Një shtet me dy sisteme të drejtësisë

Aktuale October 26, 2017 - 07:51

Deputetë të opozitës thonë se Marrëveshja e Drejtësisë e arritur me Serbinë është antikushtetuese pasi, sipas tyre, ka dy sisteme të drejtësisë. I pari që tenton të sigurojë pjesëmarrje për të gjithë qytetarët në jetën institucionale dhe tjetri që garanton pjesëmarrjen e vetëm një etnie. Ndërsa njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se  Marrëveshja e Drejtësisë thellon edhe më shumë ndarjen etnike të vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Marrëveshja për Drejtësinë e arritur mes palës kosovare dhe asaj serbe, e cila filloi të zbatohet pas dekretimit ditë më parë të 40 gjykatësve dhe 13 prokurorëve serbë nga presidenti Hashim Thaçi, po vlerësohet si antikushtetuese nga opozita kosovare.

Përfaqësues të opozitës në Parlamentin e vendit kanë thënë se në bazë të kësaj marrëveshjeje Kosova do t’i njohë të gjitha aktgjykimet e gjykatave paralele serbe në Kosovë që nga paslufta e deri më tani dhe se emrat e gjykatësve, të cilat janë betuar para presidentit, janë dërguar nga Beogradi.

Megjithatë me deklaratat e tilla të deputetëve opozitarë nuk është pajtuar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se kjo marrëveshje ka paraparë funksionimin e gjykatave në veri në përputhje me ligjet e Kosovës, shkruan tutje "Zëri".

Ndërsa njohësit e çështjeve juridike në vend vlerësojnë se Marrëveshja e Drejtësisë mes Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje që thellon edhe më shumë ndarjen etnike të vendit.

Kjo për faktin se me zbatimin e saj kanë për synim ndarjen e posteve në gjyqësor dhe në prokurori në bazë të etnive e që është në kundërshtim me parimin kushtetues të mosdiskriminimit dhe të barazisë.

Ata mendojnë se është kontestuese fakti se nëse gjyqtarët serbë kur kanë dhënë betimin si gjyqtarë e kanë bërë një gjë të tillë sipas procedurave mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës dhe nëse kjo nuk është bërë, atëherë, sipas tyre, edhe betimi i gjyqtarëve serbë është jokushtetues. 
 
Tahiri: Shtrirja e sovranitetit po ndodh në gjithë Kosovën

Në takimin e së martës mes ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe përfaqësuesve të Komisionit Parlamentar për Legjislativ, i pari i drejtësisë në vend ka thënë se Marrëveshja e Brukselit ka paraparë funksionimin e gjykatave në veri sipas ligjeve të Kosovës dhe një fakt për këtë Tahiri ka thënë se është dekretimi i 53 gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë para presidentit Hashim Thaçi. 

Ministri Tahiri shtoi se nga tashmë shtrirja e sovranitetit me terma praktikë po ndodh në gjithë territorin e vendit.

“Jam tejet i motivuar të them se nga sot shtrirja e sovranitetit në terma praktikë po ndodh në gjithë vendin. Tani e tutje qytetarët e Kosovës në tërë territorin e saj do të ballafaqohen me një sistem unik të drejtësisë. E kjo është një e arritur dhe është një hap i madh drejt konsolidimit të plotë të integritetit juridik e shtetëror të Kosovës si hap drejt shuarjes së plotë të institucioneve ilegale të Serbisë që kanë vepruar brenda territorit të Kosovës”, tha Tahiri. 

Por kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, reagoi duke thënë se ajo marrëveshje është kundërkushtetuese pasi në bazë të një dokumenti që ka siguruar ajo në rrugë jozyrtare dëshmohet se Kosova do t’i njohë të gjitha aktgjykimet e gjykatave paralele që nga paslufta dhe se emrat e gjyqtarëve që janë betuar sot te presidenti janë marrë nga Beogradi. 

“Këto dokumente janë skandaloze ministër për faktin se këtu parashihet që do të njihen të gjitha vendimet e gjykatave paralele, edhe ato civile, edhe për rastet administrative, edhe për rastet penale. Unë e kam këtë dokument para vetes, meqë ka medie e kam siguruar kështu siç e kam siguruar. Dhe gjithashtu në këtë marrëveshje janë emrat e gjyqtarëve që delegacioni i Kosovës i ka marrë në Serbi. I kam këtu emrat e gjyqtarëve që Serbia ia ka servuar delegacionit të Kosovës, të njëjtit sot janë emëruar”, theksoi Haxhiu. 
 

Duke mos dashur t’i komentojë deklaratat e Haxhiut ministri Tahiri ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk i ka emëruar këta gjyqtarë e prokurorë porse procedurat e rekrutimit të tyre janë zhvilluar tërësisht në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. 

“Nuk e di për çfarë dokumente po flet, por unë po të flas për procesin si janë rekrutuar gjyqtarët dhe prokurorët që janë në kuadër të këtij sistemi të Kosovës. Kush i shkarkon këta prokurorë dhe gjyqtarë nëse bëjnë shkelje, kjo çështje është e rregulluar me ligjet e Kosovës dhe në asnjë rrethanë nuk mund të rregullohet me një marrëveshje kush e shkarkon apo kush e largon një prokuror ose gjyqtar. E kemi Zyrën e Prokurorit Disiplinor që merret me këto çështje”, u shpreh ai. 
 
Haxhiu: Marrëveshja me Serbinë, shpërfillje e sistemit të drejtësisë së Kosovës 
 
Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se kjo Marrëveshje e Drejtësisë mes Kosovës dhe Serbisë dëshmon se shteti i Kosovës tash e tutje ka dy sisteme brenda një sistemi të brendshëm. 

“Sipas kësaj marrëveshjeje rezulton se Kosova tash e tutje ka dy sisteme të drejtësisë brenda sistemit të brendshëm në mospërputhje me Nenin 102, paragrafi 2. Një sistem i cili tenton që të sigurojë pjesëmarrje për të gjithë qytetarët në jetën institucionale dhe tjetri sistem i cili garanton pjesëmarrjen e vetëm një etnie. Rasti tanimë i juridizuar është ai i drejtorit rajonal të Policisë për Komunat e Veriut dhe ai i fundit nga Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë, ku parashikohen kuota etnike për pozita zyrtare si rasti i kryetarit të Gjykatës Themelore, i cili garantohet personave të nacionalitetit serb. Kjo marrëveshje e vërtetoi atë të 19 prillit ku binarizohet edhe praktikisht edhe sistemi i gjyqësisë në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.

 Ajo Marrëveshjen për Drejtësi me Serbinë e konsideron shpërfillje të sistemit të brendshëm të drejtësisë në Kosovë, gjë e cila dëshmon se Kosova nuk ka sovranitet të brendshëm. 

“Më 10 shkurt 2015 u nënshkrua Marrëveshja për Drejtësi. Me anë të kësaj marrëveshjeje u shpërfill në mënyrë flagrante sistemi i brendshëm i drejtësisë në Kosovë. Me këtë marrëveshje u konfirmua që Kosova nuk ka sovranitet të brendshëm në aspektin e ushtrimit të pushtetit shtetëror në asnjërin prej pushteteve, madje edhe në atë të gjyqësisë. Përfshirja e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor në këtë marrëveshje kanë dëshmuar se në fakt se janë duke vepruar si një nga departamentet e Ministrisë së Drejtësisë dhe jo si dy institucione të pavarura”, ka potencuar Haxhiu. 

Ajo gjithashtu ka thënë se në mbledhjen e fundit të Komisionit për Legjislacion prezantoi një dokument, i cili është mbajtur fshehur dhe ka të bëjë me njohjen e aktgjykimeve të lëshuara nga organet ilegale të Serbisë në Kosovë. 

Një gjë të tillë ajo e sheh si skandaloze dhe për këtë dikush duhet të japë edhe përgjegjësi penale. 

Haxhiu ka thënë se institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë nëse bëhet pazar me Brukselin. 

“Shtrirja e institucioneve të drejtësisë nuk mund të bëhet duke bërë pazare në Bruksel. Kjo është përgjegjësi ekskluzive e KGJK-së dhe e KPK-së në bashkëpunim edhe me institucionet tjera. Është i papranueshëm fakti se si në vazhdimësi për çështje të brendshme po diskutohet me Serbinë”, ka thënë ajo. 

Ajeti: Betimi i gjyqtarëve “pas dritës së gjelbër nga Beogradi” 
 
Dren Ajeti, hulumtues nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për “Zërin” thotë se shtyrjen e dekretimit të gjykatësve dhe të prokurorëve serbë e sheh si pasojë e pritjes së dritës së gjelbër nga Beogradi. 

“Betimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë javën e kaluar dështoi hapur si proces. Reagimi i presidentit Thaçi la të kuptojë që janë zyrtarët beogradas ata që kanë vendosur kohën e betimit, pasi betimi ndodhi vetëm pasi ata dhanë dritën e gjelbër”, ka thënë Ajeti. 

Ai po ashtu tha se kjo marrëveshje është tregues i qartë i ndarjes së posteve në bazë të etnive. 

“Marrëveshja e Drejtësisë është një marrëveshje që thellon edhe më shumë ndarjen etnike të vendit. Kjo për faktin se marrëveshja në fjalë dhe zbatimi i saj kanë për synim ndarjen e posteve në gjyqësor dhe në prokurori në bazë të etnive e që është në kundërshtim me parimin kushtetues të mosdiskriminimit dhe barazisë”, ka shtuar Ajeti. 

Sipas Ajetit, dokumenti që prezantoi kryetarja e Komisionit Legjislativ nga “Vetëvendosja”, Albulena Haxhiu, gjatë mbledhjes së ditës së martë është shqetësuese sepse sipas këtij dokumenti kemi njohjen e strukturave paralele si vendime të përmbarueshme në Kosovë, me ç’rast faktikisht njihet edhe veprimtaria e mëhershme e këtyre strukturave paralele Serbe në Kosovë.

“Shqetësuese ishte mbledhja e fundit e Komisionit për Legjislacion, në të cilën kryetarja e këtij Komisioni prezantoi një dokument që sipas saj ishte aneks i Marrëveshjes së Drejtësisë. Marrëveshja në fjalë sipas znj. Haxhiu ishte siguruar në rrugë jozyrtare nga KGJK-ja. Sipas shkresës në fjalë, vendimet e gjykatave që kanë funksionuar në veri të Kosovës si struktura paralele do të njihen si vendime të përmbarueshme në Kosovë. Kjo është njohje faktike dhe juridike e veprimtarisë shumëvjeçare të strukturave paralele serbe në Kosovë, gjegjësisht aktivitetit të Serbisë në veri të Kosovës”, ka përfunduar Ajeti. 

T’i drejtohen Kushtetueses 
 
Ndërsa Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, ka sqaruar për “Zërin” se çdo vendim i nxjerr nga një gjykatë tjetër përpos asaj së gjyqësorit në Kosovë është antikushtetues. 

“Çdo vendim i nxjerr nga gjykatat paralele të Serbisë është antikushtetueses sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës e rregullon sistemin gjyqësor në Kosovë si sistem unik dhe aktgjykimet e gjykatave paralele nuk thirren në ligjet e Republikës së Kosovës, ato nuk e njohin sistemin gjyqësor të Kosovës”, ka thënë Nrecaj. 

Sipas tij, ky është rast shumë i mirë që gjithë ky proces të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të kontestojë emërimin jokushtetues të gjyqtarëve serbë, por praktikisht duhet të kontestohet marrëveshja politike, e cila është jokushtetuese. 

“Të kthehemi te aktgjykimet e gjykatave paralele, edhe nëse i referohemi Rezolutës 1244 edhe sipas Rezolutës ato institucione janë të paligjshme”, ka thënë ai. 
 
Përndryshe, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në gusht të këtij viti në praninë e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u pajtuan që më 17 tetor të hyjë në fuqi Marrëveshja për Drejtësinë në veri të Kosovës.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në shkurt të vitit 2015, me të cilën parashihej shuarja e strukturave paralele serbe të drejtësisë.

Të dy presidentët janë dakorduar që Kosova dhe Serbia të hyjnë në një fazë të re të dialogut, me të cilën parashihet përfundimisht përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje për Drejtësinë është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.

Për rajonin e Mitrovicës është paraparë një gjykatë themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte.

Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike.

Në veri do të vendoset edhe reparti i Gjykatës së Apelit. Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb.