Isufi: Jemi shumë vonë me rishikimin e buxhetit

Aktuale October 25, 2017 - 15:47

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka konsideruar se institucionet janë vonuar shumë në rishikimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2017, raporton “Zeri.info”.

Në seancën që po diskutohet rreth kësaj çështjeje, Isufi ka thënë se pas rishikimit të buxhetit për 2017, duhet të veprohet edhe drejt buxhetit për vitin 2018.

“Jemi shumë vonë me rishikimin e buxhetit të Republikës së Kosovës. Presim pas këtij rishikimi menjëherë trajtimin e buxhetit për vitin 2018, që duhet ta përmbushim edhe këtë obligim. Mendoj që çdo tendencë për t’i mjegulluar gjithë ato që janë obligime shtetërore sa i përket buxhetit të shtetit e pengojnë funksionimin e jetës institucionale”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, duke folur rreth çështjes së veteranëve, ku pas rishikimit të buxhetit pritet t’u ndahen mjetet financiare, ai ka thënë se nuk duhet vënë në pikëpyetje këto pensione.

“As që duhet vënë në pikëpyetje pensionet e veteranëve, por duhet të solidarizohemi me ta sepse po të dalim në vend të tyre mund ta shohim veten shumë më keq sesa deputet”, u shpreh ai, pas akuzave për listë të fryre të veteranëve./Zeri