S’e votojmë Veselin, as Haradinajn

Aktuale August 18, 2017 - 10:33

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se koalicioni parazgjedhor LAA ka garuar para qytetarëve me ofertën se për asnjë çmim s’do të bëjë koalicion me PDK-në dhe kjo platformë, siç thotë ai, do të ruhet me kujdes.

Megjithatë Abdixhiku, i cili është njëri nga deputetët më të votuar të LDK-së, thotë se  nëse dikush e ka ndarë mendjen të shkojë e t’i bëjë argat PDK-së, e ka rrugën e hapur.

Ai është i bindur se as më 24 gusht Kadri Veseli nuk do të mundë të zgjidhet kryeparlamentar, pasi që koalicioni PAN nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend.

Zëri: Z. Abdixhiku, kryesuesi i seancës konstituive ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të jetë më 24 gusht, ashtu siç kërkoi përfaqësuesi i PAN-it. Pse mos të mbahet seanca edhe më herët, përkatësisht a ishte kjo shtyrje me qëllim që të binden disa deputetë nga partitë tjera për ta mbështetur koalicionin e tyre?

Abdixhiku: Tashmë është evidente se pavarësisht proklamimit të bërë që nga dita e parë, PAN-i nuk i ka numrat; në fakt s’i kishte asnjëherë. Dhe, që nga atëherë PAN-i është në përpjekje të vazhdueshme që nëpërmjet blerjes së kohës të ushtrojë presion për kontrabandë. Deri më tani kjo kohë e blerë s’ka qenë e mjaftueshme, rrjedhimisht janë në kërkim të kohës shtesë.

Një grup politik me minimalisht pak dinjitet do ta pranonte vullnetin e shumicës. Do të pranonte se nuk i do askush për partner. Por PAN-i këtë dinjitet nuk e ka. Çfarë ata kanë është vullneti për kërcënim me bllokadë për teke krejtësisht personale. Ata, nëpërmjet hapësirave kushtetuese të shkaktuara nga një interpretim skandaloz kushtetues i vitit 2014, mbajnë peng gjithë institucionet e gjithë Republikën. Pra, si gjithherë, të njëjtit prodhojnë kapje dhe në këtë rrugëtim të kapjes nuk zgjedhin mjete, duke përfshirë edhe kontrabandën publike që në secilin standard demokratik është moralisht i dënueshëm.

Zëri: Koalicioni LAA do të shkojë në seancën e 24 gushtit, por a do t’i ketë numrat PAN-i që Kadri Veseli të zgjidhet kryeparlamentar dhe më pas Ramush Haradinaj kryeministër?

Abdixhiku: Ne do të marrim pjesë, siç dhe kemi marrë pjesë deri më tani në secilën seancë të mundshme konstituive. Qëndrimi i koalicionit tonë, të shprehur në takime të shpeshta të grupit tonë parlamentar, është se ne nuk i votojmë kandidatët aktualë të PAN-it për kryeparlamentar e për kryeministër. Ne konsiderojmë se Kadri Veseli është figura më e papërshtatshme e mundshme nga të gjithë 120 deputetët në Parlament për të qenë bartës i institucionit më të lartë legjislativ.