Materniteti në Podujevë pa mjek kujdestar

Aktuale August 21, 2017 - 08:37

Në komunën e Podujevës gratë shtatzëna nuk mund të marrin ndihmë mjekësore pas orës 20:00, kjo për faktin së në maternitetin e kësaj komune pas kësaj ore nuk ka asnjë mjek kujdestar. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Zaim Thaçi, thotë se gjatë ditës punojnë dy mjekë, por në mbrëmje nuk kanë kapacitet që ta angazhojnë një mjek kujdestar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gratë shtatzëna në komunën e Podujevës për një komplikim më të thjeshtë gjatë mbrëmjes duhet të drejtohen drejt QKUK-së, në Prishtinë, pasi që në komunën e tyre nuk mund ta marrin ndihmën e nevojshme.

Kjo për faktin së në maternitetin e kësaj komune pas orës 8:00 të mbrëmjes nuk ka asnjë mjek kujdestar, aty qëndron një motër medicionale e cila pothuajse të gjitha rastet i drejton për në QKUK, shkruan "Zëri".

Drejtori i QKMF-së në Podujevë, Zaim Thaçi, thotë se gjatë ditës janë të angazhuar dy mjekë, ndërsa në mbrëmje nuk ka asnjë dhe se të gjitha rastet i dërgojnë në QKUK, në Prishtinë.

“Ne nuk kemi repart, kemi vetëm maternitet, materniteti është 24:00 orë, por mjekët punojnë vetëm 12:00 orë. Janë dy mjekë të cilët punojnë me dy ndërrime, por që pas orës 8:00 të mbrëmjes nuk ka mjek kujdestar në këtë maternitet. Aty kemi një motër medicionale e cila pothuajse të gjitha rastet i drejton në QKUK, pasi nuk mund t’u dalim në ndihmë. Nuk kemi kapacitet që të kemi gjinekolog kujdestar. Tashmë në komunën tonë është ndërtuar spitalin i ri, por ai ende nuk është në funksion. Ne si QKMF në Podujevë nuk kemi asgjë në dorë për këtë çështje. Të gjitha rastet emergjente në komunën tonë gjatë kësaj kohe dërgohen në QKUK, në Prishtinë, pasi që ne nuk mund t’u japim ndihmë këtyre rasteve për shkak të mungesës së mjekëve gjinekologë”, ka thënë Thaçi për gazetën Zëri”.

E lidhur me këtë problem në komunën e Podujevës thonë së janë duke e pritur tash e një vit Ministrinë e Shëndetësisë që ta vënë në funksion spitalin e ri.

Nazmi Elezi, zyrtar për informim, ka bërë të ditur se në kuadër të spitalit të ri është i paraparë edhe reparti i gjinekologjisë, repart ky që do ta ndryshonte këtë gjendje që është aktualisht.

“Është e vërtetë që në Podujevë nuk ka as repart të Gjinekologjisë, por ka vetëm maternitet ku mund t’i kryejnë lindjet emergjence e po ashtu nuk ka as mjek gjatë mbrëmjes, të gjitha rastet emergjente pas orës 8:00 të mbrëmjes dërgohen në QKUK me ambulancë, pasi që këtu nuk mund t’u mundësohet ndihma që u nevojitet. Ne e kemi ndërtuar spitalin e ri në Podujevë dhe në këtë spital është e paraparë të hapet edhe reparti i gjinekologjisë, në të cilin mund të kryhen shërbimet të cilat deri tash nuk kanë qenë në komunën tonë, por krejt kjo varet nga Ministria e Shëndetësisë, tash e një vit jemi duke pritur që ky spital të hyjë në funksion, por që për sigurimin e stafit dhe hapjen e tij është në dorën e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Elezi tutje ka shtuar se jo vetëm materniteti, por asnjë repart tjetër në ketë komunë, përveç Emergjencës, nuk kryen shërbime pas orës 8:00 të mbrëmjes.

“Në komunën tonë pas orës 20:00 punon vetëm Emergjenca e Përgjithshme, ku mund ta marrin ndihmën e parë personat me probleme të ndryshme, ndërsa asnjë repart tjetër nuk punon pas kësaj ore, prandaj edhe rastet si ato të lindjes apo rastet e ngjashme dërgohen në QKUK, pasi këtu nuk mund të marrin ndihmë”, ka thënë ai.

Elezi ka vazhduar të shpresojë që brenda këtij viti Ministria e Shëndetësisë, si institucioni kompetent në këtë rast, ta vërë në funksion spitalin e ri, i cili do t’u mundësojë qytetarëve llapjanë qasje më të lehtë në marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Për ketë problem institucioni i cili është kompetent për sigurim të stafit, Ministria e Shëndetësisë, nuk ka kthyer përgjigjeje nëse do ta bëjnë hapjen e spitalit të ri.