Tahiri: Duhet Ekip Uniteti për të folur për njohjen, demarkacionin e dëmshpërblimet e luftës

Aktuale September 03, 2017 - 18:35

Fundi i dialogut me Serbinë e kërkon një format të Ekipit të Unitetit. Një ekip që përbëhet nga pozita e opozita.

Bazuar në përvojën e Rambujës e Vjenës do të formohet ky ekip nga pozita e opozita. SHBA ka qenë vazhdimisht pjesë e dialogut.

Por, kundërshtojmë çfarëdo përfshirje të Rusisë në këtë proces. Në këtë fazë të dialogut do të diskutohen edhe temat e demarkacionit, dëmshpërblimet e luftës dhe suksesionit. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, flet për Express.

Express: Për idenë e unitetit për formimin e një grupi për të dialoguar me Serbinë. A ka mundësi që të  krijohet një ekip i tillë, a mund të ketë sukses dhe a është i duhur ai pikërisht në këtë kohë?

Edita Tahiri:  E para, fakti që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do ta ketë fundin e vet dhe ky fund do të jetë përmes një faze përfundimtare ku në qendër do të jetë njohja reciproke mes dy shteteve dhe vendosja e paqes dhe fqinjësisë së mirë, që është një projekt i madh që synon mbylljen e armiqësive dhe krijimin e fqinjësisë për gjeneratat e reja që të mos kenë më probleme ndërshtetërore, kërkon që edhe përfaqësimi i Republikës së Kosovës të jetë më një delegacion që ka legjitimitet të gjerë. Njëjtë siç e kemi përmendur edhe më herët si ekipi i unitetit i cili ka qenë në Vjenë dhe që edhe në atë kohë edhe tash duhet të udhëhiqet nga Presidenti, por i përfaqësuar edhe nga qeveria edhe nga parlamenti, por edhe nga aspekti parlamentar pozitë-opozitë.

Express: Sa ka gjasa, duke e parë polarizimin e madh të partive politike, që të krijohet dhe të ketë ekip të unitetit, siç ka qenë edhe më herët, ku kanë qenë pjesëmarrës pothuajse të gjitha partitë politike? Sa ka gjasa që të formohet një ekip i tillë?

Edita Tahiri: Tani unë po flas nga përvoja në skenën politike për gati tri dekada. Unë vetë i kam përjetuar momentet historike, ku pavarësisht polarizimeve ne kemi ditur të jemi të bashkuar për të përballuar sfidat e mëdha, siç ka qenë Konferenca e Rambujesë, kemi shkuar të ndarë por jemi bashkuar atje. Kemi vepruar si delegacion i Republikës së Kosovës dhe kemi dalë me sukses, sepse Ramujeja e hapi rrugën për intervenimin e NATO-s, bombardimin e Serbisë. Të njëjtën e bëmë kur ishin bisedimet e Vjenës për dy vjet, pra edhe pozita edhe opozita u bënë bashkë dhe u përfaqësuam në mënyrë unike.

Prandaj edhe tash do të duhej, për shkak të rëndësisë historike që mund të ketë ky proces dialogu, për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të krijuar njohje reciproke mendoj se e kërkon një vetëbesim apo dhënie prioriteti interesit nacional dhe të kemi përsëri bashkim për të ardhur te rezultati që po synojmë. Kjo lidhet me integrimet evropiane, sepse fqinjësia e mirë është kusht edhe për Kosovën edhe për Serbinë në rrugën e integrimit evropian. Prandaj edhe skena politike duhet të reflektojë përgjegjësi në nivelin e interesit nacional dhe të jetë në shërbim të interesit nacional. Si do që të bëhet, unë dua të besoj që spektri politik e ka parasysh që Kosova ka nevojë të ecë përpara më shpejt dhe më mirë. E di që edhe në vitin 2011 nuk kanë marrë pjesë opozita, pastaj në vitin 2013 në fazën e dialogut kishim AAK-në nga opozita si delegacion, pra, nuk kemi pasur një ekip uniteti por kemi pas edhe parti opozitare që janë bashku dhe e kanë bërë ekipin e unitetit. Por, si të krijohen institucionet ky është mision kombëtar për ta mbyllur kapitullin e armiqësive dhe për të vendosur njohjen.

Express: Përveç njohjes, cilat tema tjera mund të diskutohen ose të përmbyllen?

Edita Tahiri: Përveç njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve duhet të adresohet çështja e demarkacionit mes dy shteteve, pastaj kompensimi i dëmeve të luftës që Serbia ia ka borxh Kosovës për luftën dhe gjenocidin që e ka bërë. Dëmshpërblimi garantohet nga e drejta ndërkombëtare dhe në çdo vend ku ka pasur luftë pala agresore është detyruar të bëjë dëmshpërblime për luftën. Pastaj kemi temën e suksesionit, Kosova ka qenë një prej tetë njësive federale të ish-Jugosllavisë dhe i takon pasuria e ish-shtetit, një e teta e pasurisë. Edhe Serbia ka qenë një prej ish-shteteve federale, tani duhet të ndodhë edhe ndarja e pasurisë dhe aseteve që nga koha kur kemi qenë në atë krijesë shtetërore që nuk ekziston më.

Express: U përmend që ndërmjetësuese është BE-ja, ndërsa pati ide që të përfshihet edhe SHBA’ja, me ç’rast Serbia kërkoi që nëse përfshihet SHBA’ja të përfshihet edhe Rusia e Kina dhe fuqitë tjera. Cili është pozicioni i Kosovës sa i përket përfshirjes së fuqive të mëdha në fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi?

Edita Tahiri: SHBA-ja është e përfshirë në dialog, në periudhën 2011-2012 SHBA-të kanë qenë pjesë e tavolinës negociatore. Përfaqësuesi i lartë i Amerikës ka qenë pjesë e bisedimeve me përfaqësuesin e BE’së. Në fazën e dytë të dialogut pas 2013, SHBA ka qenë pjesë e dialogut, nuk ka marrë pjesë në tavolinën e bisedimeve por ka qenë vazhdimisht në Bruksel. Ka takuar të dy palët, edhe të Kosovës edhe të Serbisë, ka takuar edhe BE-në dhe ka ndihmuar që të vihen marrëveshje dhe zbatime. Pra, SHBA është pjesë e dialogut. Ndërsa çfarë do të jetë faza e tretë, a do të jetë në tryezë apo, siç e shpjegova, mbetet të shihet. Ndërsa, ne jemi kundër çfarëdo rikthimi të ndikimit të Rusisë në Ballkan, sepse pikërisht vuajtjet dhe shtypjet e shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë jo-serbë kanë ardhur edhe si rezultat i mbështetjes së Serbisë tek aleati rus. Pra, edhe me kushtetutë edhe me vizion jemi shtet euroatlantik dhe jemi kundër pjesëmarrjes së Rusisë, jo vetëm në bisedime, por në asnjë proces që ka të bëjë me rajonin dhe Kosovën, Ndërsa Kina s’ka çka lyp këndej, sepse Kina s’ka ndonjë involvim apo interes për Ballkanin. Ajo që Kina ende nuk e ka njohur Kosovën - Kina i ka njohur pasaportat. Vetë e kam përdorur pasaportën e Kosovës në atë territor.

Express: Si parashihet të përmbyllet kjo fazë e dialogut?

Edita Tahiri: Nuk besoj që është me rëndësi se cili do të jetë instrumenti i njohjes reciproke. Është e rëndësishme të flasim për përmbajtjen dhe kjo përmbajtje është e qartë - që pavarësia e unitetit territorial dhe sovraniteti janë të njohura me të drejtën ndërkombëtare.