LDK-ja rikthen primatin, lë mbrapa PDK-në dhe LVV-në

Aktuale October 23, 2017 - 08:02

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) është rikthyer si partia e parë në vend, duke lënë mbrapa Partinë Demokratike të Kosovës (PDK-në) dhe lëvizjen “Vetëvendosje”. Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare ky subjekt politik ka rritur dukshëm votat e qytetarëve, njëkohësisht edhe “hisen” politike në shumicën e komunave të vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) pas shumë kohësh është rikthyer si partia e parë në vend, duke u bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Partia e Isa Mustafës, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga rrjeti i OJQ-ve, “Demokracisë në Veprim” DnV, ka fituar mbi 210 mijë vota, duke lënë prapa PDK-në e Kadri Veselit, që ka fituar rreth 150 mijë vota dhe “Vetëvendosjen” me afro 130 mijë vota.

LDK-ja është edhe partia e cila ka fituar më së shumti komuna pa balotazh, kurse në katër prej shtatë komunave kryesore të vendit ka siguruar edhe një rund, shkruan tutje "Zëri".

Duke iu referuar të dhënave të DnV-së, pasi që KQZ-ja nuk ka dalë me të dhënat e saj, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar vetëm një komunë pa balotazh, Drenasin, kurse në rundin e dytë do të luftojë në Prizren, në Mitrovicë e në Ferizaj.  

Rritje në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale të 2013-ës ka shënuar edhe lëvizja “Vetëvendosje”, megjithëse jo aq sa është pritur pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale këtë vit. Përveç Prishtinës, “Vetëvendosja” ka siguruar balotazhin edhe në disa komuna të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, sipas KQZ-së, në votime kanë dalë 812 mijë qytetarë apo 43.82 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Komunat që nuk do të shkojnë në balotazh

Sipas rezultateve të para të monitoruara nga “Demokracia në Veprim”, balotazh nuk do të ketë në 19 komuna të Kosovës.

Për komuna të fituara pa balotazh prin Lista Serbe, përkatësisht me tetë komuna të fituara. Në komunat me shumicë shqiptare prin LDK-ja me pesë komuna të fituara pa balotazh.

Sipas DnV-së, LDK-ja ka fituar pa balotazh në Podujevë, në Pejë, në Viti, në Fushë Kosovë e në Lipjan. Deçani dhe Juniku i përkasin AAK-së qysh në rundin e parë. PDK-ja në anën tjetër ka fituar pa balotazh vetëm në Drenas.

Lista Serbe ka fituar pa balotazh në Leposaviq, në Novobërdë, në Shtërpcë, në Zubin Potok, në Graçanicë, në Ranillug, në Partesh dhe në Mitrovicën Veriore. Rufki Suma ka fituar pa balotazh në Han të Elezit, ndërsa Bekim Jashari në Skenderaj.

Mbi 210 mijë vota për LDK-në

Udhëheqësi i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, ka zbuluar mbrëmë se partia më e madhe në vend është LDK-ja me 210 mijë vota. Kjo sipas rezultateve të zgjedhjeve djeshme lokale, pas numërimit të mbi 80 për qind të të dhënave.

Sipas Kryeziut, e dyta është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 140 mijë, apo 70 mijë vota më pak se partia e Isa Mustafës. Kurse edhe partia e Visar Ymerit nuk ka arritur që t’i sigurojë më shumë se 130 mijë vota.

Komunat në balotazh

Në shumicën e komunave të Kosovës do të ketë balotazh për t’i zgjedhur kryetarët e komunave.

Sipas rezultateve të KQZ-së, të monitoruara nga DnV-ja, këto komuna do të hyjnë në balotazh me këto dy parti si të parat: Gjakovë – AAK-ja 40,27 për qind, Alternativa 31,31 për qind, Gjilan – LDK-ja 43 për qind, LVV-ja 27,39 për qind, Dragash – LDK-ja 36,17 për qind, PDK-ja 33,05 për qind, Istog – LDK-ja 43,15 për qind, AAK-ja 36,68 për qind, Kaçanik – PDK-ja 38,48 për qind, LVV-ja 20,9 për qind, Klinë – PDK-ja 36,42 për qind, AAK-ja 25,9 për qind, Kamenicë – LVV-ja 34,23për qind, LDK-ja 29 për qind, Mitrovicë – PDK-ja 29,72 për qind, AKR-ja 26,67 për qind, Obiliq – AAK-ja 46,92 për qind, LDK-ja 26,23 për qind, Rahovec – AAK-ja 34,42 për qind, PDK-ja 29,02 për qind, Podujevë – LDK-ja 49,19 për qind, LVV-ja 29,76 për qind, Prishtina – LVV-ja 44,27 për qind, LDK-ja 35,7 për qind, Prizren – PDK-ja 29,49 për qind, LVV-ja 22,53 për qind, Shtime – PDK-ja 36,18 për qind, Kandidat i pavarur 26,6 për qind, Suharekë – AAK-ja 39,43 për qind, LDK-ja 33,67 për qind, Ferizaj – PDK-ja 39,65 për qind – LDK-ja 31,03 për qind, Vushtrri – PDK-ja 32,14 për qind, LVV-ja 27,7 për qind, Malishevë – Nisma 39,97 për qind, PDK-ja 27,72 për qind.

Parregullsitë e zgjedhjeve

Koalicioni i Organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) në konferencën e fundit për medie të mbajtur ditën e zgjedhjeve lokale ka raportuar për rezultatet e zgjedhjeve në bazë të rreth 80% të të dhënave të tyre të proceduara.

Sipas këtyre rezultateve, këto parti kanë dalë të parat në këto qytete: “Për shkak të rezultateve të paprocesura ka mundësi që shumë rezultate të lëvizin deri në fund”, theksoi Kryeziu. Në konferencën e parë për medie DnV-ja raportoi se u hapën me vonesë 5,9% të vendvotimeve në Kosovë. Nga terreni u raportua se në 2,4% të vendvotimeve në nivel vendi kanë munguar materialet zgjedhore.

Shqetësuese për DnV-në ishte mungesa e vulave në disa raste të raportuara në Deçan. Marrja e vulës dhe hapja e mbyllja sërish e vendvotimeve, sipas DnV-së, paraqiti rrezik për nisjen e fenomenit të “trenit bullgar” dhe ata kërkuan nga organet kompetente të merren me rastet e raportuara. Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar dolën 276,342 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 14,61% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.

Komunat me daljen më të madhe të votuesve në zgjedhje ishin: Kllokoti (32,10%), Mamusha (24,93%) dhe Leposaviqi (23,38%), kurse komunat me daljen më të vogël ishin: Skenderaj (9,36%), Dragash (10,85%) dhe Rahovec (11,20%).

Në mesditë DnV-ja raportoi se deri në orën 16:00 të drejtën e votës e shfrytëzuan 32,68% e qytetarëve të vendit, ose 618,010 qytetarë me të drejtë vote. Si problem i një natyre tjetër u raportua diskrepanca midis numrit të fletëvotimeve për kryetar komune dhe atyre për kuvend komunal.

“Demokracia në Veprim” (DnV) ka vëzhguar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha 2505 vendvotimet në territorin e Kosovës.

Për zgjedhjet komunale të 22 tetorit DnV-ja ka akredituar rreth 3000 vëzhgues, ndërsa 100 ekipe mobile, 150 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe dhjetëra staf shtesë janë vënë në mbështetje të këtij kontingjenti. 

Image

Image

Image