Serwer: Qeveria me 61 vota s’është formulë stabiliteti

Aktuale August 19, 2017 - 07:52

Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” se Qeveria e re e Kosovës nëse formohet me shumicë të thjeshtë parlamentare nuk është formulë stabiliteti. Sipas tij, nëse koalicioni PAN nuk arrin ta formojë Qeverinë, atëherë presidenti Thaçi duhet t’ia japë mandatin kandidatit për kryeministër të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtit

Një Qeveri me 61 vota, e cila do të kishte përballë një opozitë të fortë në njërën anë dhe në anën tjetër do të varej nga Lista Serbe, nuk tingëllon aspak si formulë stabiliteti. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer. Megjithatë, ai ka thënë se në këtë kontekst duhet të pritet dhe të shihet se çka realisht do të ndodhë.

Duke folur për situatën aktuale politike dhe ngërçin dymujor, Serwer ka thënë se kjo zvarritje do të ketë edhe koston e vet.

Më tej analisti amerikan ka thënë se do të ishte shumë më mirë sikur klasa politike kosovare do të arrinte deri te një konsensus politik për gjetjen e një zgjidhjeje sesa vendi të dërgohej në zgjedhje të reja parlamentare.

Duke folur për mandatarin e dytë, nëse PAN-i nuk arrin që të krijojë Qeverinë, Serwer ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ia mundëson dhënien e mandatarit “Vetëvendosjes” nga ana e presidentit, nëse kjo vërteton se ka mbështetjen e shumicës. Në fund Serwer ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë atë nga Kushtetuta sa më parë.

Zëri: Z. Serwer, as dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nuk po mund të formohen institucionet qendrore si pasojë e mosunitetit politik. A po humb Kosova në raport me institucionet ndërkombëtare si pasojë e këtij ngërçi politik?

Serwer: Sigurisht që ngërçi politik do të ketë koston e vet, mirëpo edhe këto “varësi -ngërçe” të parlamentit ndodhin. Madje edhe në demokraci, të cilat kanë shumë më shumë eksperiencë, politikanët shpeshherë bëjnë me muaj të tërë për të krijuar qeverinë e re. Në ndërkohë, ekziston një kujdestar në vend. Unë besoj që po bën punën e nevojshme dhe të domosdoshme të Qeverisë.

Më mirë kompromis sesa zgjedhje

Zëri: Koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) ka dalë më i madhi në zgjedhjet e 11 qershorit, mirëpo i mungojnë numrat e nevojshëm për ta formuar Kuvendin dhe Qeverinë. Në mungesë të votave të nevojshme ky koalicion nuk po merr pjesë as në seancat e Kuvendit, pavarësisht ftesës së SHBA-së, të Gjermanisë, të Francës, të Anglisë, të Italisë që të shkojnë në Kuvend. A duhet përfaqësuesit politikë të gjejnë zgjidhje kompromisi, pasi vendi rrezikon që përsëri të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Serwer: Unë vetëm shpresoj që njerëzit do t’i bëjnë përpjekjet e duhura që të arrijnë deri te një zgjidhje me kompromis më parë se të vendosin për zgjedhje të reja. Megjithatë, vendimi u takon kosovarëve e jo të huajve.

Zëri: A do të duhej presidenti Hashim Thaçi t’ia japë mandatin partisë së dytë, në këtë rast kandidatit të “Vetëvendosjes” për kryeministër Albin Kurtit, nëse Ramush Haradinaj dështon brenda afatit ligjor ta formojë Qeverinë?

Serwer: Unë nuk jam avokat, mirëpo Kushtetuta e Kosovës thotë se “presidenti mandaton kandidatin për kryeministër për krijimin e Qeverisë pasi që të vijë propozimi nga partia apo nga koalicioni, i cili përbën shumicën në Kuvend”. Duket se “Vetëvendosja” do të mundë ta merrte mandatin nëse mund të propozojë një Qeveri me mbështetjen e shumicës në Kuvend.

Zëri: Në mungesë të Kuvendit dhe të Qeverisë Kosova nuk e ka ratifikuar ende Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Nëse z. Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër, i cili e ka kundërshtuar më së shumti këtë marrëveshje, a prisni që të zgjidhet kjo çështje?

Serwer: Mbase duhet ta pyesni atë. Unë nuk di asnjë bazë të arsyeshme në të cilën do të mundë të vazhdohej kundërshtimi i Demarkacionit.

Zëri: A ka gjasë BE-ja t’i heqë vizat për Kosovën nëse Marrëveshja për Demarkacionin dërgohet në Arbitrazh Ndërkombëtar?

Serwer: Për këtë është më mirë ta pyesni Bashkimin Evropian.

Zëri: Qeveria e re e Kosovës, nëse formohet me shumicë të thjeshtë parlamentare, do ta ketë përballë një opozitë të fortë dhe njëkohësisht do të jetë e varur nga votat e deputetëve serbë, të cilët punojnë me direktiva të qeverisë së Serbisë. Sa do të jetë stabile një Qeveri e tillë, e cila realisht nuk do t’i ketë votat për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, etj?

Serwer: Në fakt kjo nuk tingëllon aspak si një formulë për stabilitet. Megjithatë, mendoj se do të na duhet që të presim dhe të shohim se çka realisht do të ndodhë.

Zëri: Është paralajmëruar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të zhvillohet në nivel presidentësh. Sa mund të jetë e pritshme kalimi i dialogut në një fazë të tillë?

Serwer: Presidentët kanë krijuar një raport reciprokisht të respektueshëm, i cili duhet të mbështetet. Por sigurisht paqëndrueshmëria politike në anën e Prishtinës mund ta bëjë dialogun të vështirë. Nga ana e Beogradit gjërat duken mjaft të qëndrueshme tani për tani, edhe nëse disa kundërshtojnë vlefshmërinë e zgjedhjeve të fundit.

Serbia do ta pranojë sovranitetin e Kosovës

Zëri: Presidenti i Serbisë Vuçiq ka paralajmëruar një debat të brendshëm për Kosovën. A prisni që lidershipi në Beograd, në kuadër të proceseve eurointegruese, ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj?

Serwer: Unë pres që Serbia në kuadër të procesit të eurointegrimit të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke përfshirë (por jo vetëm) heqjen e saj nga Kushtetuta.  Anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh duhet të pasojnë më tej. Pyetja është nëse kjo do të bëhet në çastin e fundit para pranimit në BE kur levat negociuese do të jenë krejtësisht në anën e BE-së ose më herët kur Beogradi mund të shpresojë të marrë një marrëveshje më të mirë. Unë mendoj se është më mirë të bëhet kjo sa më parë sesa më vonë, por sigurisht që i takon serbëve e jo të huajve që të vendosin dhe do të varet nga rezultati i debatit të brendshëm që presidenti i ka propozuar.