Pantina: Ndryshimi nuk sigurohet nga një qeveri me PDK-në

Aktuale July 18, 2017 - 12:01

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka vlerësuar se ndryshimi nuk vjen nga një qeveri gjithëpërfshirëse. Sipas saj, vendi aktualisht ka nevojë për një opozitë të fortë.

“Zgjedhjet e kaluara kanë treguar se qytetarët duan ndryshim, një ndryshim i tillë nuk sigurohet nga një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila brenda saj do ta kishte edhe PDK-në. Vendi ka nevojë edhe për opozitë të fortë që do ta kundërshtonte ndonjë vendim eventual të dëmshëm. Mendoj se pas dështimit të koalicionit PAN e drejta për formimin e Qeverisë duhet t’i kalojë lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, është shprehur Pantina, transmeton zeri.info.

Nga ana tjetër Valmir Ismaili, nga "Demokracia Plus", ka vlerësuar se krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse do të kishte kuptim vetëm nëse do të krijohej para zgjedhjeve të fundit nacionale, transmeton zeri.info.

“Qeveria gjithëpërfshirëse do të kishte kuptim vetëm para zgjedhjeve, pra në ato raste kur Qeveria për arsye të ndryshme nuk do të mundë të merrte vendime dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të mundë të krijohej një qeveri teknike. Sidoqoftë, Kosova është në një situatë të tillë ku vendi ka nevojë që të merren vendime të mëdha”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Më tutje ai ka thënë se vendimet e mëdha nuk mund të merren me qeveri gjithëpërfshirëse sepse do të mungonte përgjegjësia.

Edhe Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka konsideruar se nuk do të ketë mundësi për ta krijuar një qeveri, në të cilën do të merrnin pjesë të gjitha partitë politike.

“Unë mendoj se nuk do të ketë ndonjë opsion për qeveri gjithëpërfshirëse. Subjektet politike nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre që nga certifikimi i rezultateve dhe parimisht nuk po duket një klimë e përshtatshme politike për këso lloj marrëveshjesh. Për të ardhur deri te një kryeministër konsensual partitë politike duhet t’i lënë anash inatet e rivalitetin dhe të negociojnë me letra të hapura për këtë çështje”, ka potencuar ai, transmeton zeri.info.

Por sipas Muratit, LDK-ja e LVV-ja haptazi kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e asnjë formacioni politik pjesë e së cilës është edhe PDK-ja. Kësisoj është e vështirë të mendohet se një konsensus i tillë mund të arrihet./Zeri/