Haziri thumbon Shpend Ahmetin e Albin Kurtin

Aktuale September 19, 2017 - 19:12

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka komentuar lidhur me rastin e Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo që u akuzua nga disa banorë të lagjes “Dardania” në kryeqytet se të njëjtit i ka keqtrajtuar gjatë luftës.

Ai e ka cilësuar këtë rast të ministrit Rikalo si të ngjashëm me ministrin e dikurshëm për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq që ishte shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.

“Rasti Rikalo i përngjan rastit Jabllanoviq dhe askush nuk merret seriozisht se a ka dyshime apo jo nëse ka cënuar jetën e qytetarëve të Kosovës”.

“Për rastin Jabllanoviq u bë protestë qytetare, u bë presion publik. Mustafa e ka shkarkuar edhepse i ka kushtuar me bojkot nga Lista Serbe”.

Haziri që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ministri Rikalo duhet të ballafaqohet me drejtësinë.

“Duhet të trajtohet seriozisht shqetësimi i qytetarëve, rasti duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit. Duhet të ballafaqohet me drejtësinë”.

“Asnjëherë nuk mund të themi që duhet dhe mund të amnistohen për shkak se kanë hyrë në Qeveri”.

“Jam kundër çdo tendence qëllimkeqe për njollosjen e njerëzve por unë i besoj asaj familje, ata banorë kanë mbijetuar në Prishtinë dhe nuk kanë arsye me dal pas 17 vjetëve dhe me thënë që janë ballafaquar me probleme të tilla”.

“Si rast duhet të trajtohet seriozisht”.

Por Haziri nuk ka lënë edhe pa thumbuar Shpend Ahmetin dhe Albin Kurtin nga Vetëvendosja.

Ai ka zënë shkas një deklaratë të ministrit Rikalo që ka thënë se bashkë me Shpend Ahmetin kanë punuar në fondacionin Soros derisa me Albin Kurtin në vitin 2003 kanë themeluar KAN-in.

“Ata që bëjnë protesta si duket e kanë pasur far jarani pas luftës”.

“Unë kam thënë edhe para disa jave që KAN-i nuk ka qenë organizatë nacionale, pas luftës ka qenë organizatë e guximshme që ka tejkaluar politikat e kohës, ka reaguar guximshëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve”.

Ai ka thënë se për këtë çështje duhet të sqarohen vetë figurat që janë përmendur, por që sipas tij, më e rëndësishme është se çfarë ka bërë Rikalo para luftës dhe a ka kërcënuar jetën e njerëzve se sa me kë ka krijuar miqësi pas luftës.