Demarkacioni, pa rrugëdalje

Aktuale November 06, 2017 - 08:00

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka paralajmëruar se marrëveshja për demarkacionin mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, po qe se nuk arrin të rinegociiohet me Malin e Zi. Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur. Sipas tyre, ky opsion përdoret i fundit, vetëm atëherë kur të dyja shtetet mbeten pa rrugëdalje

Demarkacioni me Malin e Zi po vazhdon të ngelet pa zgjidhje. Ani pse kjo marrëveshje u nënshkrua para rreth dy vitesh, ende nuk ka arritur të marrë një epilog. Përkundrazi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka paralajmëruar që kjo marrëveshje mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, po qe se nuk arrin të rinegociiohet me Malin e Zi (pas gjetjeve të komisionit të ri, të emëruar pikërisht për Demarkacionin). Përderisa anëtarët e Komisionit thonë se tashmë janë në fazën përfundimtare të analizimit te të gjeturave, zyrtarë të qeverisë thonë se hapat e mëtejmë për demarkacionin varen pikërisht prej këtyre të gjeturave. Porse, meqë versioni i tanishëm nuk i ka dy të tretat në kuvend, sipas tyre, kjo marrëveshje mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit. Nga ana tjetër, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur. Sipas tyre, ky opsion përdoret i fundit, vetëm atëherë kur të dyja shtetet mbeten pa rrugëdalje. Kurse, partitë opozitare konsiderojnë se ia vlen të humbet kohë për të gjetur të vërtetën për demarkacionin, edhe nëse mund të ketë vonim të liberalizimit.

 

MST: Vllahiu: Demarkacioni mund të përfundojë në Arbitrazh

 

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se hapat e mëtejshëm se si të veprohet me demarkacionin janë të lidhur me gjetjet që do të pasojnë nga komisioni i ri.

“Të gjithë hapat e mëtejmë janë të ndërlidhur me gjetjet e komisionit të ri. Pasi të ketë kryer punën komisioni, raporti do të vlerësohet dhe analizohet dhe do t’i jepet një drejtim”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Vllahiu më tej, ka paralajmëruar se kjo marrëveshje mund të përfundojë në Arbitrazh, porse sipas tij, fillimisht do të kërkohet të gjendet zgjidhje me Malin e Zi.  “Varianti aktual nuk ka përkrahje dhe nuk ka votë dhe në këtë rrethanë të krijuar mund të përfundojë në arbitrazh. Me Malin e Zi do të kërkohet gjetja e zgjidhjes së përbashkët për çështjen, por në një situatë të caktuar do të mund të kërkohet zgjidhje përmes arbitrazhit”, ka theksuar ai.

 

Isufi: Komisioni, në fazën e analizave përfundimtare

 

Ndërkaq, Florim Isufi, anëtar i komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, ka bërë të ditur se komisioni tashmë është në fazën e vërtetimit të fakteve të gjetura. Sipas tij, komisioni duhet të jetë i kujdesshëm në lidhje me përfundimet sepse siç është shprehur ai, nuk ka as kohë e as komoditet për ndonjë gabim eventual.  Isufi më tej, ka thënë se komisioni ka arritur në fazën e analizave përfundimtare. Por sipas tij, para raportit final komisioni do t’u kthehet edhe njëherë fakteve për t’i vërtetuar ato. “Meqë ky aktivitet është shumë i ndërlikuar dhe ka mospërputhje mes dëshirave politike dhe vërtetësisë së fakteve jemi në fazën e analizave përfundimtare, por duke pasur parasysh që para se të jepet raporti final, t’i rikthehemi edhe njëherë vërtetësisë që mos të përsëriten gabimet e komisioneve të mëparshme, por të jetë një raport i detajuar dhe i saktë ashtu siç jemi bindur me raportet e komisioneve simotra në Kroaci dhe Slloveni”, ka theksuar ai.

 

Hoti: Arbitrazhi nuk është zgjidhje e duhur

 

Nga ana tjetër, Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, ka konsideruar se arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur, meqë sipas tij, është opsioni më i fundit që dy shtete mund ta përdorin për t’i dhënë zgjidhje një kontesti. “E para, nuk është zgjidhje e duhur sepse arbitrazhi nuk do të duhej të merrte dhe të gjente shprehje në komunikimet mes shteteve, sepse gjithmonë presupozohet se shtetet duhet të gjejnë marrëveshje për veprimet e tyre. Prandaj, si zgjidhje vihet vetëm në ato raste kur nuk ka marrëveshje mes shteteve”, ka deklaruar ai.  Së dyti, sipas Hotit, nuk mund të dihet fare se sa kohë merr çështja e Arbitrazhit. “E dyta, nuk ka kohë të përcaktuar apo limit kohor brenda së cilit duhet të zgjidhen kontestet. Kjo varet  nga dinamika që palët i japin procesit dhe ndërlikueshmëria e procesit, argumentet që i japin njëra dhe pala tjetër. Mendoj se është spekulative nëse themi se do të zgjasë dy, tri ose pesë vite”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka konsideuar se nëse komisioni i ri gjen fakte të reja lidhur me këtë marrëveshje, atëherë ato duhet t’i prezantohen Malit të Zi. Ndërkaq, profesori i shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka konisdeuar se dërgimi i marrëveshjes në Arbitrazh paraqet një rrugë mjaft të vështirë për Kosovën.  “Mendoj se ndjekja e rrugës së Arbitrazhit, siç po e prolongon Kryeministri, është rrugë mjaft e vështirë për Kosovën, kur dihet se Kosova ka një subjektivitet të brishtë ndërkombëtarisht dhe kjo gjë po shihet me skepticizëm edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Ismajli më tej, ka vlerësuar se Arbitrzahi është vetëm tentativë e kreyminsitri për të blerë kohë për t’u shfajësuar rreth kauzës së tij.

 

Kurteshi: Do të konfirmohet ajo që ka kërkuar opozita

 

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka konsideruar se humbja më e madhe për Kosovën është humbja e territorit. “Humbja më e madhe për Ksoovën do të ishte nëse heq dorë nga 8200 hektarë tokë të cilat komsioni parprak dhe qeveria e mëhershme ishte pajtuar t’ia falë Malit të Zi. Të gjitha të tjerat janë më të lehta, madje edhe humbja e kohës për viza, tash natyrisht që vizat u nevojiten shumë qytetarëve”, ka deklaruar ai. Kurteshi më tej, ka thënë se kryeministri nuk duhet të deklarohet për opsione të tjera lidhur me demarkacionin, derisa komisioni nuk del me një raport final

“Bazuar në informatat që i kemi nga komisioni i fundit i ermëruar nga kryeminsitri do të konfirmohet ajo që ka kërkuar opozita gjatë tri viteve të kalaura, prandaj ne kërkojmë me ngulm që ti presim  rezulatet e komisionit”, ka shtuar Kurteshi.

 

Gaxherri: Nëse nuk gjendet fakte të reja, kryeministri të japë dorëheqje

 

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka konisdeuar se Kosova ka humbur shumë nga zvarritja e demarkadcionit. Ajo me këtë rast, ka thënë se demarkacioni është vënë padrejtëisht si kusht nga BE-ja për heqjen e vizave, porse sipas saj, duhet të gjithë liderët ta pranojë se e kanë keqmenaxhuar këtë proces.

 

“Duhet ta pranojnë liderët e të gjitha partive politike në Kosovë që shumë e kanë keqmenaxhuar këtë proces. Nuk do të kemi asnjë koment, vetëm po kërkojmë që sa më shpejt ky proces të ketë fundin e vet”, ka dekalruar ajo. Gaxherri më tej, ka thënë se po qe se sillen argumente të reja nga komisioni, atëherë ato do të analizohen. E në të kundërtën, sipas saj, kryeministri duhet të dorëhiqet. “Unë do të isha shumë e lumtur nëse ky komision me argumente shkencore, juridike do të gjente gabimet dhe do të na i sjellë. Por në të kundërtën, nëse nuk do të gjejnë argumente, duhet që ky kryeministër të kërkojë falje për kohën e humbur dhe të japë dorëheqje”, ka potencuar ajo.