Tahiri: Do të ketë digjitalizim të shërbimeve në drejtësi

Aktuale October 19, 2017 - 16:35

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se gjykatat dhe institucionet tjera të drejtësisë duhet të digjitalizojnë shërbimet ndaj qytetarëve. E kjo sipas tij do të ndodhë. Për këtë ai sot ka diskutuar me partnerë ndërkombëtarë.

Tahiri thotë se efikasiteti i gjykatave dhe prokurorive në menaxhimin e rasteve duhet të kalojë në një dimension tërësisht të ri dhe më funksional.

“Qytetarët kanë të drejtë e po ashtu edhe nevojë për të pasur qasje më të lehtë dhe të sigurt në raport me lëndët e tyre në prokurori dhe gjykata”, ka thënë ai.

“I shpreha falënderimet e mia ambasadorit Norvegjez dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, për mbështetjen e tyre financiare në dizajnin dhe realizimin e projektit të digjitalizimit të sistemit të prokurorisë dhe gjykatave”, deklaron Tahiri.

Ky sistem, do të mundësojë regjistrimin online të rasteve, efikasitet më të madh në menaxhimin e tyre, statistika të sakta dhe rritjen e integritetit të sistemit të Drejtësisë në përgjithësi.