Mustafa: Vdekja e Qani Mehmedit, humbje e madhe e për gazetarinë e publicistikën shqiptare

Aktuale July 18, 2017 - 14:31

 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Mehmedi, dhe të gjithë gazetarët e Kosovës pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të shquar, Qani Mehmedi.

“Me dhimbje dhe pikëllim e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Qani Mehmedit, gazetar dhe publicist i shquar i medias shqiptare.
Me punën e tij shumëvjeçare në televizion, në radio dhe në mediat e shtypura në Kosovë dhe më gjerë në botën shqiptare, Qani Mehmedi dha kontribut të madh për informimin e drejtë, për mendimin e lirë si dhe për zhvillimet politike e demokratike”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, kryeministri Mustafa theksoi se vdekja e Qani Mehmedit është humbje e madhe për familjen, për kolegët dhe për gazetarinë e publicistikën shqiptare.