Edhe Korab Sejdiu i përgjigjet ftesës së Zafir Berishës për rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’

Aktuale September 19, 2017 - 11:34

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka komentuar zërat e fundit rreth inicimit të një mocioni për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Në një prononcim për “Indeksonine”, ai ka thënë se s’ka ndonjë vlerësim konkrate për punën e Qeverisë.

“Por, sidoqoftë, sa i përket një mocioni të tillë unë nuk kam qasja aktualisht për një mocion të tillë pasi nuk më është dorëzuar nga askush. Në momentin që më dorëzohet e shoh bazën në të cilën është ndërtu dhe e shoh mënyrën se si është arsyetu dhe e shoh e vlerësoj dhe a është në interes të qytetarëve me votu pro”, ka thënë ai.

Ndryshe, ishte deputeti i Nisma-s Zafir Berish i cili ka bërë thirrje Vetëvendosjes dhe LDK-në për t’i bërë 60 vota për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ai ka premtuar se nëse dy partitë opozitare i bëjnë këto vota, atëherë ai do të kontribuoj si i 61-ti për rrëzimin e qeverisë.

Berisha, pavarësisht faktit se partia e tij është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk do të mendohet dy herë për ta dhënë votën e tij pro rrëzimit të saj. Kështu ka thënë ai për gazetën “Zëri”, pasi që dyshon se kundër po zhvillohet një fushatë e qëllimshme politike.

“Meqë në adresën time ka një komplot institucional, i ndikuar nga banditët që e kanë kapur shtetin dhe ju e dini se kam një pengesë nga këta banditë që janë në këto institucione lidhur me garën time në Prizren, atëherë unë edhe kam dalë me këtë ofertë publike për LDK-në dhe ‘Vetëvendosjen’”,ka thënë Berisha për "Zërin".

Vlen të theksohet se opozita deri tani ka 57 vota +1 (58) edhe një votë tjetër e Sejdiut.