Benes: Specialja nuk ndikohet nga politika

Aktuale November 08, 2017 - 08:05

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Gjykata është plotësisht e angazhuar në ekzekutimin e mandatit të saj dhe do ta vazhdojë punën pa marrë parasysh zhvillimet e jashtme. Sipas saj, Dhomat e Specializuara tashmë janë tërësisht funksionale, porse Prokuroria Speciale duhet t’i ngrejë aktakuzat

Dhomat e Specializuara janë plotësisht të fokusuara në ekzekutimin e mandatit të tyre dhe do ta vazhdojnë punën pa marrë parasysh zhvillimet e jashtme. Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” Avis Benes, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, duke mos i komentuar akuzat e fundit të presidentit Hashim Thaçi ndaj kësaj Gjykate. 

Ajo ka konfirmuar për gazetën se Dhomat e Specializuara tashmë janë tërësisht funksionale, por Prokuroria Speciale duhet t’i ngrejë aktakuzat.

“Që nga 5 korriku i këtij viti, kur ka hyrë në fuqi Rregullorja e Procedurës dhe Provave, Dhomat e Specializuara janë tërësisht funksionale, pra Dhomat e Specializuara janë në gjendje t’i pranojnë dhe t’i procedojnë dosjet gjyqësore, siç janë ato që lidhen me akuzat e aktakuzat. Megjithatë është e detyrueshme që Prokuroria Speciale të ngrejë akuza”, ka pohuar Benes.

Zëdhënësja Benes megjithatë thotë se nuk mund të spekulohet mbi kohën se kur do të ngrihen aktakuzat e para, pasi që kjo është në dorën e Prokurorisë Speciale.

“Sapo të ngrihet një padi nga Prokurori Special në Dhomat e Specializuara gjyqtari i paragjykimit, që caktohet nga presidenti i Gjykatës, do ta shqyrtojë atë”, ka thënë Benes për gazetën “Zëri”.

Sipas saj, gjyqtari i procedurës paraprake mund të marrë vendim nëse është i bindur se është vërtetuar një dyshim i bazuar në lidhje me aktakuzat. 

“Gjyqtari i paragjykimit ka gjithashtu kompetenca që të vendosë mbi çdo mocion preliminar, duke përfshirë sfidat ndaj aktakuzës dhe juridiksionit, si dhe për ta lëshuar ndonjë vendim për ta siguruar përgatitjen e duhur dhe të shpejtë të çështjes së gjykimit. Pas dëgjimit fillestar dhe pasi të jenë zgjidhur çështjet preliminare, duke përfshirë sfidat e mundshme kundër juridiksionit të Dhomave të Specialistëve, gjyqtari i paragjykimit do të përcaktojë nëse rasti është gati për gjykim. Një trup gjykues përcaktohet nga presidenti për t’i përgatitur dhe për t’i mbajtur proceset gjyqësore”, thotë Benes. 

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve juridike thonë se nuk dihet se pse po zvarritet çështja e ngritjes së aktakuzave, mirëpo presin që në shkurtin e vitit të ardhshëm të ngrihen aktakuzat e para. 
Avokati Arianit Koci thotë për “Zërin” se nuk ka njohuri se pse po zvarritet fillimi i punës, por kjo status-quo është e papranueshme. 

“Sa i përket vetë ngritjes së aktakuzave, rregulli 86, paragrafi 2, parasheh që Prokurori i Specializuar t`ia dorëzojë aktakuzën në mënyrë konfidenciale ex part Gjykatës për vendim, duke u bazuar në Nenin 39 të Ligjit për Dhomat e Specializuar dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, tha Koci. 

Ai nuk beson se ngritja e aktakuzave do të ketë ndikim në jetën politike të vendit. “Nuk besoj që aktakuzat do të kenë ndikim në jetën politike për faktin se organet shtetërore dhe strukturat politike nuk varen prej një apo më shumë individëve. Shteti i Kosovës shkon përtej emrave të përveçëm dhe ka kapacitet të funksionojë pa secilin prej nesh”, përfundoi Koci. 

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, Anton Nrecaj, thotë se mënyra sesi është krijuar kjo Gjykatë dhe misioni i saj bien ndesh me Kushtetutën. 

“Në luftë nuk ka ndarje, pavarësisht kush i ka kryer krimet duhet të gjykohet, në këtë rast merret vetëm me nacionalitetin shqiptar”, ka thënë Nrecaj.  

Sipas Nrecaj, në bazë të të gjitha gjasave nga shkurti i vitit të ardhshëm pritet që të ngrihen aktakuzat e para. “Gjithmonë po bazohem prej kohës kur është krijuar kjo Gjykatë, kur kanë filluar me qenë funksionale strukturat e kësaj gjykate. Duke pasur parasysh periudhën e projekteve ligjore që do t’ia lejojë Prokurorisë që t`i vazhdojë hetimet derisa të ngrihen aktakuzat edhe po besoj që vitin e ardhshëm (shkurt, mars) do t`i kemi aktakuzat e para”, shtoi ndër të tjera Nrecaj. 

Sa i përket ndikimit që kjo çështje do ta ketë në skenën politike Nrecaj thotë se varet nga personat që mund të jenë duke u akuzuar. “Nëse janë fytyra publike ose politikanë që kanë influencë të madhe në vend normal që mund të ketë edhe trazira ose mund të ketë ndonjë efekt në forma të tjera”, tha Nrecaj. 

Përndryshe Gjykata Speciale, apo siç njihet zyrtarisht Dhomat e Specializuara të Kosovës, dje ka bërë një hap para drejt fazës së ngritjes së aktakuzave të para. Dhe pikërisht të akuzuarit apo të dyshuarit që kanë kryer krime janë përfitues të vendimit që ka ndërmarrë Specialja. “Në kuadër të mandatit të tyre për mundësimin e procedurave të drejta dhe të sigurta Dhomat e Specializuara të Kosovës garantojnë të drejtat themelore të të dyshuarve ose të akuzuarve për mbrojtje, si dhe ato të viktimave. Për mbrojtjen e të dyshuarve ose të akuzuarve dhe për pjesëmarrjen e viktimave nevojiten mbrojtës kompetentë”, thuhet mes të tjerash në një komunikatë të dërguar për medie.

Me miratimin e kryetares së Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, pas këshillimeve me gjykatësit, administratorja dr. Fidelma Donlon ka nxjerrë Direktivën për Mbrojtësit, e cila ka hyrë tashmë në fuqi. “Direktiva për Mbrojtësit përcakton kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve. Vetëm mbrojtës që i përmbushin kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve mund të emërohen ose të caktohen prej administratores për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve ose të një grupi viktimash”.