Paralajmërimi i Thaçit për kompromisin më të madh të shtetit

Aktuale September 21, 2017 - 11:20

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është vënë në kërkim të krijimit të një Ekipi të Unitetit, bashkë me të cilin do ta ndante përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.

Nevojën për një ekip të ngjashëm me atë që i kishte zhvilluar negociatat në Vjenë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës nuk e ndjente atëherë kur erdhi për herë të parë në pushtet në fund të vitit 2007.

Me entuziazmin e shpalljes së pavarësisë vetëm pak muaj pasi kishte marr drejtimin e Qeverisë, ai konsideronte se përgjegjësia për të dialoguar me Serbinë për relaksim të marrëdhënieve u takonte liderëve institucional. Për këtë pati mbështetje edhe nga ish- presidenti, Fatmir Sejdiu.

Pas kaq vitesh, gjërat nuk kanë ndryshuar gjithaq në raport me Serbinë, por Thaçi e ka ndryshuar diskursin. Tash ai jo vetëm që kërkon Ekip të Unitetit, por e shpreh domosdonë edhe për një referendum gjithëpopullor në lidhje me marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

A është ky një paralajmërim për një kompromis të madh, ndoshta më të madhin për Kosovën?

Thaçi e jep këtë shpjegim për Aktivpress: Në momentin që arrihet një marrëveshje e tillë historike e normalizimit dhe pajtimit, mendoj se nuk është vetëm aspekt procedural por është aspekt edhe jetik i vullnetit të qytetarëve dhe këtë marrëveshje unë mendoj që të dy vendet dhe popujt tanë duhet ta vulosin me vet vullnetin e tyre përtej procedurave dhe pengesave të politikave ditore, qoftë të qeverive tona, qoftë të parlamenteve tona. Pra, vet qytetarët e vendit të Kosovës të vulosin këtë marrëveshje, a janë në favor apo nuk janë, por jam i sigurt se qytetarët e Kosovës duan të jenë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara…

Se çka nënkupton ai me fjalën “favor”, nuk dihet. Ajo që dihet është se në Serbi janë shtuar zërat për një ndarje të re të Kosovës.

Dyshimet rriten kur kreu i shtetit deklaron se nuk e di se si do të jetë marrëveshja përfundimtare. Ai vetëm e di se Serbia nuk do ta njoh Kosovën, të paktën jo në një të ardhme të afërt.

“Njohja e Kosovës nga Serbia nuk mund të pritet menjëherë por ajo është një proces i pandalshëm dhe do të ndodhë herët a vonë, mirëpo është herët të spekulojmë apo prejudikojmë se si do të përmbyllet marrëveshja përfundimtare, por ne do të punojmë që diçka e tillë të ndodhë në përmbyllje të këtij procesi”, ka thënë Thaçi.

Kuvendi i Kosovës, ka nxjerrë një rezolutë të veçantë për mënyrën e zhvillimit por edhe të përfundimit të dialogut me Serbinë.

Në atë rezolutë, parashihet që dialogu të udhëhiqet nga Qeveria, ndërsa marrëveshja përfundimtare të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Por, Thaçi si president  e ka marr timonin e dialogut pa ia dhënë askush këtë të drejtë.

Synimi i tij është të shënoj edhe një akt historik.

Por, a do të jetë ky një akt i lavdisë, apo i dështimit, koha do ta dëshmoj./Aktivpress/