Thaçi uron vitin e ri shkollor: Të bëhemi pjesë e konkurrencës së dijes botërore

Aktuale September 03, 2017 - 17:26
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me anë të një postimi në facebook ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor i cili starton nesër.

Ai ka thënë se për shumë nxënës nesër fillon një rrugëtim i ri për të ardhmen e Kosovës.

“Nesër, në shkollat e Kosovës hapen dyert për fillimin e vitit të ri shkollor 2017/2018.Për shumë nxënës, nesër fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre, të familjes, por edhe të shtetit të Kosovës. Arsimi dhe aftësimi profesional asnjëherë nuk ka qenë më i rëndësishëm sesa sot”, ka shkruar ndër të tjerash presidenti Thaçi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook".

Postimi i plotë i presidentit Thaçi: 

Nesër, në shkollat e Kosovës hapen dyert për fillimin e vitit të ri shkollor 2017/2018.

Për shumë nxënës, nesër fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre, të familjes, por edhe të shtetit të Kosovës.

Arsimi dhe aftësimi profesional asnjëherë nuk ka qenë më i rëndësishëm sesa sot.

Prandaj, është obligim i të gjithëve: shtetit, shkollave, mësimdhënësve, prindërve që nxënësit tanë të bëhen pjesë e konkurrencës së dijes, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe pjesë e mobilitetit social në Evropë dhe botë.

Jam i bindur se edhe në këtë vit shkollor do të shënohen të arritura me të cilat do të krenohemi si shtet dhe shoqëri.

Urime fillimi i vitit të ri shkollor të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve të Kosovës. HTH