Opozita mposht PAN-in nëpër komisione

Aktuale September 19, 2017 - 16:37

 

Në mbledhjen e nesërme të Kuvendit të Kosovës pritet që të formohet përbërja e re e komisioneve parlamentare  ku në bazë të deklarimeve të deritanishme pritet të jetë shtatë grupe parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 32 anëtarë, LDK 27, PDK 25, Lista Serbe 11, AAK 9, Grupi 6+ 9,  dhe NISMA me 6 anëtarë.

Monitoruesi i Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi në një përgjigje për “Indeksonline” ka shpjeguar se rregullorja aktuale e Kuvendit ka paraparë që Kuvendi t’i ketë 4 komisione të përhershme dhe 12 komisione funksionale.


Sipas tij, në varësi të asaj se cilat grupe të reja parlamentare do të formohen dhe cila do të jetë forca e tyre, do të ndikohet edhe në përbërjen e anëtarësisë së Komisioneve. Po ashtu, mund të ndikoj edhe numri  i komisioneve që do të formohen si dhe numri i anëtarëve për secilin komision.

“Kjo do të vendoset në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, mirëpo në bazë të deklarimeve të deritanishme pritet t’i kemi shtatë grupe parlamentar si në vijim: LVV (32 anëtarë), LDK 27 (anëtarë), PDK (25 anëtarë), Lista Serbe (11 anëtarë), AAK (10 anëtarë), Grupi 6+ (9 anëtarë) dhe NISMA (6 anëtarë). Zakonisht, komisionet përbëhen prej 9 deri në 11 anëtarë. Nëse paritë politike që janë në pushtet i kanë 61 deputetë, atëherë do të kenë edhe shumicën e anëtarëve në komisionet parlamentare. Ta zëmë, nëse një komision ka 11 anëtarë, prej tyre 6 do të jenë nga partitë në pushtet kurse 5 nga partitë në opozitë. Sa i përket udhëheqjes së komisioneve parlamentare, nëse janë 14, ato duhet të ndahen nga 7 për paritë në pushtet dhe 7 të tjera nga partitë në opozitë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shpjeguar procedurën paraprake se si një deputet nuk mund të jetë kryetar në më shumë se një komision, po ashtu, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit nuk mund të jenë kryetar të komisioneve.


Ndërkaq sa i përket deputetëve pa grup parlamentar mund të marrin pjesë në komisione, por që nuk kanë të drejtë vote.

“Komisionet parlamentare janë trupa punues të Kuvendit dhe pasqyrojnë përbërjen e Kuvendit. Komisionet mund të jenë të përhershme apo funksionale. Komisionet përbëhen prej kryetarit, dy zëvendëskryetarëve dhe anëtarëve të cilët propozohen prej grupeve parlamentare. Së paku njëri zëvendëskryetar duhet të jetë nga komuniteti tjerë nga ai i kryetarit. Kryetarët e komisioneve propozohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në Kryesi për caktimin e posteve të kryetarëve të komisioneve, e cila duhet të jetë në proporcion me forcën e grupeve parlamentare”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, zyrtari i KDI-së theksoi se një deputet nuk mund të jetë kryetar në më shumë se një komision, po ashtu, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit nuk mund të jenë kryetar të komisioneve.


“Deputetët pa grup parlamentar mund të marrin pjesë në komisione, por që nuk kanë të drejtë vote. Kuvendi e përcakton numrin e komisioneve të përhershme dhe funksionale. Rregullorja aktuale e Kuvendit ka paraparë që Kuvendi t’i ketë 4 komisione të përhershme dhe 12 komisione funksionale. Kryesia e propozon numrin e anëtarëve për çdo komision”, ka thënë Krasniqi.