Performanca e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit Janar-Qershor 2017

Aktuale September 15, 2017 - 13:27

Lëvizja FOL, sot bëri prezantimin me matje statistikore për performancën e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit për periudhën Janar-Mars dhe Prill-Qershor të vitit 2017. Në këtë prezantim u tha që numri i lëndëve të pazgjidhura dhe kohëzgjatja për përfundimin e lëndëve mbetet ende një sfidë për Prokurorinë e Kosovës. Ky raport i performancës është i bazuar në statistikat zyrtare të publikuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), raporton "Zeri.info".

Për matjen e efikasitetit të Prokurorive mbi bazën e statistikave zyrtare, Lëvizja FOL ka përdorur formulat e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

Kjo matje e realizuar nga Lëvizja FOL nuk përfshin të gjithë sistemin prokuroria dhe nuk përfshin të gjitha lëndët dhe llojet e veprave. Matja u bë për një grup të veçantë të veprave penale më saktësisht për Kapitullin XXXIV të Kodit Penal të Kosovës – Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, nenet 422-437.

Fushat në të cilat FOL ka bërë matjen e performancës së Prokurorisë janë: 1) Fluksi i lëndëve, 2) norma e zgjidhjeve të lëndëve, 3) trendi i zgjidhjes së lëndëve, 4) norma e qarkullimit të lëndëve, 5) kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve dhe 6) indeksi i lëndëve të grumbulluara.

1)  Fluksi i lëndëve tregon se si qëndron raporti ndërmjet lëndëve të reja, lëndëve të zgjidhura dhe lëndëve në pritje.

Statistikat në nivel qendror për Prokuroritë Themelore dhe për Prokurorinë Speciale për periudhën Janar-Mars 2017, për veprat penale korrupsion zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare janë këto: Lëndë të trashëguara për persona më 1 Janar 2017: 1151, lëndë të reja (për persona): 203, lëndë në punë (për persona): 1354, lëndë të zgjidhura gjatë vitit kalendarik: 228 dhe raste të pazgjidhura më 31.03.2017: 1126. Fluksi i lëndëve në nivel qendror për periudhën Prill-Qershor 2017 janë: lëndë të pazgjedhura për persona më 1 Prill 2017: 1083, lëndë të reja: 160, lëndë në punë: 1243, lëndë të zgjidhura: 271, raste të pazgjidhura më 30.06.2017: 972. Në nivel lokal, në Prishtinë ka pasur numrin më të madh të lëndëve të trashëguara dhe lëndëve në punë.

2)  Norma e zgjedhjes së lëndëve është tregues i performancës së punës së Prokurorive. Norma e zgjidhjes së lëndëve në nivel qendror për  periudhën Janar-Mars 2017 ishte 112%. Në tre mujorin e dytë të vitit 2017, norma e zgjidhjeve të lëndëve për nivel qendror ishte 169%. Në nivelin lokal, Prokuroritë themelore dhe speciale të Ferizajit dhe Prizreni gjatë tre mujorit të parë kishin përqindjen më të madhe të zgjidhjes së lëndëve, Ferizaji me 200% dhe Prizreni me 177%. Në periudhën Prill-Qershor 2017, normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve e kishin Mitrovica me 470% dhe Gjakova me 325%.

3) Sa i përket trendit të zgjidhjes së lëndëve në nivel qëndror. Bazuar në normën e zgjidhjes së lëndëve të treguar për tre mujorin e parë të vitit 2017, nivelizimi i lëndëve me normën e zgjidhjes së lëndëve 112% do të arrihet në vitin 2071, pra për 54 vjet. Në tre mujorin e dytë të vitit 2017, norma e zgjidhjeve të lëndëve në nivel qëndror ishte më e lartë krahasuar me tre mujorin e parë të vitit 2017. Nivelizimi i lëndëve me normën e zgjidhjes së lëndëve 169% do të arrihet në vitin 2028, pra 11 vite.

4) Norma e qarkullimit të lëndëve mat se sa shpejt sistemi i Prokurorisë i trajton lëndët që i pranon ose se sa shumë kohë merr sistemi për zgjidhjen e një rasti.

Norma e qarkullimit llogaritet si pjesëtim mes numrit të lëndëve të zgjidhura në fund të periudhës raportuese dhe numrit të lëndëve ta pazgjidhura, pastaj kjo normë pjesëtohet me 90 si rezultat i statistikave 3 mujore. Për periudhën Janar-Mars 2017, norma e qarkullimit të lëndëve në nivel qendror ishte 0.20. Gjatë kësaj periudhe, në nivel lokal, Prizreni kishte normën më të lartë me 0.96. Normën më të vogël të qarkullimit të lëndëve e kishte Mitrovica me 0.02. Në tre mujorin e dytë të vitit 2017, norma e qarkullimi të lëndëve në nivel qendror ishte 0.27. Në nivelin lokal,  normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve e kishte Ferizaji me 0.79 dhe Gjilani me 0.68.

5) Kohëzgjatja e përfundimit të lëndëve në nivel qendror të periudhës Janar-Mars 2017 është 450 ditë, ndërsa në periudhën Prill-Qershor kemi një efikasitet më të madh në përfundimin e lëndëve në nivel qendror. Në periudhën Prill-Qershor, kohëzgjatja e përfundimit të lëndëve është 333 ditë. Në nivel lokal, kohëzgjatja më e madhe për përfundimin e lëndëve në periudhën Janar-Mars ishte në Mitrovicë me 4500 ditë. Në periudhën Prill-Qershor, kohëzgjatja më e madhe për përfundimin e lëndëve ishte në Prokurorinë Speciale me 1000 ditë.

6) Indeksi i lëndëve të grumbulluara përcaktohet nga numri i lëndëve të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, i pjesëtuar me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë periudhës raportuese. Në nivelin qendror, indeksi i lëndëve të grumbulluara për periudhën Janar-Mars 2017 është 5.0. Në periudhën Prill-Qershor 2017, indeksi i lëndëve të grumbulluara është 4.0. Në nivelin lokal, indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara gjate periudhës Janar-Mars e kishte Mitrovica me 38.4. Në periudhën Prill-Qershor, indeksi më i lartë të lëndëve të grumbulluara ishte në Prokurorinë Speciale me 10.6.