Vllahiu: Kryeministri do ta përfundojë shumë shpejt çështjen e demarkacionit

Aktuale September 15, 2017 - 10:59

Arbër Vllahiu, nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se pas krijimit të komisionit të ri, në krye me Shpejtim Bulliqin, do të caktohen hapat se si të veprohet tutje lidhur me Demarkacionin.

“Një ekspert i ri është emëruar dhe pritet që ta krijojë së shpejti Komisionin. Pasi t’i ketë kryer punën Komisioni do të vlerësohen hapat e mëtejmë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, është shprehur i vendosur se kryeministri Haradinaj do ta zgjidhë shumë shpejt çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Është çështje me urgjencë dhe prandaj vendimi i parë i kryeministrit Haradinaj në ditën e parë të punës ishte i ndërlidhur pikërisht me çështjen e demarkacionit. Kjo dëshmon se kryeministri do që ta përfundojë shpejt këtë çështje të hapur, që mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së”, ka potencuar Vllahiu./Zeri/.