Veseli – Abdixhikut: Ti e urren UÇK-në, mendjen e ke në Serbi

Aktuale October 25, 2017 - 17:10

Kryeparlamentari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli,e ka replikuar Lumir Abdixhikun pas akuzave të ashpra që ky i fundit ia drejtoi Veselit teksa mbante fjalimin për çështjen e veteranëve dhe listat e fryra.

Veseli i ka thënë Abdixhikut se e urren UÇK-në dhe se mendjen e ka në Serbi. 

LEXO EDHE: Përplasje e ashpër mes Veselit dhe Abdixhikut

“Realisht mirë ka qenë që të fokusohemi tek pjesa e buxhetit. Më  e rënda është kur disa njerëz mundohen t’ia shkatërrojnë jetën dikujt me disa të pavërteta. Lehtë është veç me fol, por duhet të jemi konkret. Me manipulime Lumir mund të marrësh ndonjë votë te elektorati që është jo UÇK.  Me çfarë dinjiteti manipulativ, duhet të kesh kujdes kur të flasësh, të qesësh gjëra konkrete. Ti nuk mundesh me ndërlidhë. Gjithë fatkeqësisë e Kosovës me e qitë tek gjaku i veteranëve”, i thotë Veseli, Abdixhikut.

Kryetari i Kuvendit tha se listat e veteranëve janë fryrë dhe ka thënë se ka qenë i vetmi që ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë mënyrën se si janë hartuar listat. 

Kur Abdixhiku e akuzoi Veselin se edhe ai ka kontribuar për këto fryerje, Veseli e ftoi Abdixhikun që të shkojë në prokurori e ta gjejë një emër që ka hyrë në listë me rekomandim të kryetarit të Kuvendit.