Pavarësisht caktimit të seancës s’pritet të ketë zgjidhje

Aktuale August 08, 2017 - 11:44

Profesori universitar Dashnim Ismajli ka konsideruar se nuk do të ketë zgjidhje të afërt nga situata që shihet.

“Duke marrë parasysh zhvillimet në Kuvend dhe qasjen e javës së kaluar nga koalicioni PAN, një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit nuk duket të jetë e afërt në fokus”, ka deklaruar ai, transmeton zeri.info.

Sipas Ismajlit, PDK-ja nuk duhet ta mbajë peng vendin, duke luajtur rolin vendimtar në krijimin e institucioneve.

“PDK-ja nuk duhet t’i mbajë peng proceset dhe ta luajë rolin kyç në ndërtimin e institucioneve politike. Ky rol i ‘player-‘it vendimtar nga PDK-ja ka rënë në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e fundit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, në rast se do të kishte zgjedhje të sërishme, atëherë humbëset më të mëdha do të ishin dy subjektet e koalicionit PAN, PDK-ja e AAK-ja.

“Mendoj se çdo tentativë për t’i mbajtur peng institucionet, për të shantazhuar dhe për t’i stërzgjatur proceset do ta rrisë frymën kritike nga qytetari, që në rast të organizimit të zgjedhjeve të reja do të ishin fatale edhe për vetë këto parti, respektivisht për PDK-në dhe AAK-në’, ka shtuar ai, transmeton zeri.info.

Kurse analisti politik Arben Rugova ka konsideruar se partitë politike në Kosovë nuk janë të interesuara për ta arritur ndonjë marrëveshje për të ardhur deri tek një zgjidhje.

Por pavarësisht asaj se vazhdimi i seancës tashmë është thirrur për të enjten, politologu Ramush Tahiri ka konsideruar se bllokada institucionale ka gjasa të vazhdojë derisa të shpallen zgjedhjet e sërishme nacionale, transmeton zeri.info.

“Bllokada duket se do të ndodhë derisa të krijohen kushtet që presidenti t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe që ato të mbahen më 22 tetor së bashku me zgjedhjet komunale”, ka deklaruar ai.

Tahiri më tej ka thënë se po që se PAN-i shkon në mbledhjen e Kuvendit dhe del me një kandidat për pozitën e kryetarit, atëherë ekziston mundësia që deputetët ta zhbllokojnë situatën.

“Nëse PAN-i shpreh vullnet, atëherë shkon në mbledhjen e Kuvendit dhe propozon kryetarin e nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e veta. Deputetët besoj se do ta bëjnë votimin formal për të gjithë dhe do ta hapin rrugën për ta caktuar mandatarin”, ka nënvizuar ai. /Zeri/