Panik nga fruthi në Kosovë, raportohen raste të reja

Aktuale October 13, 2017 - 08:26

Numri i të prekurve nga epidemia e fruthit në Kosovë po shënon rritje. Janë hiç më pak se 36 raste me këtë sëmundje ngjitëse që po trajtohen në Klinikën Infektive në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), shkruan sot, gazeta Zeri.

Rastet më të shpeshta që po lajmërohen në këtë klinikë janë fëmijët e komuniteteve rom, shkali, si dhe egjiptian, derisa ka edhe nga shumica shqiptare të raportuar si të prekur nga kjo epidemi.

Edhe pse rastet e para zyrtarisht mësohet se janë paraqitur në muajin qershor, intervenimi i institucioneve sidomos për të pajisur me medikamente Klinikën Infektive ka ndodhur tek të enjten. Klinika Infektive është furnizuar vetëm në këtë ditë me barna nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.    

Hamdi Ramadani, drejtor i kësaj Klinike, ka bërë të ditur se momentalisht në këtë klinikë janë duke u mjekuar 36 raste me fruth.

Prej tyre ai ka thënë se katër raste janë në gjendje më të komplikuar. Përderisa rastet të tjera, sipas tij, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore pas trajtimit janë liruar për në shtëpi. Ramadani ka thënë se pacientët janë të moshave të ndryshme, duke filluar nga foshnjat e deri tek mosha 40-vjeçare, shkruan Zeri.

Ushtruesi i drejtorit të përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive po tregohet angazhim i lartë për të ofruar ndihmesën shëndetësore për rastet e paraqitura.

Ai ka premtuar se do të angazhohet bashkë me Bordin Drejtues dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të përmirësohet gjendja qoftë për sa i përket furnizimit me barna dhe me materiale shpenzuese, por edhe me infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme. Ndërkaq gjatë ditës zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së ka njoftuar se Klinika Infektive furnizohet me barna nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pas takimit të ud. të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, me ministrin e Shëndetësisë dhe me Bordin Drejtues të SHSKUK-së dhe kërkesave urgjente për furnizim me barna për Klinikën Infektive është arritur të bëhet furnizim urgjent nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në njoftim. Lista e prezantuar e Klinikës Infektive me barnat që është furnizuar dëshmon se në këtë klinikë ndonëse ka pasur pacientë të shtrirë të prekur nga fruthi prej kohësh kanë munguar edhe barnat esenciale. Në këtë listë figuron se klinika është furnizuar edhe me paracetamol, sistema për infuzion, gjilpëra, shiringa, ...etj. Madje sipas njoftimit të SHSKUK-së disa nga produktet e kërkuara nga Klinika nuk janë në Listën Esenciale, prandaj duhet të shqyrtohen mundësitë për furnizimin me ato produkte. 

Kishte mungesë të barnave

Bashkim Krasniqi, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e komunitetit egjiptian, ka konfirmuar për “Zërin” se është dashur të blihen edhe barnat elementare sepse këto nuk i ka poseduar Klinika. Ai ka thënë se të enjten kanë filluar të vijnë barnat e para nga MSH-ja. Krasniqi ka thënë se ndonëse mjekimi nga ana e mjekëve është në nivel të duhur dhe ekziston një mobilizim i lartë për t’i kontrolluar fëmijët, rreziku i rritjes së të prekurve nga kjo epidemi ekziston për shkak të mosvaksinimit. “Shifra e fëmijëve që po preken po rritet, po vazhdojnë të vijnë fëmijë në spital, tani janë rreth 30 fëmijë”. Krasniqi ka thënë se gjendja një ditë më parë ishte më e rëndë sepse mungonin barnat elementare. “Nuk i kanë pasur, është dashur të dalim dhe t’i blejmë, i kam blerë vetë personalisht dhe për krejt repartin. Sot ministri ka marrë vendim të furnizohen me disa barna”. Krasniqi ka thënë se në komunën e Fushë Kosovës vaksinat kanë filluar pasi është përhapur epidemia. “Ishte dashur të veprohet para se të vijë epidemia te fëmijët e jo pas epidemisë t’i marrin vaksinat”. Krasniqi ndonëse nuk mohon se është edhe neglizhencë e prindërve për dhënien e vaksinave fëmijëve, ai thotë se është përgjegjësi e ambulancës, si dhe e Ministrisë së Shëndetësisë që nuk kanë bërë ndonjëherë parandalim apo fushatë për parandalimin e këtij virusi. “Institucionet e kanë pranuar se prej qershorit ka filluar të ketë pacientë me këtë sëmundje, ndërsa te ne para një jave në Fushë Kosovë u bë e madhe”. Prej qershori deri më tani thotë se është dashur të bëhet ndonjë parandalim dhe vaksinimi të kryhet më herët.

Mungesa e informacionit për vaksinim

Ergjan Galushi, nga komuniteti rom, ka thënë për gazetën se në komunën e Prizrenit ka pasur mungesë të informacionit për vaksinimin. Ai thotë se ka munguar informacioni nga ana e institucioneve. “Institucionet duhet të bëjnë punën e vet sidomos me medie që sa më shpejt të vijë informacioni deri te prindi apo deri te ata familjarë që kanë fëmijët në moshën e vaksinimit”, thotë ai.

Ai apelon tek institucionet që të vaksinohen fëmijët dhe të bëhet fushatë më e madhe për informimin mbi pasojat e mosvaksinimit.