VV: Shpifjet e PDK-së, produkt i frikës nga humbja e pushtetit

Aktuale July 26, 2017 - 19:42

Akuzat ndërmjet partive politike parlamentare kosovare nuk kanë të ndalur. Në këtë luftë akuzash e kundërakuzash vazhdojnë të jenë më aktive Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Është Lëvizja Vetëvendosje ajo që, përmes një komunikate për media, i ka quajtur shpifje deklaratat pretendimet e PDK-së deputeti Dardan Molliqaj dha dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ për shkak të presionit nga ambasadat.

“Rënia e ndjeshme e PDK-së në zgjedhjet e fundit, ku humbi 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka tronditur aq shumë këtë parti, saqë duket se e ka të pamundur këndelljen, prandaj edhe ka filluar një fushatë shpifëse që e bën aq të dukshme gjendjen e rëndë të saj. Dyfishimi i VETËVENDOSJE!-s në anën tjetër, që ka bërë që të jemi partia më e madhe në vend, e ka futur në panik të thellë këtë parti, e cila për vite të tëra përmes klanit ‘Pronto’ e ka kapur në gjitha format shtetin dhe tashmë po frikësohet nga çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit”, thuhet në kumtesën e VV-së.

“Së fundi, nga zyrtarë të kësaj partie u plasua shpifja se deputeti Dardan Molliqaj dha dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ për shkak të presionit nga ambasadat, shpifje kjo e radhës, e cila është manifestim i frikës që klani ‘Pronto’ e ka nga qeverisja e VETËVENDOSJE!-s dhe vendosja e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë”.

Më tej në deklaratën e VV-së thuhets e “deputeti Molliqaj, i cili renditet në mesin e dhjetë deputetëve më të votuar në vend, i ka dhënë tashmë arsyet e dorëheqjes, të cilat përmblidhen në angazhimin e mëtutjeshëm që ai do ta ketë në Kuvend për ta luftuar klanin ‘Pronto’ së bashku me deputetët e tjerë të VETËVENDOSJE!-s, e cila do ta ketë grupin më të madh parlamentar në Kuvend. Dhe pikërisht kjo luftë të cilën e kanë frikë aq shumë ky klan kriminal, është arsyeja pse PDK ka filluar të sajojë shpifje, të cilat në asnjë mënyrë nuk do ta shpëtojnë nga rënia e vazhdueshme dhe përgjegjësia që duhet ta japin për dëmin që i kanë shkaktuar vendit”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe do të angazhohet fuqishëm për një mendësi të re qeverisëse, e cila çrrënjos krimin dhe korrupsionin, si dhe mundëson një shtet të së drejtës, një shtet zhvillimor e social. Kjo sigurisht që është e papranueshme për klanin ‘Pronto’, sepse një shtet i tillë që vë në pah veprimtarinë e tyre kriminale dhe i mbanë përgjegjës për të, është i frikshëm për ta”, thuhet ne komunikatën e VV-së.