Cakolli: Problemi kyç, sigurimi i votave për kryeparlamentarin

Aktuale July 17, 2017 - 12:43

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se seanca konstituive duhet të thirret më së largu deri më 8 gusht.

“Duke marrë parasysh dispozitat aktuale ligjore, presidenti i Kosovës duhet që brenda 30 ditësh ta thërrasë seancën konstituive. Kjo i bie që presidenti ka kohë që më së largu deri më 8 gusht ta thërrasë këtë mbledhje”, ka deklaruar ai.

Sipas Cakollit, ndonëse është thënë se seanca pritet të mbahet gjatë kësaj jave, ekziston mundësia që ajo të shtyhet në rast se nuk arrihet të sigurohen votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, gjë që kjo e fundit paraqet një problem mjaft të madh.

“Vlerësoj se problem kyç është sigurimi i votave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe jo për formimin e Qeverisë. Kjo për arsye se presidenti nuk mund ta mandatojë askënd për formimin e Qeverisë pa u konstituar Kuvendi, përkatësisht pa u zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit”, ka shtuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Ndërkohë ka bërë të ditur se votimi i Qeverisë mund të ndodhë në të njëjtën ditë kur edhe pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

“Sa i përket mundësisë së votimit për formimin e Qeverisë së Kosovës në të njëjtën ditë kur mbahet seanca konstituive, proceduralisht kjo mund të ndodhë. Mirëpo, kjo varet shumë nga ecuria e procesit të sigurimit të votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, është shprehur ai. /Zeri/