Ky është kushti i PAN-it për të shkuar në seancë

Aktuale August 10, 2017 - 14:03

Koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk do të marrë pjesë në seancë, derisa nuk arrihet një kompromis për ta votuar kandidatin për kryeparlamentar të këtij koalicioni. Kështu ka thënë për "Zeri.info" nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili ka bërë të ditur se lideri i PDK-së është kandidati i vetëm për këtë pozitë.

Ai ka thënë se nëse arrihet marrëveshje në tryezën përbashkët mes partive politike, ata do të marrin pjesë në seancën e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.

“Ne e kemi dhënën një deklaratë publike zyrtarisht që nuk marrim pjesë përderisa po bllokohet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, po bllokohet zgjedhja e Qeverisë. Kështu që me shku dhe me i numëruar vetëm votat sa me sa janë nuk ka rendësi, por me rëndësi është tryeza e përbashkët e partive politikë. Është biseduar që ta mbahet javën e ardhshme, prapë po besoj që pasi të arrihet një marrëveshje mes partive politike atëherë edhe mund të mbahet seanca dhe mund të zgjedhën organet”, ka thënë Haliti.

Lidhur me atë se a do të marrin pjesë në seancën e ardhshme, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, Haliti ka thënë se do të veprojnë sipas vendimit të Grupit Parlamentar, por që nuk e di se çfarë do të bëjnë, shkruan “Zeri.info”.

“Ne hap pas hapi, organet e partisë marrin vendim bashkë me Grupin Parlamentarë për këtë dhe shpallim publikisht. Nuk mund të them sot se çfarë do të bëjmë të enjten e ardhshme”, ka potencuar Haliti.

Ndërsa sa i përket asaj se a mund të këtë kandidat tjetër nga PAN-i për kryeparlamentar, Haliti ka thënë se nuk ka asnjë kandidat tjetër.

“Nuk ka asnjë lëvizje nga qëndrimi i partisë për Z.Veselin”, ka thënë Haliti./Zeri/.