Tahiri: Do të marrin fund praktikat joligjore në burgjet e Kosovës

Aktuale September 22, 2017 - 17:37

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se do takuar sot Drejtorin e burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj me të cilin ka biseduar për gjendjen në burgjet e Kosovës.

Tahiri, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” ka thënë se do të angazhohet që të marrë fund çdo praktikë jo ligjore në qendrat korrektuese të Kosovës, dhe po ashtu për një trajtim të burgosurve, sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.  

“Në komponentën ekzekutive të mandatit tim si ministër i Drejtësisë, bie edhe veprimtaria e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përkatësisht menaxhimi i Qendrave Korrektuese. Së bashku me menaxhmentin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, do të sigurohemi që dinjiteti dhe të drejtat e personave në vuajtje të dënimit, do të respektohen sipas ligjeve vendore, konventave dhe standardeve ndërkombëtare. Por, po ashtu do të sigurohemi që të marrë fund çdo praktikë joligjore brenda Qendrave Korrektuese të Kosovës. Trajtova edhe rastin e fundit ku pati një zjarrvënie në Burgun e Dubravës, i cili falë intervenimit të shpejtë mbeti incident i izoluar. Gjendja në Qendrat Korrektuese të Kosovës përgjithësisht është e mire dhe se përgjegjësitë tona janë duke u zbatuar konform normave ligjore ndaj 1,601 personave në vuajtje të dënimit. I vetëdijshëm që kjo fushë kërkon angazhim të plotë dhe bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovës si dhe me Policinë e Kosovës, jam zotuar se do të ballafaqohem me të gjitha problemet e natyrave të ndryshme të kësaj fushe për t’iu dhënë zgjidhje institucionale siç e parasheh ligji!”, ka shkruar ai.