LDK-së e PDK-së u përçahen degët në Drenas

Aktuale August 19, 2017 - 10:10

Përcaktimi i kandidatëve për kryetar komune, ka përçarë degën e LDK-së në Drenas.

Sipas Izet Abdylit, që ka dërguar njoftim në media, kjo degë e LDK-së në Drenas para pak kohe kishte mbajtur Kuvendin e punës ku kishte shtruar përgjegjësinë e kryetarit të Degës dhe kishte formuar një grup për kontakte me Kryesinë Qendrore.

“Përkundër kërkesave për një takim pune apo ftesës që dikush nga Qendra të vijë në Degë dhe të ballafaqohet me vërejtjet që Kryesia ka ndaj kryetarit të Degës, Kryesia Qendrore u mjaftua me raportimet e rrejshme të kryetarit Bedri Nika i cili gjendjen në Degë e paraqiste si stabile. Dhe tani kur kanë mbet vetëm edhe tri ditë afat për dorëzimin e listave, Dega ende nuk ka vendos për emrin e kandidatit për kryetar komune dhe bartës të listës, e të mos flasim për kandidatë për këshilltarë të Asamblesë Komunale”, shkruhet në njoftimin e Abdylit.

Sipas tij, në një mbledhje maratonike që ka zgjatur afër tri orë, e që është përshkuar me fyerje e tensione janë bërë dy vetëkandidime: Bedri Nika kryetar aktual e që nuk ka mbështetjen e Kryesisë së Degës, Rifat Bilalli ish-kryetar i LDD-së dhe ish-mbështetës i Bedri Nikës dhe kandidati i tretë është Sadik Krasniqi, siç thotë Abdyli, një veprimtar i devotshëm i LDK-së i cili asnjëherë nuk ka lëvizur nga përcaktimi tij për LDK-në e që ka mbështetjen e Kryesisë së Degës.

“Arroganca e kryetarit që të mos pranojë të hyhet në votim të fshehtë për këta kandidatë rrezikon që LDK-ja në Drenas të pësojë fiasko të vërtet dhe barrën e përgjegjësisë përveç kryetarit të degës z. Nikaqë sillet si një despot e ka edhe Kryesia Qendrore e cila po qëndron indiferente sikur nuk po ndodh asgjë në këtë Degë”, ka thënë ai.

Ndërkohë dje gazeta Zëri karaportuar se edhe në PDK ka pakënaqësi. Naim Bazaj, njëri prej pretenduesve kryesorë për karrigen e të parit të Komunës së Drenasit në zgjedhjet e 22 tetorit të këtij viti, jashtëzakonisht i zhgënjyer me zhvillimet e fundit në Degën e PDK-së në Drenas, por edhe me “ndërskamcat”, e ka porositur PDK-në, Kadri Veselin dhe të gjithë ata që vendosin për Drenasin, për të ardhmen e Drenasit dhe për qytetarët e saj se me asnjë kusht nuk do të tërhiqet nga gara për kryetar në zgjedhjet e 22 tetorit.

Bazaj ka siguruar elektoratin e tij, shokët e luftës, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur në të gjitha zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Drenasi se nuk do t’i tradhtojë edhe një herë, siç kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2016 kur ishte tërhequr nga gara për kryetar të Drenasit, me “njëmijë lutje”, siç thotë ai, të Kadri Veselit dhe të udhëheqësve të PDK-së.

“Nuk do t’i tradhtoj edhe një herë ata që më kanë përkrahur dhe i kam pasur pranë vetes në të gjitha periudhat, edhe të këqija edhe të mira, nëpër të cilat ka kaluar Drenasi. U garantoj përkrahësve të mi, miqve, shokëve të luftës dhe të gjithë atyre që më kanë ndenjur pranë se nuk do t’i tradhtoj edhe një herë. I kam tradhtuar pak para fillimit të garës për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit të kaluar, sepse më ka lutur Kadri Veseli, më kanë lutur deputetë e njerëz të tjerë të rëndësishëm në PDK. Ata të gjithë që atëherë më kanë premtuar se në zgjedhjet e sivjetme do të më kandidojnë mua për kryetar të Drenasit. Ka qenë vetë Kadri Veseli ai cili më ka thënë, në prani edhe të disa njerëzve të tjerë, se ka gabuar kur ka vendosur për Ramiz Lladrovcin. Unë jam tërhequr duke i respektuar ata dhe fjalën e tyre që kanë dhënë. Vetë Veseli më ka thënë se nuk do ta bëjë edhe një gabim tjetër e ta propozojë Lladrovcin për kryetar. Unë pres që Kadri Veseli dhe ata njerëz rreth tij që kanë dhënë një premtim ta mbajnë atë, përndryshe, Naim Bazajn do ta kenë kundër”, ka thënë Bazaj gjatë një bisede me “Zërin”, të enjten.