Aktuale

Arrihet marrëveshja mes Qeverisë dhe banorëve të Shipitullës e Hades

Arrihet marrëveshja mes Qeverisë dhe banorëve të Shipitullës e Hades
13 shtator 2017 • 19 : 02

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdoi sot takimet me delegacionet e fshatrave Shipitullë dhe Hade, me të cilët një ditë më parë pati zhvilluar bisedat gjatë ditës deri në orët e vona të natës në Obiliq. 

Sipas një njoftimi nga kryeministria, Haradinaj ka dëgjuar shqetësimet dhe problemet e delegacioneve të dy fshatrave të Komunës së Obiliqit për çështjen e shpronësimit të pronave të pasura me thëngjill, të domosdoshëm për furnizimin e rregullt të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Tani, në njoftimin për media theksohet se është arritur marrëveshja dhe, sipas Haradinajt, me këtë marrëveshje mundësohet që KEK-u të rinisë punën për të garantuar furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

“Në bisedë me delegacionet e të dyja fshatrave të Komunës së Obiliqit, kryeministri Haradinaj ka arritur pajtueshmërinë për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade. Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit. Kryeministri Haradinaj tha se kjo marrëveshje mundëson që eskavatorët e KEK-ut menjëherë të rinisin punën në mënyrë që të garantojë furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike. Përveç kësaj Kosova mbi të gjitha përfiton, meqë një nga problemet e qytetarëve të saj është zgjidhur në harmoni të plotë me kërkesat e tyre”, thuhet në njoftim.

© zëri.info