Zyrtari i PDK-së: Shteti ndërtohet duke luftuar grupet kriminale vendore e ndërkombëtare

Aktuale October 29, 2017 - 16:07

Njëri prej udhëheqësve të PDK-së ka thënë se Shteti i Kosovës po rrezikohet nga korrupsioni, krimet ekonomike, nepotizmi e mafia.

Ka thënë se ndërtimi i shtetit të së drejtës eliminon grupet kriminale.

Rrustem Mustafa, e ka gjetur zgjidhjen se si duhet ndërtuar Shtetin e Kosovës.

Ka thënë se kjo punë bëhet duke eliminuar grupet kriminale vendore e ndërkombëtare.

Themeluesi i PDK’së e i UÇK'së nuk ka përmendur me emra se kush janë grupet kriminale vendore as ndërkombëtare. Por, ka përmendur vetëm problemet me të cilat po përballet Shteti që i mbush dhjet vjet në shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan Express.

“Hapja e rrugës për ndërtim të shtetit të së drejtës, duhet t’i eliminojë grupet vendore apo edhe ato ndërkombëtare të natyrës kriminale”, ka thënë Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

Ky ish-deputet i PDK’së është marrë edhe me kohën e luftës. Ka thënë se askush s’duhet t’i përdorë shkronjat e UÇK’së për të bërë keqpërdorime.  Ka thënë se sfida më e madhe e Kosovës po vazhdon të jetë korrupsioni e mafia.

“Vazhdimisht sfidohemi nga krimet ekonomike, korrupsioni, nepotizmi dhe mafiat përtej kufinjëve kombëtar...”, ka shtuar ai.

Partia Demokratik e Kosovës prej pasluftës ka qenë pjesë e pushtetit, me përjashtim të viteve 2004-2007. Ka udhëhequr tri herë Qeverinë e Kosovës derisa pjesë e Ekzekutivit ka qenë në katër prej pesë koalicioneve.

Aktualisht, PDK, në Parlament ka vetëm  24 deputetë dhe është partia e tretë pas LDK’së e Vetëvendosjes.

Në zgjedhjet lokale, PDK doli e dyta, ndërsa Vetëvendosje e treta.