministër.

Sipas tij, në pozita të tilla po vihen jo vetëm militantët partiakë, por edhe të atillë që kanë dështuar në zgjedhjet lokale.

“Lajmet më të shpeshta nga Qeveria e Kosovës kanë të bëjnë me emërimin e zëvendësministrave. Nuk kalon thuajse asnjë ditë e dikush të mos rehatohet në një post të tillë. Natyrisht, vend u bëhet zyrtarëve e militantëve partiakë dhe jo rrallë me poste të tilla shpërblehen ata që humbën në zgjedhje lokale, ose që nuk arritën të fitojnë post deputeti në zgjedhjet nacionale”, është shprehur Mushkolaj.  

E kjo, sipas tij, bën që miliona euro të shpenzohen për pagat dhe privilegjet jo vetëm të zëvendësministrave, por edhe të këshilltarëve të tyre.

Pantina: Posti i zëvendësministrit është degraduar tej mase

Nga ana tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka konsideruar se rritja e stafit në kabinetin qeveritar nuk e rrit aspak efikasitetin e punës së Qeverisë.

“Kjo rritje e Qeverisë nuk e rrit aspak efikasitetin e punës së saj. Përkundrazi, unë mendoj që përveç që do të ketë një rëndim tej mase të buxhetit, një gjë e tillë do ta ulë edhe efikasitetin e punës së Qeverisë. Kjo sepse një gjë e tillë është bërë jo vetëm për t’i rehatuar militantët politikë, por edhe për ta krijuar një balancë brenda subjekteve që janë pjesë e koalicionit dhe tash për çfarëdo vendimi duhet të ketë një lloj konsensusi të marrëveshjeve nga të gjitha palët. Por, kjo i vështirëson edhe më shumë punët e Qeverisë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Pantina më tej ka vlerësuar se pozita e zëvendësministrit është degraduar skajshmërisht.

“Posti i zëvendësministrit është degraduar tej mase, ai post është bërë thjesht një pozitë për t’ia ofruar dikujt një pagë, pa pasur as përgatitjen e duhur as politike, as profesionale dhe pa pasur idenë se çka kanë për të bërë”, ka shtuar ajo.

Avdyli: Numri i madh i zëvendësministrave, veprim skandaloz

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka konsideruar se emërimi në numër të madh i zëvendësministrave është një veprim skandaloz.

“Këtë numër të madh të zëvendësministrave e shoh si një veprim skandaloz, i cili nuk i kontribuon mirëqeverisjes e as politikave zhvillimore të Kosovës. Po është një kënaqje e disa individëve apo një shpagim i atyre individëve për punën e tyre në parti dhe shkurt të vendosur si zëvendësministra sa për t’i kënaqur apetitet e tyre. Është e pakuptimtë, është e paarsyeshme edhe ekonomikisht, edhe politikisht që në një ministri të jenë 5 zëvendësministra. Aty mund të jetë një e jo më shumë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Avdyli më tej ka konsideruar se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me anë të një ligji të ri, i cili do t’i rregullonte çështjet që kanë të bëjnë me Qeverinë.

“Duhet të futet në agjendën legjislative ligji për Qeverinë, të diskutohet në Kuvend, të vendoset qartë çdo gjë dhe të mos përsëritet që Qeveria e kaluar i ka pasur 2-3 zëvendësministra në ministri, Qeveria e tanishme nga 5, ndoshta ajo e ardhshme 7-8”, ka potencuar ai.