Nëna me dy jetimë jeton në skamje dhe pa shtëpi (FOTO+VIDEO)
Nëna po rrit dy fëmijë jetimë vetëm nga vitrat, ajo vetë ushqehet me bukën e katër ditëve që t’ua kursejë miellin fëmijëve të saj, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Dy fëmijë jetimë dhe nëna e tyre kanë mbetur pa shtëpi. Ata po jetojnë në kushte të rënda ekonomike pas vdekjes së kryefamiljarit, 18 muaj më parë.
Kjo nënë e vetme po rrit fëmijët e saj vetëm në një dhomë, në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.
Ata po mbesin gjallë vetëm nga vitrat (ndihmat) që mund t’ua dërgojë dikush. Shiu gjatë natës pikon nga tavani i dëmtuar mbi trupat e këtyre dy fëmijëve. Dy fëmijët jetimë flenë në sfungjer të vendosur mbi dyshemenë, e shtruar nga çimentoja.
Dritaret dhe dyert nuk e ndalin as të ftohtit dhe as ujin, i cili depërton mbi trupat e njomë. Kjo nënë apelon të ndihmohet me një copë tokë për të ndërtuar një shtëpi, sado e vogël të jetë, vetëm të mos i lërë në rrugë fëmijët.
Nëna Elfie Retkoceri lutet të mos bjerë shi e të bëjnë gjumin e qetë fëmijët e saj, shkruan tutuje "Zëri".
“Kur bie shi pikon tavani dhe bie mbi trupat e fëmijëve. Edhe uji hyn nga dera, edhe nga dritaret”.
Ajo rrëfen sesi në netët me shi rri zgjuar dhe vendos një kove midis fëmijëve të saj të shtrirë në sfungjerë.
“Qull u bëhet fëmijëve jorgani. Lart nga tavani i lag uji që hyn nga shiu, poshtë ndër sfungjer hyn nga dera. Kur bie shi i madh hyn uji brenda prej jashtë sepse nuk mbyllen dyert”, rrëfen ajo.
Po rrit fëmijët me vitra
Kjo familje u rrezikua edhe të digjet nga rryma prej depërtimit të ujit në orën e rrymës. “KEK-u kur erdhën ta rregullojnë orën na thanë se kemi qenë të rrezikuar të digjemi”. Pas luftës këtë dhomë, ajo thotë, se i ndihmuan ta ndërtojnë të tjerët.
“Dikush na bleu blloqet, dikush dyert e dritaret dhe na sollën e na strehuan këtu”.
Por dhoma ku po strehohen nuk ka as tualet. Pranë kësaj dhome nuk ka as kanalizim.
“Fëmijët i shtroj në sfungjerë, është çimento, por nuk kam çka të bëj. I mbuloj me jorganë edhe me qebe”. Kësaj familjeje i mungojnë edhe drutë.
“Po të mos na ndihmonin njerëzit, fqinjët përreth, e po të mos na japin vitrat nuk e di si do t’ia dalim”. Madje, ajo thotë se dhe drutë i siguron nga paratë e vitrave. “Me shporet nxehemi, dru veç kush na sjell vitrat i ndaj ato pare dhe i blej”.
Nëna Elfie tregon se krejt të ardhurat e kësaj familjeje janë një social prej 85 eurove.
Ankohen në pushtetarët: Nuk po mendojnë për skamnorët
Me ndihmën sociale që merr ajo thekson se nuk arrin t’i shkollojë fëmijët.
“Me vitrat mbes gjallë, i shkolloj fëmijët me çka të më jep dikush”.
Ajo thotë se bashkëshorti i saj ishte ish-punëtor i ish-ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” dhe sa ishte gjallë gëzonin dhe një pension.
“Me vdekjen e tij na u ndal dhe pensioni”. Kurse tani të hollat e ndihmës sociale tregon se duhet t’i ndajë edhe për barna për vete.
“85 euro marr social. Prej socialit i ndaj paret me ble barna”. Ajo thotë se i ndodh që të mos i blejë barnat, të mbesë dhe pa to.
“Kur e shoh që s’po kam mundësi t’i marrë barnat, i ndaj përgjysmë kokrrat e tabletave që t’i kursej e të mos mbes pa to hiç. Por, më ndodh të mbes dhe pa to hiç”. Qeveria, sipas saj nuk po interesohet për skamnorët.
“Qeverisë si ajo lokale, si ajo qendrore kurrë nuk i ka interesuar për ne, kurse votat po i kërkojnë”.
Ajo apelon të ndihmohen skamnorët.
Sipas saj, me ardhjen e lirisë të gjithë besuan se më populli nuk do të vuajë për bukë.
“Duhet të ndihmohet skamnori, çka kemi hequr për të fituar këtë liri, sa njeriu ka shkuar (ka vdekur) po këta (politikanë, pushtetarë) veç për vete. Në medie i pamë dhe pasuritë e këtyre të mëdhenjve sa tokën, sa shtëpinë e kishin e unë sot jetoj vetë e treta në këtë dhomë. A është e drejtë kjo për shtet? Nuk është e drejtë. Nuk ju bënë përshtypje a kam apo nuk kam unë. Dalin dhe vetëm kërkojnë votën”.
Elfie Retkoceri thotë se nuk e di se si do ta presë dimrin në këtë dhomë.
Ushqehen me bukën e katër ditëve
“Gjithë ngushtohet njeriu me lyp ndihma prej dikujt. Nuk po mund t’i thuash gjithë dikujt më jep, më ndihmo”, thotë ajo derisa rrëfen se si fëmijët e saj do të nisin shkollën me këpucë të shqyera. “Sot dikush ua dha do pare (vitra), dolën me ble nga një palë këpuca. Djali i madh puma nuk ka, krejt të shqyera, po është koha e mirë e thahen dhe nuk po bie shi me ua leshu uji, se nuk mund shkon me ato. Sa është gishti i ka të shqyera pumat mbrapa të thembra”.
Nëna Elfie ushqehet dhe me bukën e katër ditëve.
“Një kafshatë bukë nuk e gjuaj, me kon buka e katër ditëve e ha. Më ka ndodh katër ditë e kam hëngër duke kursyer, e fëmijëve u kam gatuar taze”.
Ajo tregon se fëmijët i nis në shkollë pa ua dhënë asnjë cent me vete. “Tybe pare për bukë në shkollë nuk ju jap, nuk kam”, thotë ajo për gazetën.
Latifi, bashkëshorti i Elfie Retkocerit, ka ndërruar jetë 18 muaj më parë nga kanceri në mëlçi. Ndërsa ajo vuan nga reuma, diabeti dhe nga tensioni i lartë.
Gjithë këto sëmundje thotë se i goditën jorastësisht. Për të rritur fëmijët ajo thotë se u ndeshën me skamjen dhe me kushtet e rënda.
Për të gjithë ju që dëshironi t’i ndihmoni zonjës Elfie, mund të kontaktoni në këtë numër: 044 949 986