Serwer: Pajisja me pasaporta të Shqipërisë, zvogëlim i sovranitetit të Kosovës

Aktuale October 17, 2017 - 07:50
Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka thënë se kërkesa e presidentit Hashim Thaçi drejtuar homologut të tij Ilir Metës për pajisje të qytetarëve me pasaporta të Shqipërisë e zvogëlon sovranitetin e Kosovës. Sipas tij, një kërkesë e tillë nuk pranohet as nga Shqipëria nga frika e kthimit mbrapa të perspektivës së vet për në BE

Pajisja e qytetarëve të Kosovës me pasaporta të Shqipërisë, ashtu siç i kërkoi ditë më parë presidenti Hashim Thaçi homologut të tij Ilir Meta, do ta zvogëlonte sovranitetin e Kosovës.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën Zëri analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, duke shtuar se pavarësisht një kërkese të tillë Shqipëria nuk do t’u japë pasaporta kosovarëve, siç thotë ai, nga frika e kthimit mbrapa të perspektivës së vet për në Bashkimin Evropian.

Serwer gjatë kësaj interviste po ashtu ka folur edhe për kritikat e Thaçit ndaj ndërkombëtarëve për Gjykatën Speciale.

Sipas tij, nëse UÇK-ja dëshiron të mbahet mend për të mirë mbështetësit e saj nuk duhet t’i mbrojnë abuzimet e të drejtave të njeriut të kryera nga anëtarët e saj.

I pyetur se a do të detyrohet ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit për në BE, Serwer ka thënë se njohja duhet të ndodhë edhe më shpejt.

“Ajo nuk duhet të jetë njohje dypalëshe, por në vend të kësaj mund të vijë në formën e anëtarësimit në OKB dhe shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë të nivelit të ambasadorëve”, ka thënë mes tjerash Serwer gjatë intervistës për “Zërin”....(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)