Qeveria me 200 këshilltarë!

Aktuale November 02, 2017 - 07:59

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrat e tij do t’i kenë në dispozicion rreth 200 këshilltarë. Në kabinetin e të parit janë akomoduar 16 këshilltarë, ndërsa njëri nga ministrat e tij i ka “rehatuar” hiç më pak se 9 këshilltarë politikë dhe asistentë personalë. Për pagat e këshilltarëve të kryeministrit dhe të ministrave brenda vitit nga buxheti i Kosovës shpenzohen rreth 2 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryeministri Ramush Haradinaj u ka gjetur punë 16 këshilltarëve në kabinetin e tij, përderisa njëri nga ministrat e tij në kabinet tashmë i ka “rehatuar” 7 këshilltarë politikë dhe dy asistente ekzekutive.

Nga 7 deri në 10 këshilltarë pritet t’i kenë edhe 20 ministrat tjerë të kësaj Qeverie, përderisa paga e një këshilltari të ministrit sillet në 600 euro derisa këshilltarët e kryeministrit marrin pagë mujore prej rreth 1500 eurosh.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për pagat e këshilltarëve të kryeministrit dhe të ministrave brenda vitit nga buxheti i Kosovës shpenzohen rreth 2 milionë euro, shkruan tutje "Zëri".

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në uebfaqen e këtij dikasteri qeveritar tashmë ka publikuar emrat e 7 këshilltarëve politikë, si dhe të dy asistenteve administrative.

Përveç numrit të madh të ministrive, Qeveria e Kosovës pritet t’i ketë rreth 50 zëvendësministra, të cilët po ashtu kanë të drejtë të emërojnë asistentë.

Në Ministrinë e Administratës Publike në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” thonë se të gjithë zëvendësministrat dhe këshilltarët nuk janë emëruar ende.

“Në Ministrinë e Administratës Publike ende nuk janë emëruar zëvendësministrat. Është e ditur se ata i emëron kryeministri. Sipas Rregullores së re, çdo ministri ka të drejtë t’i emërojë 7 këshilltarë për fushat e ndryshme. Në MAP emërimi i këshilltarëve do të bëhet nga ministri në ditët në vijim. Rregullorja parasheh një numër të tillë”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie për gazetën “Zëri”.

Zëvendësministrat e emëruar

Në faqen zyrtare të MASHT-it nuk është publikuar emri i asnjë zëvendësministri. Por deri më tash Muharrem Nitaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, aty është emëruar zëvendësministër i Arsimit.

Po ashtu zëvendësministër është emëruar edhe Arbër Gecaj i AKR-së. Resul Makreshi është emëruar zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse zëvendësministër në Ministrinë e Diasporës është emëruar Sahit Krasniqi, Janez Frrokaj, si dhe Faruk Nura nga AAK-ja.

Po ashtu edhe Fatmir Matoshi nga AKR-ja është vendosur të jetë zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Vesel Makolli zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale; Rejhan Vuniqi zëvendësministre e Jashtme; Magbule Shkodra do të jetë zëvendësministre e Zhvillimit Rajonal; Brahim Mehmetaj zëvendësministër i FSK-së; Ali Berisha do të jetë zëvendësministër i  Shëndetësisë, ndërsa Lulëzim Leci i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Po ashtu në cilësinë e zëvendësministrit të Bujqësisë është emëruar edhe Vesel Krasniqi nga  Nisma.

Po ashtu nga PDK-ja janë emëruar katër zëvendësministra, ndër ta edhe Agim Çeku, Mustafa Grainca do të jetë zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

Në këtë Ministri në cilësinë e zëvendësministrit po ashtu edhe emëruar edhe Fatmir Gashi, si dhe Bojan Stojanovic.

16 këshilltarë në Zyrën e Kryeministrit

Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj rikonfirmoi për gazetën “Zëri” se 16 është numri i këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj të angazhuar deri më tash. Gjithashtu ata kanë bërë të ditur se në Qeverinë e koalicionit deri më tash janë emëruar aq zëvendësministra sa edhe në Qeverinë e kaluar.

“Në Qeverinë e koalicionit deri më tash janë emëruar aq zëvendësministra sa edhe në Qeverinë e kaluar”, thuhet në përgjigjen e tyre për gazetën “Zëri”.

Në uebfaqe të Zyrës së Kryeministrit shihet se deri më tash në cilësinë e këshilltarëve janë angazhuar: Avni Arifi - këshilltar politik dhe shef i stafit, Gani Demaj - shef kabineti, Selim Selimi - këshilltar ligjor, Meliza Haradinaj - këshilltare politike, Halil Matoshi - këshilltar politik dhe për medie, Alban Dermaku - këshilltar politik, Haki Shatri - këshilltar për ekonomi, Diellza Hoti - këshilltare për çështje të rinisë, Arber Vllahiu - këshilltar politik dhe zëdhënës i Qeverisë, Nita Himaduna - këshilltare politike, Hysen Gashi - këshilltar për siguri, Jahja Lluka - këshilltar për diasporën, Gazmend Syla - këshilltar për kategoritë e luftës, si dhe Arben Shabani - këshilltar për minoritete.

Abazi: Numri kaq i madh është pengesë për të vepruar

Analisti Haki Abazi një numër kaq të madh të këshilltarëve dhe të zëvendësministrave e sheh si fatkeqësi për vendin.

“Është fatkeqësi shumë e madhe që në kohën kur Kosova po ballafaqohet me sfidat më të mëdha që nga paslufta institucionet e sidomos Qeveria dhe kryeministri po duket se janë të detyruar të merren me akomodimin e njerëzve ‘të uritur’ të partive politike. Kjo mosngopje ka një shpjegim, se sa të varfër jemi”, ka thënë ai.

Sipas tij, shumë ministra, zëvendësministra dhe këshilltarë do të jenë pengues të njëri-tjetrit për të vepruar.

“Është bërë një shumësi pa përmbajtje dhe vërtet është e vështirë të shihet se si mund të krijohet qoftë edhe një koherence minimale për të lëvizur drejt realizimi të prioriteteve”, ka thënë Abazi.

Ai thotë se i tërë ky numër ka edhe pasoja për buxhetin e shtetit duke qenë se të gjithë këta njerëz paguhen nga një buxhet i varfër që vështirë po u del qytetarëve në ndihmë me barnat esenciale.

Dragidella: Numër i madh, barrë për buxhetin

Lulzim Dragidella, udhëheqës i Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin e Prishtinës, konsideron se emërimi i zëvendësministrave, ashtu edhe ai i këshilltarëve politikë është bërë si pasojë e plotësimit të orekseve të partive politike.

“Unë mendoj se ky numër prej 21 ministrive është më shumë sesa i tepruar. Të marrim vetëm disa shembuj nga vendet e përparuara perëndimore, p.sh. Gjermania ka vetëm 14 ministri. Zvicra ka vetëm 7 ministri. Sigurisht se numri i madh i ministrive ka të bëjë me çështjet e ‘pazareve’ politike të krijimit të qeverive dhe plotësimi i orekseve të partive politike dhe të individëve të caktuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe emërimi i zëvendësministrave ka të bëjë me të njëjtat çështje sikur te emërimi i ministrave, por vlerëson ai se kjo gjë bëhet thjesht për punësim klasik të njerëzve pa ndonjë përshkrim të saktë të punëve të tyre.

“Edhe te këshilltarët është i njëjti problem. Këtu nuk bëhet fjalë për këshilltarë profesionalë, por më shumë për të punësuar njerëz partiakë, familjarë, etj. Shumica prej këshilltarëve shpeshherë nuk kanë asnjë përvojë pune në fushën e caktuar. Në shumicën e rasteve as që i mësojmë ndonjëherë emrat e këshilltarëve”, ka shtuar Dragidella.

Sipas tij, një numër kaq i madh i kabinetit të ministrive është një barrë shumë e madhe për një shtet shumë të varfër siç është Kosova.